TIRANË, 2 Nëntor /ATSH/ - Kryetarja e Lidhjes Demokratike të Gruas së Shqipërisë, Albana Vokshi mori pjesë në Kongresin e Forumit të Gruas së Partive Popullore Europiane, nga ku deklaroi se politikat e kësaj qeverie e kanë zhytur Shqipërinë në varfëri dhe kanë shkaktuar eksodin më të madh ekonomik në historinë e Europës.
Teksa argumentoi përkeqësimin e ndjeshëm të të gjithë treguesve ekonomikë dhe socialë, ajo deklaroi se "statistikat zyrtare tregojnë se mbi 30% e shqiptarëve jetojnë në varfëri ekstreme".
Gjithashtu, deputetja demokrate denoncoi "fushatat korruptive për tatimin e bizneseve që nuk paguajnë ryshfet te qeveria, që ka çuar në mbyllje të mijëra vendeve të punës".
Kongresi i Forumit të Grave të Partive Popullore Europiane i kushtoi nje seancë të veçantë krizës së emigracionit, fokusuar tek azilkërkuesit nga Ballkani, ku morën pjesë ministrja e Landit të Bavarisë për Punën, Çështjet Sociale dhe Familjen, Emilia Müller?, e ngarkuar edhe me çështjen e refugjatëve, eurodeputete dhe kryetare të forumeve të grave, anëtare të EPP Women si dhe përfaqësuese nga shoqëria civile dhe sipërmarrja./b.k//m.m/