Vllaznia do të zhvillojë sot pasdite miqësoren e parë në kuadër të përgatitjeve për sezonin e ri. Kuqeblutë do të udhëtojnë drejt Tuzit për t'u ndeshur me skuadrën vendase Deçiç. Kjo miqësore do të jetë prova gjenerale për të gjithë lojtarët e sapoardhur.
Vllaznia do të zhvillojë ndeshjen e parë miqësore dhe lojtarët që kanë ardhur për provë pritet të jenë në formacion ndaj Deçiç. Bashkë me portierin maqedonas Bozhinovski dhe mesfushorin kroat Filipoviç, në këtë miqësore do të testohet edhe portieri malazez Agoviç, i cili po stërvitet prej disa ditësh në Shkodër. Përshtypjet e para janë pozitive, megjithatë stafi ka vendosur që ta mbikëqyrë sërish.
Me sa duket, pas kësaj miqësoreje trajneri Armando Cungu mund të ketë një ide edhe më të qartë për lojtarët që ka aktualisht në provë. Por në këtë miqësore do të shikohet nga afër edhe gjendja e pjesës tjetër të ekipit që konsiderohet si pjesë e Vllaznisë së sezonit të ri. Kjo pritet të jetë vetëm miqësorja e parë e kuqebluve, pasi të tjera ndeshje kontrolli do të kryejë skuadra e trajnerit Cungu, gjatë ditëve në vijim, si dhe gjatë fazës përgatitore që do ta zhvillojnë në Berane të Malit të Zi.
Lojtarët për provë
Tre janë lojtarët që do të testohen në miqësoren e sotme. Portieri malazez Jasmine Agoviç ka disa ditë që është në provë te Vllaznia dhe drejtuesit endet nuk e kanë dhënë fjalën e tyre. Dy lojtarët e tjerë që do të shikohen sot janë, Daniel Bozhinovski dhe Romeo Filipoviç. Portieri maqedonas pretendon të bindë stafin e kuqebluve për të qenë pjesë e Vllaznisë. Mesfushori kroat, Romeo Filipoviç, ka ardhur për provë së fundi te shkodranët.
Ai ka një përvojë të gjatë teksa ka luajtur futboll në disa vende të botës dhe tashmë po sheh mundësinë për të vijuar karrierën në Shqipëri. Filipoviç është 30 vjeç dhe luan si mesfushor shkatërrues, një pozicion që në fakt mbulohet mjaft mirë nga futbollisti shkodran, Ardit Krymi. Që kroati të mbetet pjesë e Vllaznisë duhet që të jetë më lart se Krymi, një nga të rinjtë më të mirë të shkodranëve në sezonin e fundit.