Vjeshta ne Parakalim


Vjeshtë në natyrë dhe vjeshtë ndër ftyra tona,
Afshon erë e mekun, lëngon i zymtë dielli,
lëngon shpirt' i smum ndër krahnore tona,
dridhet jet' e vyshkun ndër gemba të një plepi.

Ngjyrët e verdha lozin në vallen e fundme
(dëshirë e marrë e gjethve që një nga një vdesin!)
Gëzimet, andjet tona, dëshirat e fundme
nëpër balta të vjeshtës një nga një po shkelin.

Një lis pasqyrohet në lotin e qiellit,
tundet dhe përgjaket në pasion të viganit:
"Jetë! Jetë unë due!" - e frymë merr prej fellit,
si stuhi shkyn ajrin... por në fund ia nis vajit.

Dhe m'at vaj bashkohet horizont' i mbytun
në mjegull përpise. Pemët degët e lagun
me vaj i mshtjellin në lutje por kot! e dinë, të fikun,
se nesër do vdesin... Vall! A ka shpëtim ndokund?!

Mallëngjehet syni, mallëngjehet zemra
n'orën e vorresës, kur heshtin damaret,
e vorri inaltohet nën qiella ma t'epra
me klithëm dëshprimi që në dhimbë të madhe zvarret.

Vjeshtë në natyrë dhe vjeshtë ndër ftyra tona.
Rënkoni dëshirat fëmitë e jetës së vafun;
rënkoni në zije, qani mbi kufoma,
që stolisin vjeshtën nëpër gemba të thamun.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama