Është ndër të parat dhe të rrallat gra penaliste në Shqipëri, por që ka mbrojtur kriminelët më të rrezikshëm. Avokate e katër bandave që janë cilësuar si më të tmerrshmet ndër vite, si ajo e Gaxhait, e Cërrikut, Lushnjës dhe Durrësit, Vjollca Pustina duket se e ka të lehtë komunikimin me ta. Dhe së fundmi, ajo na shfaqet si mbrojtësja ligjore e personit që sapo ka pranuar se ka kryer 2 vrasje, 3 plagosje dhe 15 grabitje, Viktor Gushi.
Ka kryer 2 vrasje, 3 plagosje dhe 15 grabitje. Kaq ka vetëpohuar prej një jave, por me kalimin e kohës pritet që të pranojë edhe krime të tjera, që deri më sot kanë mbetur pa autor. Viktor Gushi, ai që tashmë për opinionin publik konsiderohet si “monstër”, për Vjollca Pustinën është thjesht “klienti”. Ajo është avokatja e tij që nga momenti i arrestimit dhe duket se bashkë kanë për të bërë rrugë të gjatë. Ashtu siç janë edhe dëshmitë e Gushit për krimet e tij, pjesë nga të cilat Pustina i tregon për gazetën “Panorama”. Një rrëfim i plotë rreth personalitetit të tij, nga braktisja e familjes tek arsyet e krimeve, por edhe në një rrëfim për veten. Vjollca Pustina është vajza e një ish-të burgosuri politik që iu mohua e drejta e arsimit të lartë gjatë sistemit komunist, për shkak të biografisë. Ajo u diplomua për Juridik në vitin 2000 dhe menjëherë nisi punën si avokate, duke u radhitur ndër të parat femra penaliste në Shqipëri. Në dy dekada, Pustina, bashkëshorte dhe nënë e një djali, Kristit, është pikasur për mbrojtjen e të ashtuquajturve kriminelët më të rrezikshëm në vend. Shpesh thirret edhe si “avokatja e bandave”, për shkak të mbrojtjes ligjore që u ka bërë katër bandave që cilësohen si më të tmerrshmet ndër vite: e Gaxhait, Cërrikut, Lushnjës dhe Durrësit. Lista e kontingjenteve të tillë është e gjatë, ndaj do t’i biem pak shkurt në këtë intervistë…
Si ka nisur karriera juaj në avokati?
Për të arritur deri këtu kam kaluar një rrugë të gjatë, plot peripeci e vuajtje. Ia kam dalë mbanë falë mbështetjes dhe përkrahjes së bashkëshortit, Niko Jorgjit, i cili gjatë gjithë jetës ka qenë shoku im më i mirë. Jam lindur dhe rritur në Tiranë, në familjen e nderuar Pustina. Babai ka qenë i burgosur politik, ndaj e pata të pamundur të vijoja shkollën e lartë gjatë sistemit komunist. Pasi mbarova shkollën e mesme, pavarësisht se isha nxënëse shumë e mirë, ëndrrat për të ndjekur arsimin e lartë m’u ndërprenë dhe nisa direkt punë. Megjithatë, gjithnjë fantazoja se do të isha juriste, pa më humbur asnjëherë shpresa se një ditë do t’ia dilja mbanë. Dhe ia dola. Me ardhjen e demokracisë, kur unë tashmë kisha mbushur 32 vjeçe, më doli e drejta e studimit në Fakultetin Juridik. Ishte viti 1995, dhe ne ishim brezi i parë i fëmijëve të ish-të përndjekurve politikë që na u dha mundësia të ndiqnim arsimin e lartë. Do të më mbetet në kujtesë gjithë jetën dita kur u regjistrova si studente. Si sot më kujtohet që kam ngjitur çdo shkallë të fakultetit, duke derdhur lot. Nuk arrija dot ta besoja dhe vetëm qaja. Nga lumturia, sigurisht. Falënderoja Zotin që ia arrita asaj dite. Pasi përfundova Juridikun në Tiranë, dëshira ime më e madhe ishte që të bëhesha avokate. Punova disa kohë me një avokate, e cila në sistemin e kaluar kishte qenë gjykatëse. Më pas, mora licencën e avokates, e bindur se vetëm përkushtimi në punë do më bënte të ecja përpara. Për të qenë sa më e kualifikuar në profesion, unë kam mbaruar në vitin 2010 një master, ku jam diplomuar për shkenca juridiko-penale.
