Vllaznia ka fituar 2-1 miqësoren e parë të kësaj faze përgatitore ndaj Deçiç të Malit të Zi. Megjithatë, të besuarit e trajnerit Cungu nuk kanë bindur me lojën e zhvilluar. Pjesa e parë e takimit nuk ka qenë e mirë për Vllazninë, pavarësisht se trajneri kishte hedhur në fushë thuajse të gjithë lojtarët që kishin ardhur për provë. Me përjashtim të portierit maqedonas, i cili ishte larguar që dje paradite nga stafi shkodran, të katër lojtarët e tjerë kanë qenë pjesë e formacionit të parë.
Ndeshja
Një pjesë e parë ku shkodranët u mundën minimalisht 1-0. Përveç rezultatit, malazezët kanë dominuar edhe në lojë. Goli për ta është shënuar nga Gjuranoviç në minutën e 31-të pas një goditje të saktë me kokë nga fare pranë portës, pas një harkimi nga këndi. Ndërsa, duhet theksuar se në këtë pjesë kanë munguar gjuajtjet në portat respektive.
Ndërsa në pjesën e dytë, ekipet kanë bërë zëvendësime të shumta. Që me fillimin e saj në minutën e 53-të, kuqeblutë barazojnë shifrat me anë të Shtubinës që tregohet i saktë nga pika e bardhë. Megjithatë, lëvizjet e shumta në formacionet respektive, skuadrat kanë bërë që ritmi i lojës të mos jetë ai i pjesës së parë. Përveç golit nuk kanë munguar as gjuajtjet e rrezikshme nga distanca të Shtubinës, Pepës, Dibrës e Tafilit. Dhe, ka qenë ky i fundit që në minutën e 85-të ka shënuar edhe golin e dytë për kuqeblutë. Ndërsa Dyca disa minuta më parë kishte pasur një mundësi të mirë shënimi.
Largimet
Takimi i djeshëm ka vlejtur më shumë për lojtarët e ardhur për provë. Nga pesë të tillë, tre prej tyre janë larguar menjëherë. I pari që është larguar që në mëngjesin e djeshme ka qenë portieri i ardhur nga Maqedonia. Ndërsa dy lojtarët e tjerë që nuk kaluan testin e teknikut Cungu kanë qenë kroati i mesfush- ës Filipoviç e po ashtu edhe rusi Kayumov. Ndërsa një përshtypje pozitive tekniku ka dhënë për dyshen Agoviç e Rakiç. Ky i fundit do të vijojë të jetë pjesë e ekipit edhe për disa ditë. Ndërsa me shumë gjasa portieri Jasmin Agoviç do të jetë afrimi më i ri në ekip.
Cungu: Më bindën vetëm dy lojtarë
Pas takimit të djeshëm, trajneri i Vllaznisë, Armando Cungu është shprehur i rezervuar për paraqitjen e ekipit, ndërsa më tepër ky takim sipas tij ka vlejtur për lojtarët e ardhur për provë. "Jemi në fillimet e përgatitjeve dhe kemi shumë punë për të bërë. Pavarësisht rezultatit, për ne ky takim mendoj se kishte më shumë vlera për lojtarët që ishin për provë. Mund të them se dy prej tyre nuk mund të vazhdojnë më, ndërsa përshtypje pozitive kanë bërë portieri e serbi i sulmit Rakiç. Megjithatë, kjo duhet parë sërish. Do të luajmë edhe takime të tjera miqësore dhe do të shohim formën e gjithsecilit", ka thënë tekniku i kuqebluve, Armando Cungu.
ADMIR URUÇI