Deri më tani ose se ashtu jemi mësuar, ose se nuk kemi pasur nevojë, jemi mjaftuar vetëm me imazhin ideal të patriotëve tanë, të cilët të tërë në një mendje, “si një trup i vetëm” arritën ëndrrën pesëshekullore. Mbase kishim të drejtë, mbase këtë përfytyrim duhet të ruajmë deri në fund. Porse mbase duhet të na bëjë kurioz edhe një anë tjetër. Si ishin këta njerëz? Çfarë kalonte në kryet e bashkëpatriotëve tanë asokohe? Cilat ishin inatet e tyre të fshehta? Në fund të fundit si ishin qytetet tona? Si ecej, si hahej, si visheshin njerëzit. Për të na e plotësuar disi këtë anë na shërbejnë dëshmitë e këtyre dëshmitarëve të famshëm.
Eqrem bej Vlora 1912
“…Me t’u kthyer nga Kuçi, unë shkova në shtëpinë e tim kushëriri, Xhemilit, për të takuar kryetarin e qeverisë së përkohshme. Shtëpia ishte kopje e zvogëluar e haremllëkut dhe kishte jo katër, por tri kate. Përmes derës ndërmjetëse hyra në sallën e katit përdhes, ku ishin shkallët e mëdha. Oborri, sallat poshtë e lart, shkallët ishin të mbushura plot nga njerëz me fytyra, sjellje dhe veshje që nuk i kisha parë kurrë në Vlorë. Të gjithë bisedonin me zë të lartë dhe kur mërziteshin në një vend, lëviznin lirshëm dhe pa teklif, sikur të qenë në shtëpinë e tyre.
Në katin e sipërm ishte një sallon i madh, i pajisur me mobilie të bukura të stilit bidermajer, dera e të cilit ishte krejt e hapur. Përpara saj njerëzit ngjisheshin e shtyheshin, për të dëgjuar se ç’thuhej atje brenda. Unë ndalova për disa çaste për të përshëndetur një mori të njohurish dhe pasta hyra në sallon. Ismail beu po rrinte në një divan me një pamje të ligështuar sa mua m’u dhimbs. Kisha tre vjet pa e parë dhe tani m’u duk shumë më i plakur dhe më i drobitur. Ai vuante në këtë mjedis të ri dhe të huaj për të. Për vite me radhë, Ismail beu kishte qenë nëpunës i lartë i administratës turke dhe vali, poste këto ku largësia midisi të lartit dhe të ulëtit mbahej vetiu. Këtu ai kishte rënë në një kaos kontrastesh shoqërore të cilave nuk po ua gjente dot anën.
Unë iu afrova (ai po rrinte në buzë të divanit), i putha dorën me nderim dhe u ula pranë tij. Të paktën divanin, njerëzit, që mbushnin dhomën kishin pasur mirësinë t’ia linin. Ai më bëri pyetjet e zakonshme: si ia çoja, ku ishte im atë, a kisha hequr keq në Kuç me këtë mot të keq e kështu me radhë. Pastaj unë u ngrita për të ikur, por ai më mbajti dhe më pyeti me zë të ulët: ‘Dua të të bëj një vizitë. Është edhe te ti si këtu?’. Unë iu përgjigja se po të donte të vinte tek unë do të vija vetë e ta merrja. ‘Jo – tha ai – Xhemili më ka thënë se dera e ndërmjetme është ende. Unë vij vetë!’…
Po përse të shkaktohej gjithë kjo rrëmujë e kjo gjurulldi në një shtëpi private mund të pyesë ndokush. Nga koha atërore dhe stërgjyshore Ismail beu kishte mësuar se banesa e sanxhakbeut ipso facto ishte edhe seli qeveritare. Ndaj edhe selamllëku selamllëku i shtëpive të bejlerëve quhet në shqip zapana (nga turko-arabishtja zapt-hane, vendi prej nga ruhet rregulli dhe disiplina). Kështu që edhe Ismail Qemalit nuk i pëlqente të rrinte në bashki dhe njerëzit, që me punë a pa punë, duhej të takonin kryetarin e shtetit, vinin truma-truma në banesën e tij private”.
(Cituar sipas Eqrem bej Vlora, Kujtime, Vëllimi II, përktheu Afrim Koçi, SHLK, Tiranë 2001).
Baronesha Godin 1912
“…Këto vështirësi do të kishin penguar çdo prijës shqiptar për të njëjtën punë, por për Syrja bej Vlorën dhe Eqrem bej Vlorën kishte edhe vështirësi të tjera të lidhura me personin e tyre. Si Syrja bej Vlorës, ashtu edhe Eqrem bej Vlorës, sigurisht që nuk u mungonte talenti i jashtëzakonshëm, aq më pak mund të ketë njeri në Shqipëri që të kundërshtojë faktin se Eqrem beu qysh në rininë e tij më të hershme ka punuar vetëm për Shqipërinë, dhe madje gjithmonë konsekuent në atë që ai shpëtimin e Shqipërisë e shihte në mbështetjen tek Austria. Por si babai, ashtu edhe djali nuk kishin qenë në Vlorë që prej katërmbëdhjetë vjetësh dhe i kishin humbur lidhjet e drejtpërdrejta, pothuajse kontaktin me njerëzit më të suksesshëm në vend.