Një grua penaliste që nga fillimi. Pse keni preferuar çështjet penale?
Që në fillimet e mia kam preferuar të merrem me çështje penale. Kjo edhe për shkak të kaluarës sime. Edhe çështjet civile janë shumë të bukura, por të jesh avokate penaliste kam përshtypjen se e shikon realitetin, botën në të cilën jetojmë, krejt ndryshe. Mundësia ime për të ndihmuar njerëzit që të lehtësojnë vuajtjen e tyre, për të qetësuar një zemër nëne, është më e prekshme. Unë jam e lumtur kur ndihmoj me të gjitha mundësitë e mia minoren, që për rrethana nga më të ndryshme kryejnë krime. Apo t’u ofroj grave mbrojtjen nga një grua.
Sa të vështirë e keni pasur “të çani” përmes konkurrencës së dhjetëra meshkujve penalistë dhe a jeni ndjerë e paragjykuar?
Po ju citoj një thënie të mençur të Abraham Lincolnit: Për avokatët do të ketë gjithmonë punë. Jo sepse ata kënaqen nga padrejtësitë që ndodhin, por se janë të vetmit që mund të vënë drejtësi. Çdo punë ka vështirësitë e saj. Unë sot kam bërë një emër timin, në sajë të disa koncepteve dhe parimeve të mia. Kurrë nuk kam premtuar atë që nuk kam mundësi ta kryej. Kam qenë korrekte me klientin. Me kolegët kam marrëdhënie shumë të mira dhe nuk kam pasur frikë nga konkurrenca, pasi besimi te vetja dhe te puna ime në lidhje me klientin ka qenë maksimale. Ndaj nuk jam ndjerë aspak e paragjykuar. Sot, femrat janë të pozicionuara në detyra shumë të rëndësishme dhe kanë arritur të jenë të suksesshme falë qetësisë, butësisë dhe përkushtimit që kanë.
Ju mbroni ata persona që për publikun etiketohen si kriminelët më të rrezikshëm. Ju vetë a ua keni ndjerë ndonjëherë rrezikun atyre?
Unë jam avokate, dhe pavarësisht llojit të krimit që ata kanë kryer, është gjykata ajo që i dënon. Njeriu nuk lind kriminel, por rrethanat e ndryshme të jetës e shtyjnë drejt një krimi. Gjatë jetës, për shumë arsye, njeriu me dashje apo pa dashje etiketohet kriminel. Për mua jo. Pozicioni në të cilin jam unë është që sado e rëndë të jetë vepra e kryer, të mundohem t’i lehtësoj për t’u dhënë mundësi në të ardhmen që të integrohen kur të dalin nga burgu.
Jeni shfaqur si avokate e të ashtuquajturave “Banda e Gaxhait”, “Banda e Cërrikut”, “Banda e Lushnjës”, “Banda e Durrësit”. Çfarë mendoni se i ka tërhequr këta eksponentë që ju të jeni “avokatja e bandave”? Pra, që ata t’ju besojnë juve?
Kam qenë avokate jo vetëm e tyre, por edhe e shumë personave të tjerë, që janë akuzuar për vepra shumë të rënda. Nga natyra, femra është më e butë dhe më e sinqertë në detyrë, sesa një mashkull. Jam munduar që t’u tregoj të vërtetën, t’i bind me argumentet e mia në pozicionin në të cilën ata ndodhen në gjykim, dhe asnjëherë të mos përfitoj nga pozicioni ku ata ndodhen. Besoj se këto kanë qenë ato që më kanë bërë mua të jem avokatja e tyre, për t’i përfaqësuar në gjykim.
Duke qenë se në këto procese të “bandave” janë dhënë edhe dënime maksimale, a keni pasur probleme pas mbarimit të gjyqit me këta individë, për shkak të dënimeve të dhëna nga gjykata? Pra, t’ju kenë akuzuar se nuk ka qenë e mirë mbrojtja?
