Fitore historike për Shqipërinë në Ligën e Europës. Kombëtarja e femrave në volejboll për femra e drejtuar nga trajneri Altin Mërtiri mundi me meritë Poloninë në ndeshjen e parë për ta në Shqipëri. Në një atmosferë elektrizuese në pallatin e sportit "Ramazan Njala", shqiptaret dolën të fituara nga një ndeshje që e përcaktoi fituesin në setin final. Dukej se shqiptaret e prisnin prej kohësh një fitore të tillë, pasi në fund gëzimi ishte pa limit.
Loja nis e barabartë për të dyja ekipet. Ekipi jonë, nën entuziazmin e imponuar të tifozërisë, shënoi disa pikë radhazi, por edhe pësoi si pasojë e "shthurjeve" të herëpashershme taktike. Polaket pas pikëve të para tregohen më të përqendruara dhe vendosin një avantazh të lehtë ndaj ekipit tonë. Ky avantazh mbetet i tillë deri në fund të setit të parë kur shifrat fiksohen në 25-23 në favor të polakeve. Seti i dytë, ashtu si i pari, nis në ekuilibër të plotë. Në vijim janë shqiptaret që rritin nivelin e lojës dhe si pasojë e shohin veten në avantazh 16-11.
Ky moment i mirë i ekipit tonë nuk zgjat shumë sepse polaket rikuperojnë me shpejtësi, herë si pasojë e aftësive të tyre e herë si pasojë e gabimeve tona, sidomos me topin e parë dhe shërbimin. Gjithsesi në fundin e pjesës së parë Shqipëria thellon pak nga pak avantazhin dhe e mbyll këtë set 25-21 në favor. Fillimi i setit të tretë u takon polakeve, të cilat shënojnë disa pikë radhazi. Më pas janë shqiptaret që përgjigjen me të njëjtën mënyrë, duke përmbysur avantazhin. Përtej lojës së mirë te të dy ekipet, asnjëri prej tyre nuk shkëputet ndjeshëm në pikë.
Kjo bën që për t'u përcaktuar fituesi i setit të luhet maratona e pikëve shtesë. Është Erblira Bici këtu që me gjuajtjen e saj të fortë i jep fund vuajtjes duke fiksuar rezultatin në 31-29. Seti i katërt nis keq për ekipin tonë dhe përfundon në të njëjtën mënyrë. Fituesi përcaktohet në setin e pestë. Shqiptaret udhëheqin vazhdimisht edhe pse ngushtë. Bici tregon edhe një herë aftësitë e saj, kur me një gjuajtje shumë të fortë nga shërbimi nuk iu jep asnjë shans kundërshtareve dhe shënon pikën e fitores për Shqipërinë.
Pas këtij momenti vjen edhe gëzimi legjitim. Tifozë, lojtare dhe staf "derdhen" në parket, duke i hapur rrugën një gëzimi që vazhdoi gjatë. Jo vetëm kaq, por kishte vend edhe për të kërcyer të gjithë bashkë disa valle shqiptare, duke surprizuar në një mënyrë edhe polakët. Po dje u luajt edhe ndeshja tjetër e këtij grupi mes Bjellorusisë dhe Sllovakisë, e cila përfundoi me fitoren e këtyre të fundit 3-2.
SHQIPËRI-POLONI 3-2 (23-25, 25-21, 31-29, 25-18, 15-13)
SHQIPËRI: Bici, Prenga, Thaka, Tuci, Marina, Xheka, Matoshi, Nezaj, Blloku, Kole, Sijoni. Trajner: A. Mërtiri
POLONI: Trojan, Moskava, Baldyga, Flakus, Grezelak, Jasek, Tvardovska, Bociek, Damaske, Grabka, Vojcik. Trajner: V. Kavka
GJYQTARË: V. Benone (Rum), I. Penkov (Bull)