Trajneri i Vllaznisë, Armando Cungu, pas ndeshjes pohoi se dëmtimi i Kapaklijës i prishi balancat në fushë dhe për këtë arsye erdhi edhe humbja, pasi nuk kishte alternativa të tjera. "Vllaznia ka pasur shumë mungesa si zakonisht. Vinim me 5 mungesa si Cicmil, Krymi dhe Bardulla. Çinari dhe Sefa nuk janë stërvitur rregullisht me grupin. Për këtë u mundova të ndërtoja një ekip tjetër sidomos në mesfushë. Ekipi luajti mirë deri në momentin që doli Kapaklija dhe nuk i dhamë mundësi kundërshtarit për të rrezikuar.
Madje, rastin më të mirë e kishim ne. U prishën balancat në momentin e daljes së Kapaklisë dhe futa Stefën. Nuk kisha alternativa të tjera vetëm të futesha vetë. Na ra balanca dhe ritmi. Nuk markonim dhe mbyllnim si duhet, mjafton të shihni vetëm golin e parë krejtësisht të lirë.
Mbijetesa? Do të jetë shumë e vështirë. Edhe kur kemi qenë 8 pikë përpara kam thënë të njëjtat fjalë. Kampionati është i vështirë, por Vllaznia luan në fushën e lojës, luan pastër.
Nuk presim dhuratë nga askush, unë flas vetëm për ekipin tim dhe jo se çfarë bëjnë të tjerët. Jam munduar të mbaj të karikuar djemtë. Gabimin e kemi bërë në fushën tonë me Teutën, ndërsa tani do mundohemi të marrim sa më shumë pikë, kryesisht në shtëpi", u shpreh trajneri Cungu pas ndeshjes