Gjatë gjithë eksperiencës sime si avokate nuk mbaj mend asnjë rast që të jem konfliktuar me të dënuarit. Në lidhje me ata, kam qenë gjithmonë korrekte dhe kam bërë më të mirën e mundshme të profesionit tim. Në profesionin tim nuk kam bërë kompromis me paranë, por primare ka qenë impenjimi maksimal kur marr një çështje. Në përfundim të gjykimit, askush nuk largohet pa të shpërblyer mirë, nëse ka mbetur i kënaqur nga mbrojtja që ke kryer. Vetëm diçka: Kurrë nuk kam bërë premtime, që e dija se nuk i mbaja dot. Premtime që nuk ishin në dorën time. Kam qenë e sinqertë në përgjigjet e mia, për çfarëdo më kanë pyetur.
A i ruani marrëdhëniet me të dënuarit ose ish-të dënuarit që keni mbrojtur, edhe pas përfundimit të kontratës?
Sipas etiketimit tuaj, këta eksponentë që unë i kam mbrojtur, e njohin etikën dhe dinë të tregojnë respekt me avokatin, i cili është treguar korrekt dhe i ka treguar të vërtetën. Shumë nga këta, kur kanë dalë nga burgu më kanë takuar me respekt. Por edhe ata/ato që janë brenda, pavarësisht se sot nuk jam më avokatja e tyre, më urojnë me telefonata kur janë ditë të shënuara, ose festa dhe nuk më harrojnë. Nuk po i përmend me radhë, por me të gjithë ata që ju i quani “anëtarët e bandave”, flas dhe kam komunikim shumë të mirë edhe sot.
Zakonisht keni mbrojtur të akuzuarit meshkuj, për shkak se ata dominojnë në çështjet penale. Po me femrat, cila është eksperienca juaj si penaliste?
Eksperiencat e mia si penaliste lidhur me femrat që akuzohen për krime ka qenë gjithmonë e mirë, duke qenë se jam vetë femër. Ato kanë hapur zemrën me mua për fakte të cilat nuk kanë pasur mundësi t’i shprehin me askënd tjetër. Që do të thotë, jetën e tyre private, marrëdhëniet në familje dhe çfarë i ka shtyrë që të kryejnë këto krime.
Çfarë krimesh të rënda kryejnë zakonisht femrat dhe për çfarë arsyesh?
Ka nga më të ndryshmet. Më të spikatura janë vrasjet, bashkëpunëtore në trafikun e lëndëve narkotike dhe prostitucioni. Femrat në përgjithësi që akuzohen për vrasje i kryejnë kundër bashkëshortëve, që në momente depresioni, të dhunës së vazhdueshme, arrijnë të kryejnë këto krime. Trafikimin e lëndëve narkotike e bëjnë për një jetë më të mirë, ndërsa prostitucionin e bëjnë për shkak të gjendjes ekonomike.
A mund të na tregoni një rast konkret të ndonjë femre që keni mbrojtur, ndonjë histori që ju ka mbetur në mendje?
Kujtoj disa raste të veçanta që më kanë mbetur në mendje, kur kam qenë mbrojtësja ligjore e disa femrave, që edhe sot vuajnë dënimin. Për shembull, më kujtohet Aishe Pojani nga Baldushku i Tiranës. Aishja, e detyruar nga rrethanat e çastit, kishte vrarë bashkëshortin si pasojë e dhunës psikologjike dhe fizike, që ai kishte ushtruar vite me radhë. Pas krimit, ajo la në mëshirë të fatit dhe në kushte shumë të vështira ekonomike 7 fëmijë. Ajo pranoi vrasjen dhe për këtë kërkuam gjykim të shkurtuar. Gjykata, duke mos qenë e bindur në disa akte që ishin në fashikullin e gjykimit, vendosi që e pandehura të gjykohej me gjykim të zakonshëm. Gjykata, në listën e dëshmitarëve kishte edhe vajzën e Aishes, e cila në atë vit ishte 14 vjeç. Në prezencë të psikologes, ajo me lot në sy dëshmoi të gjithë ngjarjen, pasi ka parë me sytë e saj kur nëna e saj ka kryer krimin. Më kanë mbetur në mendje tronditja e vogëlushes, por edhe pendimi, falja që kërkonte Aishja, duke theksuar se nuk pati rrugëzgjidhje tjetër. Gjithsesi, ajo u dënua dhe ende po vuan dënimin. Një rast tjetër është ai i Marie Qokut, ku nuk do të ndalem gjatë për vuajtjen e saj fizike në burg, por për vuajtjen shpirtërore për dy fëmijët. Ata ishin dërguar në shtëpinë e fëmijës në Sarandë, pasi nuk kishte asnjeri që të kujdesej për ata. Maria i kërkonte vazhdimisht. Nuk e harroj kurrë momentin kur drejtoresha e shtëpisë së fëmijës kontaktoi me mua, pasi i kisha kërkuar që nënës t’i jepej mundësia që t’i takonte fëmijët në burg. Ai takim ka qenë i mrekullueshëm dhe pas shumë kohësh e qetësoi Marien në burg.
