Vlora ftese per emocione verore

Vlora, ftesë për emocione verore
Vlora tashme eshte "zgjuar". Ka dale nga "dremitja" dimerore dhe ka shpalosur te gjitha ngjyrat dhe energjine qe e kthejne ate ne simbolin e vertete te turizmit shqiptar te viteve te fundit e qe per rrjedhoje, tashme eshte bere zakon te quhet "Mbreteresha e Turizmit Shqiptar". Aty mund te gjesh gjithçka, thone banoret e saj, te cilet krenare per qytetin te cilit i perkasin, edhe kete vit do te presin turistet e shumte. E ne fakt, detrat i japin veçantine Vlores, sepse eshte pikerisht vendi ku Adriatiku ranor dhe Joni shkembor "perqafohen". Plazhet dhe uji i kristalte joshin pushuesit qe çdo vit "zaptojne" hapesirat e tij, qofte ne rere, ne zhavorr apo ne shkemb. Nese thua Vlore, patjeter qe nuk ndalesh vetem ne zonen e Ujit te Ftohte, qe eshte edhe nje nga pjeset me te frekuentuara te saj. Per kedo qe kerkon te shijoje diellin dhe detin, e t'i jape lekures nje ngjyre te veçante, i duhet te vijoje edhe me poshte, pasi kenaqesia vijon ne Jonufer, Llogora, Dhermi, Jal, Llaman e me tej.

Por çfare ofron Vlora kete vit?

Sipas statistikave zyrtare, vetem ne qytetin e Vlores numerohen rreth 38 njesi hoteliere me rreth 1600 shtreter. Akomodimi me njesi hotelerike vijon edhe pergjate Jonufres, Radhimes, Orikumit, ku ndodhen edhe vileta karakteristike prej druri te komplekseve turistike. Por nje rol te rendesishem ne pritjen e fluksit te madh te turisteve qe "pushtojne" Vloren gjate sezonit veror luajne njesite familjare te akomodimit. Keto te fundit shtrihen ne pjesen me te madhe gjate bregdetit, por edhe ne qender te qytetit. Kushtet e akomodimit ne pergjithesi jane te mira. Statistikat tregojne se per qytetin e Vlores çmimet e hoteleve variojne nga 800 - 3 000 leke per person. Keto çmime luhaten edhe ne varesi te kushteve te hotelit, si dhe te numrit te krevateve ne nje dhome.

Gjithashtu nje rendesi te madhe ka afersia e hotelit me bregun e detit. Çmimet me te uleta ne pergjithesi i kane hotelet qe ndodhen me ne qender te qytetit, teksa hotelet qe vijojne nga bregu i detit prane zones se Skeles e me poshte jane me çmime me te larta, por gjithsesi te perballueshme. Rezervimet e meparshme te pushuesve te cilet i rikthehen qytetit te Vlores edhe ne vitin pasardhes jane me çmime me te leverdisshme sesa ato te kryera ne pikun e sezonit veror, kur çmimet edhe rriten. Perveç hoteleve, jane edhe apartamentet e dhena me qira. Mesohet se ne nje mesatare te tyre, nje apartament ne zonen e Ujit te Ftohte ne Vlore per dy jave kushton rreth 40 000 leke te reja (gjithsesi kembengulesit mund te gjejne edhe me lire se kaq). Ne te perfshihen dy dhoma te mobiluara dhe nje ambient gatimi, i cili do te ishte i leverdisshem per familjet apo per nje grup shoqeror.

Por nderkohe, çmimet e hoteleve vijojne ne rritje ne zonat e Dhermiut dhe Himares, zona ku plazhet jane teper te preferuar dhe ku mesohet se çdo personi i duhet te paguaje nje shume prej 2500 - 3000 leke te reja per kalimin e nje nate. Çmimet jane te tilla kryesisht ne periudhen e gushtit, ku keto zona jane te mbipopulluara. Veshtiresi hasen ne gjetjen e çmimeve te uleta sidomos ne periudhen 15 korrik - 15 gusht, teksa vijon te keshillohet rezervimi i meparshem i vendeve per te fjetur.

