Kanë kaluar 11 ditë nga fillimi i stërvitjes për ekipin e Vllaznisë dhe ai ende nuk është plotësuar me lojtarët e duhur. Drejtuesit e klubit, në bashkëpunim me stafin teknik, po hasin shumë vështirësi në gjetjen e lojtarëve cilësorë. Disa nga futbollistët, të cilët janë kontaktuar prej tyre, nuk kanë pranuar të vijnë në Shkodër, ndërsa të tjerë kanë shfaqur pretendime të larta financiare.
Por, ndërkohë, mësohet se nuk kanë munguar as ofertat në adresë të ndonjë futbollisti shkodran që luan në ekipet e tjera të kampionatit shqiptar. Ndonëse ata kanë disa muaj pa marrë rrogat në klubet ku bëjnë pjesë, kanë preferuar më mirë të qëndrojnë sërish aty sesa të vijnë te Vllaznia. Në këto rrethana, po shihen të gjitha variantet e tjera, përfshi edhe futbollistë të huaj, por trajneri Cungu e ka bërë të qartë se pa provë nuk merr askënd.
Për këtë arsye, në ditët në vijim pritet të vijnë për provë disa të huaj, por ende nuk ka asnjë garanci nëse ata do të qëndrojnë apo jo, sepse shpeshherë kanë rezultuar të pavlefshëm. Skuadra shkodrane aktualisht ka bërë vetëm dy përforcime, Olsi Gocajn dhe Brunild Pepën. Përpos ardhjes së këtyre dy lojtarëve, sërish skuadra është e paplotësuar dhe kjo ka krijuar jo pak vështirësi për stafin teknik, sepse përbërja që kanë në dispozicion është e pamjaftueshme për të përballuar sezonin e ri.
Ende nuk dihet se ku do të gjenden lojtarët e duhur. Po kërkohen përforcime në çdo repart, duke nisur nga porta, për të vazhduar me mbrojtjen, mesfush- ën dhe sulmin. Me kontingjentin e lojtarëve që ka në dispozicion aktualisht Vllaznia, natyrisht që nuk mund të shkojë larg, pasi kampionati i ardhshëm pritet të jetë edhe më i vështirë. Për këtë arsye, duhet tentuar deri në fund gjetja e futbollistëve të tjerë.