Në mes meshkujve dhe femrave, a ka diferencime në ligj sa i përket dënimit të tyre?
Gjykata, kur jep dënimin për një të pandehur që është i akuzuar se ka kryer një vepër penale, bazohet në Kodin Penal që nuk bën dallim nëse autori është femër apo mashkull. Rrethanat e kryerjes së veprës kriminale, po ashtu dhe rrethanat lehtësuese që ka një femër, ndoshta mund të bëjnë diferencim në masë dënimi.
Prej disa ditësh ju tashmë jeni edhe avokatja e të akuzuarit për 2 vrasje, 3 plagosje dhe 15 vjedhje, Viktor Gushit. Si ndodhi që u bëtë mbrojtësja e tij ligjore?
Në momentin kur është arrestuar, Gushi ka kërkuar që të ketë një avokat. Ai ka qenë i dënuar në Greqi më parë, ndaj siç duket, i njeh mirë të drejtat që i takojnë në momentin kur dyshohet për një vepër penale. Për t’ia dhënë këtë mundësi që i takon me ligj, jam kontaktuar nga shefi i Seksionit të Vjedhjeve me Dhunë dhe me Armë në Drejtorinë e Policisë Tiranë. Ai më kërkoi nëpërmjet telefonit që të jem e pranishme në deklarimet e një të arrestuari, por pa më treguar emrin. Me të mbërritur në Drejtorinë e Tiranës, kontaktova me të arrestuarin.
A ju pranoi Gushi?
Po. Sapo më pa dhe folëm për pak çaste, pranoi menjëherë. Komunikimi ka qenë shumë korrekt dhe në fakt ai është treguar shumë i gatshëm për bashkëpunim me Drejtësinë. Deri në këtë fazë që e kam mbrojtur ka qenë dhe dëshira e tij që ta mbroj, pavarësisht se mua në rastin konkret më paguan gjykata si avokate. Atij i është propozuar që të zgjidhte avokat tjetër, apo edhe mund të më ndërronte, por ai nuk ka pranuar.
A është interesuar deri më tani ndonjë prej familjarëve të Gushit për fatin e tij? Nëse jo, me aq sa jeni në dijeni, pse nuk e vizitojnë?
Asnjë nga familjarët nuk është interesuar për të. Gjatë bisedimit që kam bërë me të, ka vite që nuk komunikon me pjesëtarët e familjes. Shkaqet nuk i dimë, pasi edhe ai ishte i rezervuar në lidhje me familjen e tij. Megjithatë, takimet e mia me të kanë qenë të shkurtra dhe në të ardhmen pres që të informohem më shumë. Kam biseduar ditën e parë kur është arrestuar dhe kur është zhvilluar masa e sigurimit në Gjykatën e Tiranës. Nuk ka qenë kohë e mjaftueshme për të biseduar rreth jetës së tij.
A i dini ju arsyet e divorcit të Gushit dhe pse është braktisur nga familja?
Jo, nuk i di arsyet e divorcit, pasi nuk u pyet rreth shkaqeve të tij. Gjatë pyetjeve u njohëm vetëm me faktin që ishte i divorcuar. Megjithatë, me aq sa e ripyeta në konfidencë më tha që kishte qenë i ri atëherë, ashtu edhe bashkëshortja dhe kishte pasur mosmarrëveshje me të. “Nuk shkonim mirë”, – tha dhe me kaq e mbylli historinë. Për sa i përket familjes, nuk dha ndonjë detaj të rëndësishëm. Unë e pyeta pse nuk fliste dhe ai m’u përgjigj: “Nuk flas prej vitesh, pasi ata jetojnë në Greqi. E çfarë t’u them atyre? Ata kanë punët dhe hallet e tyre, jetën e tyre, unë timen”.
Në fakt, është aluduar se Gushi vriste për shkak se ende nuk e kishte kaluar traumën e këtij divorci. A shihni ndonjë të vërtetë në këtë?
