Vllaznia kërkon të mos dalë duar bosh nga kryeqyteti. Marrja e një barazimi minimalisht do t'u jepte qetësinë matematikore shkodranëve për mbijetesën, në të kundërt situata do të komplikohej ndjeshëm, kur dihet se sa e ngjeshur është gara për fundin e tabelës.
Përballë Tiranës, e cila zyrtarisht ka dalë nga gara për Europën, ky mision duket i mundshëm. Megjithatë, në Shkodër nuk janë fort të qetë.
Gjatë seancës së djeshme, e cila u zhvillua në orën 10:00, kanë munguar Shtubina dhe Bardulla, ndërsa Pjeshka me Markun, edhe pse me probleme, janë stërvitur pjesërisht (i pari ka kryer vrapime veçmas grupit, ndërsa i dyti ka zhvilluar vetëm gjysmën e seancës).
Nëse për të tjerët shanset e rikuperimit ekzistojnë deri në fundjavë, ai që mban në "ankth" stafin teknik është kapiteni.
Mesfushori "polivalent" u largua i dëmtuar nga fusha në ndeshjen ndaj Tërbunit dhe për këtë arsye ende nuk dihet nëse do të jetë në gjendje për të luajtur. Pritet që vetëm sot të ketë diçka konkrete për gjendjen e tij, paçka se shanset që t'ia dalë janë minimale.
Por, Vllaznia është e dënuar që të sfidojë edhe kontingjentin e limituar në "Selman Stërmasi". Superiorja është në rrezik, ndaj ky 90- minutësh vendos jo pak.
Vizitorët - Vllaznia ka pasur disa vizitorë specialë dje paradite. Seanca është ndjekur nga kursantët që presin të pajisen me licencën UEFA Pro.
Drejtuesit e FSHFsë kanë zgjedhur pikërisht Shkodrën dhe Armando Cungun për këtë etapë të licencimit. Nga sa është parë, ekipi nuk ka qenë tërësisht i fokusuar në fushë, megjithatë ka menduar Cungu që t'u tërheqë vëmendjen të tijve. Ai u kërkuar përqendrim maksimal te Tirana, ndeshje që vendos fatet e këtij sezoni.
ADMIR URUÇI