Për Dobin, Festivali Mesdhetar që organizohet prej disa vitesh në Vlorë përbën një eveniment të rëndësishëm, i cili lidhet drejtpërsëdrejti me sezonin turistik. Sipas programit të hartuar nga organizatorët, koncertet do të jepen në tri skena. Veç skenës qendrore përpara Pallatit të Sportit "Flamurtari", këtë vit do të ketë koncerte edhe në Sheshin historik të Flamurit, pranë Monumentit të Pavarësisë Kombëtare, si dhe në skenën e plazhit të ri. Një tjetër e veçantë e këtij viti janë dhe panairet etnografike, si dhe parada të kostumeve popullore të zonave nga do të jenë pjesëmarrësit.
Në datën 2 gusht do të organizohet edhe ceremonia e mbylljes së këtij evenimenti në qytetin e Vlorës, për të vijuar më pas në Tiranë. Gjatë ditëve të qëndrimit në qytetin e Vlorës, grupet artistike nga Mesdheu do të kenë mundësinë të vizitojnë qendrat muzeale dhe arkeologjike të qytetit, si dhe plazhet, gjë e cila është në një farë mënyre dhe promovim për pjesëmarrësit e shteteve të ndryshme mbi bukuritë natyrore të Vlorës dhe zonave përreth. Dobi shprehet se festivali financohet nga Bashkia e Vlorës me shumën 3.5 milionë lekë, por do të ketë edhe donacione të tjera më të vogla. Ndërsa për sa i përket financimit nga MTRKS, ajo nuk u është përgjigjur edhe këtë vit organizatorëve të festivalit, duke mos akorduar asnjë lek.
Nga : Gazeta Shqip