Nuk e besoj. Martesa dhe divorci i tij kanë ndodhur shumë herët, dy dekada më parë. Me aq pak sa kam folur rreth kësaj martese, ai nuk dukej i preokupuar për divorcin. Madje, dukej sikur ai as nuk e mbante më mend.
Është deklaruar nëpër media se Gushi e vrau argjendarin Rrapo Sinanaj, për shkak se ai e njihte më parë, duke qenë se punonte si taksist dhe kishte udhëtuar disa herë me të. A është e vërtetë kjo?
Jo. Nuk ka asnjë të vërtetë në këtë deklarim dhe madje bie krejt ndesh me pohimet e tij publike. Ai ka deklaruar që nuk e ka njohur asnjëherë të ndjerin Rrapo Sinanaj. Për më tepër, Gushi nuk ka përdorur asnjëherë taksi, sa kohë ka qëndruar në Tiranë. As për krimet e tij dhe as në jetën e përditshme. Kishte hall se taksistët i mbanin mend klientët, ndaj u shmangej atyre. Sipas deklarimeve të Gushit, ai e ka qëlluar argjendarin se ai i ka bërë rezistencë dhe ka bërtitur aq shumë, saqë edhe në rrugë njerëzit kanë kthyer kokën. Me sa ka dëshmuar Gushi, Sinanaj ka qenë i pirë dhe…
(vijon nesër)
Disa nga çështjet ku Pustina ka qenë avokate:
Viktor Gushi – i akuzuar për 2 vrasje, 3 plagosje, 15 grabitje
Banda e Cërrikut 1997 – anëtarët e saj u akuzuan se vranë 6 gardistë dhe plagosën 9 policë.
Banda e Gaxhait – Grupi i drejtuar nga Gazmir Braka në vitin 1997, njihej në Cerkovinë si banda e Gaxhait dhe jetonin së bashku në mënyrë të organizuar në fshatin Cerkovinë
Banda e Lushnjës – anëtarët e saj janë akuzuar për dhjetra vrasje, plagosje, grabitje e krime të tjera. Kryesisht Aldo bare.
Banda e Durrësit – edhe në këtë rast, anëtarët e saj janë akuzuar për vrasje, plagosje, grabitje e krime të tjera. Kryesisht Lulzim Berisha.
Riza Malaj – eksponent i njohur në Tropojë për konfliktet e vazhdueshme që ka patur me policinë dhe konflikte të tjera, sidomos me kryeministrin Berisha.
Markelian Cungu – hajduti minoren që mban mbi kurriz rreth 1500 vjedhje të kryera. I njohuri me pseudonimin “Çengeli”.
Vëllezërit Onuzi – rrëmbyen autobusin me pasagjerë në Kukës dhe mbajtën pengje
Sebejdin Hoxha – shtetasi kosovar që vra tranvestitin “Kristina” (Petrit Muça)
Vehbi Alioglu – turku u akuzuar kohët e fundit për tregti të lëndëve narkotike
Agim Llupo – gardisti që dyshohet për vrasjen e një protestuesi më 21 janar 2011
Luan Dervishi – atentator, personi që vuri bombën në një TV, në Sauk, për të vrarë shtetasin Xhevdet Xhabrahimi
Aishe Pojana – gruaja nga Baldushku që vrau bashkëshortin dhe më pas e fshehu për disa kohë kufomën
Gjergj Ndreca – i akuzuar për fyerje dhe goditje për shkak të detyrës ndaj deputetit të maxhorancës, Ilir Rusmajli. Për fyerje ndaj ministrit të Financave, Ridvan Bode. Dhunë ndaj avokatit Agim Tirana.
Tri femra rreth Gushit
Edhe pse është aluduar se Viktor Gushi i urrente gratë dhe arriti të bënte gjithë krimet që i ka pranuar, për shkak të problemeve të së kaluarës me ish-bashkëshorten, duket se ai do të “përndiqet” gjithnjë nga femrat. Si për ironi të fatit, prokurori i çështjes, gjykatësi që dha masën e arrestit dhe avokati i tij, janë… femra. Konkretisht, Lindita Ziguri, Fida Osmani dhe Vjollca Pustina. Do apo nuk do Gushi, këto janë “të afërmit” e vetëm që i kanë mbetur, pas braktisjes së familjes. Më saktë, femrat e vetme!