Rajoni po kalon një periudhë të tejkalimit të pasojave të luftës në ish-Jugosllavi, e cila nuk ka sjellë, ashtu siç pritej, nivelin e pritur të bashkëpunimit dhe të afrimit mes vendeve ballkanike. Si e shihni ecurinë e afrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor me Evropën e Bashkuar?
Ka një rritje të ngadaltë të kuptimit se integrimi europian është një mënyrë për të trajtuar problemet rajonale, si dhe ato të brendshme. Por, përkushtimi për integrimin europian është ende disi i dobët, ndaj dhe i gjithë rajoni mund të konsiderohet në fazën fillestare të integrimit europian. Ndoshta, pranimi i Kroacisë për dy vjet, do ta shpejtojë procesin për vendet e tjera.
Sa i besueshëm është ky rajon sot për Bashkimin Europian nga pikëpamja ekonomike?
Në tregti dhe investime, si dhe në forma të ndryshme të asistencës, duke përfshirë transferua nga buxheti i bashkimit Europian, ky i fundit mbetet partneri kryesor i vendeve të rajonit. Është gjithashtu destinacion kryesor për emigrimin jashtë Ballkanit. Dhe së fundmi, është i rëndësishëm si ofrues dhe vend ankorimi për stabilitetin dhe zhvillimin institucional.
Kosova po kërkon të afirmohet si një shtet i ri në Ballkan, me gjithë procesin e ngadaltë të njohjeve nga ana e shteteve të tjera dhe rolit pengues të Serbisë në këtë drejtim. Si e shihni të ardhmen e shtetit kosovar, në këtë perspektivë?
Procese të tilla priren të jenë të ngadalta. Besoj se procesi i njohjes do të përparojë bashkë me zhvillimin demokratik dhe me procesin e integrimit në BE. Një shtet i ri mban kurdoherë barrën e provës sa i takon stabilitetit të brendshëm dhe një sjelljeje të përgjegjshme ndërkombëtare. Kështu do të jetë edhe për Kosovën.
Maqedonia dhe Shqipëria zhvilluan zgjedhje në javët e fundit. Sa dhe si i keni përcjellë këto dy evenimente?
Të dyja këto zgjedhje u zhvilluan pa shumë probleme dhe ankesa, çka do të përforcojë legjitimitetin e sistemeve politike.
Është komentuar në më shumë se një rast se kriza greke ka krijuar një efekt domino në mbarë rajonin. A mund të nënvizoni disa prej implikimeve kryesore në rastin e Shqipërisë?
Deri më sot, efektet janë izoluar. Problemet e vërteta mund të gjenden në të ardhmen nëse Greqia vazhdon të ketë rritje negative ose të dobët. Diçka e tillë mund të ketë pasoja për bankat greke dhe punësimin në këtë vend. Kjo do të kishte një impakt negativ mbi Shqipërinë përmes aktivitetit të ulët kreditues të bankave greke dhe si rrjedhojë e rënies së remitancave nga punësimi i emigrantëve. Nëse Greqia shpall moratorium në shërbimin e borxhit të saj të jashtëm, kjo do të kishte pasoja serioze për sistemin e saj bankar, dhe si rrjedhojë, për sistemin bankar shqiptar në masën që ai varet nga sistemi grek.
Sipas FMN-së, Shqipëria e ka ngadalësuar ndjeshëm ritmin e rritjes ekonomike dhe të mbledhjes së të ardhurave në buxhet. Ndërsa Fondi kërkon rritje të taksave dhe ulje të shpenzimeve, qeveria shqiptare nuk duket shumë entuziaste ndaj këtij propozimi. Cili është opinioni juaj mbi këto zhvillime në ekonominë shqiptare?
Mbledhja e të ardhurave publike duhet të përmirësohet. Problemi qëndron më shume te mbledhja e ulët e të ardhurave nga taksat se nga shpenzimet e larta publike. Qartazi, nëse përpjekjet për mbledhje më të mirë të taksave dështojnë, shpenzimet do të duhet të shkurtohen.
Diskutimi për borxhin grek ka qenë vazhdimisht në krye të lajmeve ndërkombëtare që nga fillimi i këtij viti. Ndërkaq, qasja publike ndaj kësaj situate nuk ka qenë e unifikuar. Sipas përvojës suaj, cila do të ishte rruga më e menduar për një menaxhim të qëndrueshëm të situatës në Greqi?
Publiku grek priret të mos paguajë borxhet e akumuluara, ndërsa qeveria greke rreket të shmangë një moratorium, domethënë, falimentin e hapur. BE-ja, nga ana tjetër, kërkon të evitojë humbje të mëdha e të menjëhershme për bankat franceze dhe gjermane, apo në fund, edhe të Bankës Qendrore Europiane. Siç e shoh unë, strategjia është që këto humbje t’u shpërndahen gradualisht taksapaguesve grekë, atyre europianë dhe kreditorëve. Borxhet është shumë vështirë të paguhen plotësisht, por ka një frikë se ristrukturimi i plotë e i menjëhershëm i këtyre borxheve mund të ketë pasoja që shkojnë shumë përtej Greqisë. Ndaj dhe lipset një qasje graduale, sepse rreziku është procesi të mos rezultojë i qëndrueshëm dhe atëherë, kostot e falimentit eventual do të ishin edhe më të mëdha nga sa druhej fillimisht. Është një bixhoz me baste të larta.
Kush është Vladimir Gligorov?
Vladimir Glogorov (lindur në 1945-n) është një ekonomist i njohur dhe një prej themeluesve të Partisë Demokratike në Serbi në dhjetor të 1989-s. Ai është i biri i Presidentit të parë maqedonas të zgjedhur në mënyrë demokratike: Kiro Gligorov. Aktualisht ai mban pozicionin e Kërkuesit në Institutin e Vjenës për Studime Ndërkombëtare Ekonomike, si dhe jep mësim në këtë institucion.
Më parë ka punuar me Columbia University, Universitetin e Beogradit, Institutin e Shkencave Ekonomike në Beograd, George Mason University dhe Uppsala University. Ndër botimet e tij mund të veçohen: “Mbetjet: ese për avantazhet e lirisë”; “Përse ndahen vendet: rasti i Jugosllavisë”; “Neoklasicizmi në Ballkan: punime mbi ekonominë ballkanike”; “Shkaqet, të drejtat dhe zgjedhjet”