Masa nga Bashkia

Me nje koordinim te Bashkise Vlore dhe njesive pritese kete sezon mesohet se çmimet e akomodimit jane ulur deri ne 20%, duke synuar qe kjo te jete nje "arme" me shume ne favor te faktit qe edhe kete sezon Vlora te mbetet qyteti me i preferuar shqiptar.

Lidhur me "abuzimet e mundshme" ne çmime, kushtet higjieno-sanitare, standardet e sherbimit, por edhe ndertimet pa leje mesohet se nga Bashkia e Vlores eshte ngritur nje Task Force ne te cilen perfshihen punonjes te Deges se Tatimeve, Drejtorise se Shendetit, Drejtorise se Turizmit, Drejtorise se Veterinarise, Policise Bashkiake, Inspektoratit Ndertimor ne koordinim edhe me Policine e Rendit. Kjo Taske Force ka per detyre te identifikoje dhe me pas te zgjidhe çdo problem te mundshem gjate gjithe sezonit turistik, sidomos ne kohen e fluksit te madh korrik-gusht.

Jeta e nates

Nje nga tiparet kryesore qe vitet e fundit eshte bere e rendesise se veçante per terheqjen e turisteve ne qytetin bregdetar eshte pikerisht ajo qe quhet "jeta e nates". Vlora tashme ofron mundesi mjaft te mira per te apasionuarit e shumte te saj. Disko-klube tipike bregdetare (shpesh ne tipin Ibiza - Spanje apo Myconos-Greqi) ngjyrosin netet vlonjate me ritmet e tendencave me te fundit muzikore. Neper qytet sheh kudo reklamat me te cilat keto lokale lajmerojne eventet e radhes e ku shpesh ke mundesine te shohesh drejtperdrejt dixhej (DJ) te famshem qe me pare jane degjuar ne radio apo admiruar ne televizion. Shumica e ketyre disko-klubeve ndodhen pergjate vijes bregdetare, teksa me fillimin e sezonit veror, nuk eshte e rralle qe jashte tyre te shikosh edhe radhen e te rinjve qe presin te jene pjese e festes. Hyrja ne to, ashtu si dhe ne kryeqytet, mund te jete me rezervime apo me bileta, por edhe falas. Gjate vitit te kaluar qyteti i Vlores pati kufizime ne kete pjese te argetimit, nderkohe qe nje gje e tille nuk ndodhi ne zonen e Dhermiut, Himares apo Sarandes, ku diskot vijuan me muziken e tyre pergjate gjithe sezonit veror deri ne oret e para te mengjesit.

Argetimet

Lidhur me argetimet, pavaresisht se nuk ka nje kinema, qyteti i Vlores ofron teatrin e estraden, por edhe aktivitetet e shumta artistiko-kulturore e sportive te organizuara nga Bashkia e Vlores. Zakonisht keto aktivitete organizohen ne ambiente te hapura dhe pa pagese, ndersa pagesa per teatrin eshte rreth 200 leke per person.

Ushqimi

Por Vlora eshte gjithashtu nje nga qytetet ku ofrohet ushqim i cilesise se larte dhe shumellojshmeri zgjedhjeje. Kuzhina vlonjate ofron jo vetem gatimet tradicionale te mishit te "qengjit te pjekur ne hell", te "zogjve ne saç", "bretkosave te skares" dhe, mbi te gjitha, ushqimin e fresket te detit. Lokalet dhe restorantet buze detit, hotelet me nje pamje te mrekullueshme jane vetem nje nga ofertat e shumta te Vlores. Çmimet ne lokale e restorante mund te krahasohen me ato te kryeqytetit per nga shtrenjtesia, gjithsesi ato luhaten, ashtu si edhe hotelet, ne varesi te afersise dhe largesise nga qyteti dhe nga deti. Restorantet e shumta ne qytet dhe bregdet lene mundesi zgjedhjeje, si per kuzhinen, ashtu edhe çmimet. Ne zonen e Skeles ka te tille qe kuzhina tradicionale shqiptare ofrohet me çmime te arsyeshme.

