Ministri i Mjedisit, Lefter Koka zhvilloi sot një takim me përfaqësues të pushtetit vendor dhe banorë të qarkut Vlorë. Tema e takimit që u mbajt në Parkun Kombëtar të Llogorasë u fokusua tek dëmtimi i pyjeve nga zjarret, masat e reja që janë marrë për të parandaluar dhe mbrojtur pyjet nga zjarret.
Në fjalën e tij, ministri i Mjedisit theksoi se, përvec shumë faktorëve që dëmtojnë pyjet gjatë stinës së verës, problem janë zjarret e qëllimshme.
“Po bëjmë ndryshime në ligjin e pyjeve për të arritur një parandalim të zjarrvënies së qëllimshme. Do të ndalohet ushtrimi i çdo lloj aktiviteti në sipërfaqet e djegura për një periudhë 5-vjecare dhe do të ndalohet ndryshimi i destinacionit të sipërfaqeve të djegura për një periudhë 10-vjeçare”.
Më tej, ministri Koka u bëri apel banorëve të komunave që të ndërgjegjësohen dhe të mos vënë interesin personal mbi interesin kombëtar.
“Nuk kemi përse të bëjmë luftë me mullinjtë e erës, duke djegur 300 ha e më pas të rikthehemi për të mbjellë 300 ha. Pyjet janë një pasuri e vyer dhe duhen ruajtur. Për këtë arsye, ato janë pjesë kryesore e investimeve dhe punës sonë", tha Koka.
Ministri theksoi gjithashtu se “nuk ka turizëm pa pyje, me kodra dhe male të zhveshura, nuk ka turizëm pa mjedis të pastër. Ndaj unë besoj se të gjithë bashkë mund të ruajmë vlerat e kësaj natyre. Vlora i ka këto vlera dhe i meriton ato, ndaj duhet të bëjmë cmos që të ruajmë cdo metër katror pyll”, shtoi ai.
Shqetësimi për zjarrvënie të qëllimshme apo ruajtje të pyjeve nga zjarret gjatë stinës së nxehtë u shpreh edhe nga banorë të pranishëm në takim, të cilët kërkuan ashpërsimin e ligjit.
Ministri Koka e vuri theksin në rëndësinë e bashkëpunimit mes të gjitha hallkave të pushtetit vendor dhe qendror për të ruajtur një pasuri të madhe, siç janë pyjet.
Për bashkëpunim u shprehën edhe Prefektja e Qarkut Vlorë, Etjona Hoxha, kryetari i Bashkisë Orikum, Gëzim Capoj dhe kryetarët e komunave Himarë e Vranisht, të cilët ishin të pranishëm në takimin e organizuar në Parkun Kombëtar të Llogorasë.
Takimi me përfaqësues të pushtetit vendor dhe banorë të komunave u zhvillua në kuadër të sensibilizimit për mbrojtjen e pyjeve nga zjarret. Sipas statistikave gjatë viteve 1991 -2013 është djegur 4 % e sipërfaqes së përgjithshme pyjore në vend ose 39.600 ha. Vetëm në zonën Karaburun-Llogora gjatë viteve 1997- 2013 janë djegur 384 ha pyje.