Përveç kësaj që prej shpalljes së të drejtës së votës Syrja beu kishte dalë si kandidat në zgjedhje gjithnjë si kundërshtar i kushëririt të tij Ismail Qemal bej Vlorës, e për rrjedhojë familja e tij, i tërë qyteti dhe periferia, u nda në dy parti kundërshtare shumë të ashpra, sidomos që kur Syrja beu vitin e kaluar doli si kandidat qeveritar, e fitoi betejën zgjedhore me ndihmën e qeverisë, nga kjo mori mbi vete urrejtjen e partisë kundërshtare. Kjo urrejtje ishte e papërligjur përderisa vetë Syrja beu, duke qenë se këto mjete ishin të njëjta për të gjithë Shqipërinë, në të vërtetë nuk mund të bëhej përgjegjës për manipulimet e veçanta zgjedhore dhe, nga ana tjetër, interesat e vërteta të Shqipërisë nuk do të kishin mundur të mbroheshin në parlamentin turk me ngulm dhe në mënyrë më të sinqertë sesa me anë të Syrja beut, por ai prapëseprapë nuk këmbënguli.
Një vështirësi tjetër, e cila ishte vetëm për Vlorën, qëndronte pastaj në vetitë e karakterit dhe në mendësinë krejt të veçantë të vlonjatëve. Si banorë të një qyteti-skelë me lëvizje shumë të gjallë dhe të shumëllojshme, dhe pak a shumë me mundësi të lehta fitimi, sidomos kur je i gatshëm për ta braktisur paksa rrugën e drejtë, disa prej tyre, si në asnjë qytet tjetër të vendit, kishin arritur të bëheshin kurora e atij rrethi shpifësish, intrigantësh dhe parazitësh, të cilët i kam përcaktuar si klasa e dytë e popullit shqiptar. Njerëz që vetë nuk e kanë idenë e mospërfitimit, natyrisht nuk mund ta njohin këtë ide te të tjerët. Prandaj një pjesë e vlonjatëve ishte e bindur se me planin e tyre të dy Vlorajt kishin ndërmend vetëm përfitimin vetjak. Si shfajësim i trishtuar për këtë mosbesim këtyre kundërshtarëve u shërbente natyrisht rrethana që ata ishin mësuar që manovrat politike të Ismail Qemalit t’i shfrytëzonin gjithnjë për veten e tyre. Aq më tepër që mosbesimi ndaj çdo ndikimi dhe çdo pushteti është përgjithësisht tipike për shqiptarin…”.
(Cituar sipas: Marie Amelie Freiin von Godin, Nga Shqipëria e re, përktheu Elda Gjana-Boriçi dhe Afrim Koçi, Koçi, Tiranë 2007).
Gazetari francez 1914
“… Anija kalon në ngushticën mes Sazanit dhe Karaburunit, pika jugore dhe malore e gjirit ku anija hedh spirancën.
Rada është e mrekullueshme, ndërsa gjiri i gjerë, me një ngjyrë blu të thellë, hapet mbi një sfond malesh të blerta, të veshur me një ngjyrë gri të hirtë nga pemët e ullinjve. Atje tej, në të djathtë, mes kodrave, fshati i Kaninës tregon shtëpitë e tij të vjetra, që duken si rrënoja romake mes pemëve të mbjella nga venedikasit. Në të majtë, toka e sheshtë mezi duket nga dallgët dhe syri sheh ku marrin fund kallamat e bregut dhe ku fillojnë ullinjtë dhe vidhat mes të cilave është e zhytur Vlora. Qyteti mezi shihet, nga larg duken vetëm majat e bardha të minareve që dalin nga tufat e pemëve, ndërsa në port duken ndërtesat e doganës që presin udhëtarët.
Ky rreth gjelbërimi mbështjell gjithë gjirin e qetë. Ishulli që mbyll radën thyen fuqinë e dallgëve, kodrat ndalojnë erërat e jugut dhe puhinë e lindjes, uji i qetë pasqyron në thellësi të gjirit siluetën e majave që e mbrojnë.
Anija përkundet e kapur nga spirancat rreth pesëqind metra larg tokës moçalore. Varkat mbërrijnë nga skela dhe nguten drejt anëve të saj. Njëra sjell zëvendëskonsullin e Italisë i cili ka me vete lajme, ndërsa një tjetër një punonjës të ambasadës austriake. Diku më tutje, anije me vela të tonazhit të lartë janë ngarkuar me fuçi dhe me lëkura, pa dyshim vaj ulliri dhe lëkura dhish, dy prodhimet që eksporton vendi. Lundërtarët, me këmbënguljen e tyre, bezdisin udhëtarët në bord. Më në fund, ja ku më zbritën në një barkë të madhe. Varkëtari e largon atë me rremat e tij nga anija dhe duke qëndruar në këmbë, e drejton duke u mbajtur vetë në anët e saj të larta.
…Mbërritëm në një port rudimentar, më mirë me thënë në një skelë, siç e quajnë vendasit, të ndërtuar nga një shoqëri që merret me nxjerrjen e bitumit. Disa pemë fshehin rrënojat goxha të mëdha të një kështjelle venedikase, pastaj, një rrugë plot pluhur të çon nga dogana drejt një qyteti pa bukuri dhe pa hijeshi. Tregu nuk tërheq dhe tezgat janë të mjera. Sheshi kryesor është fare i rëndomtë, ashtu si xhamitë përqark. Uji i rrjedhshëm mungon, kostumet popullore janë zhdukur dhe shtëpitë nuk paraqesin asnjë interes. Ndryshojnë shumë nga kullat e Gjakovës dhe Pejës, kështjella të vërteta feudale të bejlerëve shqiptarë të veriut. Kopshtet e thara nuk e kanë atë jetë që u jep uji i rrjedhshëm i rrëkeve të Tiranës apo Pejës misterioze…”.
(Cituar sipas: Gabriel Louis-Jaray, Në mbretërinë e re të Shqipërisë, përktheu Taulant Hatia, ASD-Studio, Tiranë 2006).