Disa nga alternativat jane shijimi i ngjalave dhe peshkut ne Narte, gatimi i zogjve ne Panaja, mishi i pjekur ne hell ne Radhime, prodhimet e detit pergjate gjithe lokaleve te bregdetit ne zonen e Ujit te Ftohte dhe Triport.

Kuriozitete

- Vlora e hap sezonin veror te shtunen e dyte te muajit maj. Kjo eshte nje nga festat me te rendesishme dhe qe qyteti e perjeton me intensivisht (se bashku me ate te Pavaresise). Kete vit hapja e sezonit veror, e organizuar nga Drejtoria e Turizmit ne Bashkine e Vlores, u be me nje program aktivitetesh 5-ditore. Gjate kesaj periudhe nuk munguan ekspozitat e arteve figurative, koncertet muzikore per femije, konkurrime te parashutisteve, aktivitetet fitness, spektakli i cirkut, koncertet rock, parada motoristesh, festival folku, koncert i muzikes qytetare vlonjate etj.

- Me 30 tetor te vitit te kaluar, Vlora u nderua me çmimin nderkombetar per turizmin "Vlora, a jewel overlooking the Albanian Riviera" (Vlora, perla e rivieres shqiptare). Ky çmim iu dha kryebashkiakut Shpetim Gjika ne Lugano te Zvicres nga "SWISS TOURISM AWARDS 2009", duke e bere Bashkine e Vlores te vetmen bashki shqiptare qe nderohet me nje çmim te tille prestigjioz ne fushen e turizmit. Promovimi turistik pritet te vijoje intensivisht gjate gjithe sezonit me logo te reklamuara, materiale promovuese, shperndarje flete-volantesh promovues jo vetem ne bregdetin shqiptar, por edhe Kosove e Maqedoni.

-Nje nder ndertesat me te vjetra ne Vlore eshte xhamia e qytetit, prane qendres. Xhamia e Plumbit vleresohet si nje nga veprat me te rendesishme te arkitektures islame ne Shqiperi. Ajo i perket viteve '40 te shekullit XVI. Objekti i kultit eshte i vizitueshem si nga turiste te huaj, por edhe pushues shqiptare.

Parate

Qe te kalosh pushimet ne Vlore te duhet te besh disa llogari lidhur me sasine e parave qe duhet te marresh me vete. Keshtu, sipas disa perllogaritjeve te bera, nje turist ne qytetin bregdetar harxhon nje mesatare ditore prej 1600 - 3 000 lekesh te reja, ku perfshihet fjetja dhe ushqimi. Patjeter qe nje shifer e tille peson luhatje ne kohen kur gatuhet ne shtepi apo kur shkohet ne restorante.

Per shpenzimet e rruges, ne rastet e mospasjes se nje makine personale duhet marre parasysh qe per te shkuar ne vijen bregdetare e perkatesisht Dhermi, Himare dhe Sarande jane ne dispozicion vetem autobuset. Keshtu Vlore-Dhermi kushton 300 leke te reja, Vlore-Himare kushton 400 leke dhe Vlore - Sarande pergjate bregdetit kushton 800 leke.

Brenda qytetit te Vlores mund te levizet me linja urbane, bileta per te cilat kushton 30 leke. Me to mund te shkohet nga hyrja e qytetit deri ne Ujin e Ftohte, por me fillimin e sezonit kjo linje shkon deri ne zonen e Jonufrit, i cili eshte i keshillueshem per ujin e paster.

Nuk keshillohet levizja ne oret e pikut. Pavaresisht se kete vit eshte investuar ne shtrimin e disa rrugeve kryesore per te lehtesuar qarkullimin e automjeteve, serish aksi nga Skela per ne Ujin e Ftohte vijon te mbetet nje problem. Vitin e kaluar ne oret e pikut e pikerisht 10:00 - 12:00 paradite dhe 17:00 - 20:00 pasdite ne kete aks rrugor prej vetem pak kilometrash, mund te bllokoheshe deri ne dy ore.

