Përpara vendimit të vendeve anëtare për statusin e vendit kandidat të Shqipërisë, Vjena këtë herë është angazhuar në nxitjen e unionit për të votuar pro Shqipërisë.
Vetëm gjashtë muaj më parë, përpara këshillit të dhjetorit, e njëjta nismë nga vendet fqinje të Shqipërisë u firmos nga dhjetë vende anëtare të BE-së, dhe këtë herë duket se numri i shteteve që kanë hedhur firmën për statusin e Shqipërisë është drejt dyfishimit.
Ministri i Jashtëm i këtij vendi Sebastian Kurz, u ka nisur një letër homologëve të vendeve të Unionit, baroneshës Catherine Ashton dhe Greqisë, si vendi që mban presidencën e radhës së BE, me përmbajtje theksimin e progresit të Shqipërisë dhe përmbushjen prej saj të kushteve të vendosura.
“Duke u nisur nga angazhimi dhe progresi i Shqipërisë, ashtu si u nënvizua në raportin e qershorit të 2014-s, qartësisht meriton që vendet anëtare të Bashkimit Evropian t’i njohin statusin e vendit kandidat. Shqipëria bindshëm ka përmbushur kushtet e vendosura nga BE”, thuhet në letër.
Letra është firmosur nga 17 ministra të Jashtëm të BE-së. Përveç Italisë dhe Irlandës, firmëtarët janë kryesisht të vendeve të lindjes që u janë bashkuar vitet e fundit unionit.
Deri tani asnjë vend nuk i ka thënë “jo” statusit kandidat të Shqipërisë, por mbetet për t’u parë qëndrimi i Francës dhe i Anglisë, vende në të cilat euroskepticizmi është rritur ndjeshëm, siç tregoi edhe vota për Parlamentin Evropian. Por, pavarësisht ekuilibrave të brendshëm të vendeve anëtare, ajo që nuk mohohet sipas vlerësimit të Komisionit Evropian, është progresi i dukshëm i Shqipërisë në muajt e fundit.