Plazhi publik, i cili ndodhet ne Ujin e Ftohte eshte zakonisht i mbipopulluar. Te qendrosh ne çadrat e vendosura ne te eshte falas, nderkohe qe per çdo krevat duhet te paguash 100 leke te reja. I njejti çmim eshte edhe tek privatet. Nese zgjedh te besh nje xhiro me motor uji, atehere te duhet te besh ca llogari, pasi nje ore kushton afersisht 100 euro.

Plazhet ranore

Shtrirja bregdetare ne Vlore le mundesi zgjedhjeje per frekuentimin e plazheve. Ndersa nje dite vere mund te kalohet fare bukur nen kaltersine e ujerave te Ujit te Ftohte, plazhet tek Kalaja, Jonufer apo Radhime, per te tjere "fanatike" te bregut ranor, propozimi mund te jete jo vetem Plazhi Publik ne Uje te Ftohte, por edhe Plazhi i Vjeter apo prane Triportit. Rera ne keto plazhe terheq kryesisht kategori familjaresh. Rera dhe freskia e pemeve prekin vijen bregdetare deri ne Zvernec. Jane plazhe thuajse pa nderhyrje ne infrastrukture, nderkohe qe lokalet e ngritur ne kete zone sherbejne kryesisht ushqime me baze peshku.

Panorame Vlore nga lartesia

Jane disa pika nga te cilat mund te shohesh fare mire gjithe qytetin. Shume nga ata qe vijne per pushime ne qytetin bregdetar, nuk do te donin te humbnin nje vizite ne nje nga vendet me te njohura, kodren e Kuzum Babait. Aroma e Vlores duket se vjen e plote ne shtrirjen e saj nga qendra dhe periferia, perfshi ketu edhe peisazhin ujor. Per ne Kuzum Baba mund te ngjitesh nepermjet shkalleve, nga pjesa e perparme e kodres (jane rreth 120 shkalle per t'u ngjitur), si edhe nga pjesa e pasme e kodres, ku mund te perdoret edhe automjeti. Fare prane zones se gjelberuar, mbi Koder, gjendet edhe Teqeja e Kuzum Babait.

Panorame e plote e Vlores mund te shijohet edhe nga lokalet ne Kanine, sidomos kur pragmbremja vesh qytetin me ngjyra te veçanta. Ne kete zone nuk mungojne as gjurmet e lashtesise. Kalaja e Kanines daton nga shekulli III para Krishtit, interesante per t'u vizituar.

E nje tjeter pamje me te plote do te ofronte Shashica, e cila ndodhet vetem tre kilometra nga Kanina. Ne kete pike nuk ka lokale, por prej saj do te mund te shijohet panorama me e bukur e Vlores, pasi eshte edhe pika me e larte e saj. Nje piknik ne mbremje per te pare edhe perendimin e diellit, do te ishte zgjedhja me e perkryer ne ditet ne Vlore.

Si te kalosh nje dite ne Vlore

Vlora nuk ka pse te jete vetem zgjedhja per pushimet dyjavore. Edhe vetem nje fundjave mund te jete nje ide e mire per ta kaluar ne qytetin bregdetar dhe per ta shijuar ate ne maksimum. Ne nje udhetim me makine personale, gjithçka do te ishte me e lehte, por nese zgjedh transportin publik rruga nga Tirana ne Vlore me furgon do te kushtonte 600 leke, ndersa me autobus sa gjysma e kesaj shume.

Nje vend i keshilluar per ta filluar viziten ne kete qytet do te ishte Manastiri i Zvernecit. Largesia e tij nga qyteti eshte 15 minuta dhe me orientues se tabelat (te cilat edhe mund te mungojne) jane vete banoret, te cilet ne rast se i pyet, tregohen shume bashkepunues. Manastiri i Zvernecit ndodhet mbi nje ishull ne mes te Lagunes se Nartes. Pasi perfundon rruga automobilistike, automjetin me te cilin udheton, te duhet ta lesh prane fillimit te ures se drunjte, e cila eshte per kembesoret e me pas t'i drejtohesh manastirit "Fjetja e Hyjlindeses", siç eshte edhe e shkruar ne tabelen ku te keshillohet, nder te tjera, te kesh nje veshje te hijshme. Era e detit eshte shoqeruese ne kalimin e ures se gjate, ndersa bukuria e manastirit eshte thjesht magjepsese. Vizita ne te zakonisht eshte e shkurter e me pas mund t'i drejtohesh serish qytetit.

Nje kafe ne lokalet e shumta ne bregun e detit do te ishte ideale, por mund te zgjedhesh edhe te marresh me vete rrobat e banjes e te kridhesh ne det. Mundesite per kete jane te pafundme pasi bregdeti vijon per kilometra me radhe e mund te zgjedhesh qofte nje plazh me rere, por edhe ate shkembor. Nese makina personale mungon, eshte mire te mos ekzistoje asnje droje per te marre autobusin urban qe te çon ne Plazhin e Ri apo, e thene ndryshe, ne zonen e Ujit te Ftohte (per urbanin eshte mire te pyetet paraprakisht i ciles linje eshte, ne menyre qe te mos perfundohet ne ndonje vend tjeter). Kete vere sherbimi urban eshte deri ne Jonufer, me tej tunelit te mirenjohur te ketij qyteti, gjithsesi nese do te merrej nje furgon nga Vlora, do te kushtonte 100 leke. E pas plazhit, nje dreke do te ishte e kendshme. Mund te zgjedhesh gjithnje qe te marresh ushqim me vete, te hash ushqime te gatshme ose te ulesh ne nje restorant. Nje shume prej 2 500 lekesh per dy persona do te ishte nje mesatare e kenaqshme ne keto restorante.

Pasditja nuk shkon kot ne Vlore. Mund te zgjedhesh te vizitosh muzete. Ai i Pavaresise, i cili ndodhet edhe ne zonen e Skeles, prane Universitetit te Vlores eshte i hapur paradite dhe pasdite nga e hena ne te diel. Hyrja kushton vetem 100 leke dhe nje ciceron eshte gjithnje i gatshem per te treguar hapat qe çuan ne shpalljen e pavaresise, luften e bere para dhe pas vitit 1912 jo vetem ne qytetin bregdetar, por edhe ne gjithe vendin. E nese deshiron, nje keshille me e mire do te ishte te shihje perendimin e diellit nga Kanina, nje nga pikat me te larta te Vlores. "Dielli zhduket me sekonda" do te thoshte nje banor i zones per ta pershkruar me mire ndjesine, teksa qe nga maja e Kanines mund te shijosh jo vetem "zhytjen" e diellit ne Sazan, por edhe muzgun qe perzien ngjyren gri dhe roze duke i dhene natyres nje bukuri te rralle. I gjithe qyteti i Vlores ndodhet perballe teje.

Nje hotel ne zonen e Ujit te Ftohte, prane argetimit, mund te ishte nje ide e mire (udhetimi do te ishte akoma me mire te mos zhvillohej i vetem ne menyre qe edhe shpenzimet te ishin me te vogla). Por mund te zgjidhet edhe jeta e nates. Diskot jane plot. Ndodhen buze detit ose edhe brenda ne det. Mund te kercesh deri ne oret e para te mengjesit. Dhe nese mendon se diskot nuk jane ajo çka duhet, nuk jane te pakte restorantet qe ofrojne muzike popullore dhe nje ambient me familjar.

Zgjimi eshte me i bukur me nje kafe buze detit. Edhe nje kredhje e fundit ne uje para largimit, do te ishte nje ide shume e mire. E ne nje rikthim ne nje dite tjeter ne Vlore, por kete radhe me disa shoke me shume, nuk do te ishte nje zgjedhje per t'u qortuar...

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama