Volker Treichel Shqiperia nuk prodhon thuajse asgje

Volker Treichel 'Shqiperia nuk prodhon thuajse asgje'
Në një pasdite të 15 dhjetorit, në ambjentet ku mbahej konferenca “Shqipëria dhe kriza: Çfarë vjen më pas? Identifikimi i Modelit të zhvillimit”, organizuar nga Universiteti Mesdhetar, ra në sy një fjalim i mbajtur në një shqipe të rrjedhshme, nga një emër i njohur për shqiptarët...

Volker Treichel, ish shefi i zyrës së FMN në vendin tonë deri në vitin 2005, ju drejtua konferencës me një fjalë që trajtonte situatën ekonomike e financiare të vendit tonë. Aktualisht zyrtar i Bankës Botërore në Uashington, Treichel ishte mjaft entuziast për rikthimin, pas rreth shtatë vjetësh, në vendin tonë. “Kam udhëtuar 36 orë me avion për të qenë këtu”, shprehej ai. Vinte nga Bregu i Fildishtë, me dëshirën e lexueshme për të parë edhe një herë vendin ku, siç e thotë edhe në intervistën e mëposhtme, krijoi njohje të pafundme me njerëzit dhe vendin. Në këtë intervistë për Java, zoti Treichel i kthehet mesazheve që hodhi në fjalën që mbajti në Tiranë. Ai thotë se Shqipëria duhet të kontrollojë urgjentisht borxhin publik dhe duhet të vendosë rregull në financa. Pa harruar, thotë ai, që të punojë për identifikimin e një modeli afatgjatë të zhvillimit
 
Zoti Treichel, ktheheni në Shqipëri pas një periudhë të gjatë shtatëvjeçare. Si e gjetët Tiranën pas një kohe kaq të gjatë? Si u ndjetë kur takuat dhjetra persona, zyrtarë, deputetë, ministra, gazetarë, që kishit kohë pa i parë?

Është një kënaqësi e veçantë për mua të kthehem në Shqipëri pas kaq shumë vitesh. Isha shumë i befasuar dhe i impresionuar per ndryshimet e shumta që kanë ndodhur në Shqipëri, shumica e tyre shume pozitive. Për shembull, rrugët në Tiranë dhe në Durrës janë përmirësuar shumë dhe lëvizjet janë shumë më të thjeshta se më parë.  Edhe pamja e Tiranës dhe e Durrësit është shumë më e bukur se më parë, jo vetëm për shkak të dekorimeve të ndryshme për Krishtlindjen dhe Vitin e Ri, por edhe thjesht për shkak se i gjithë ambjenti është shumë i pastër sesa e mbaj mend.   Edhe përsa i përket sektorit financiar, duket se janë zhvilluar shumë degët bankare kudo.

Isha shumë i gëzuar të takoja përsëri shumë persona me të cilët kisha pasur kontakte gjatë kohës time në Shqipëri. Takimet më dhanë përshtypjen sikur isha larguar vetëm një ose dy ditë më përpara, e jo shtatë vjet të shkuara.  Me miqtë e të njohurit munda t’i filloj bisedat sikur koha s’kishte ecur fare. Mendoj se njohja ime e gjuhës shqipe, e cila është një gjuhë me një bukuri të rrallë dhe angazhimi im në çeshtjet e ndryshme gjatë kohës time në Shqipëri, ka bërë të mundur që të ndjehem shumë afër vendit, edhe pas kaq shumë vjetësh. Ngrohtësia që m’u rezervua gjatë këtyre ditëve në vend, ishte diçka shumë prekëse për mua.      
 
Si e kujtoni përiudhën kur shërbenit në Shqipëri? Çfarë ka mbetur në kujtimet tuaja nga ajo kohë?

Tre vitet e mia në Shqipëri kanë qenë shumë të këndshme dhe të paharrueshme për familjen time dhe për mua personalisht. Besoj se ishte një kohë shumë kritike për Shqipërinë, e cila sapo kishte dale nga kriza e fajdeve dhe e rrëmujave të shtatorit 1998 dhe më pas u prek nga kriza e Kosovës.

Gjithashtu konfliktet e brendshme politike midis partive ishin shumë të ashpra, duke sjellë si pasojë kushte të vështira për zbatimin e politikave ekonomike.  Në këtë situatë, isha shumë i kënaqur që kisha mundësinë të bashkëpunoj shumë ngushtë me qeverinë, për të realizuar objektivat kritike, për shembull privatizimet e para (BKT, AMC, Albkrom), hapa të cilat ishin thelbësore për ndryshimin e imazhit ndërkombëtar të Shqipërisë. Një vend të rëndësishëm zunë edhe reformat në administratën doganore dhe tatimore, të cilat rezultuan në rritjen e të ardhurave dhe përmirësimin e situatës fiskale.
    
Në fjalën tuaj interesante, ju folët për stabilitetin fiskal dhe mbajtjen nën kontroll të borxhit publik. Si e komentoni vendimin e qeverisë aktuale shqiptare, për të tejkaluar limitin e borxhit egzistues, duke e çuar atë në përtej shifrës 62%?

Aktualisht, qëndrueshmëria makroekonomike dhe fiskale e Shqipërisë është e kërcënuar. Duhen masa të forta për të ulur deficitin dhe borxhin. Eshtë e qartë se kufiri i borxhit do të tejkalohet, nga momenti që nuk po merren masat shtrënguese për të kontrolluar shpenzimet dhe rritur të ardhurat, veçanërisht nëpërmjet një perforcimi të luftës kundër korrupsionit.

Sot  nuk është koha për të rritur në mënyrë të ndjeshme rrogat dhe pensionet, por duhet një rishikim cilësor dhe i hollësishëm i të gjitha shpenzimeve, për të identifikuar shpenzimet e tepërta dhe për të krijuar hapësirën e duhur për të mirëmbajtur dhe përmirësuar infrastrukturën në të ardhmen. Megjithëse Shqipëria ka realizuar progres në këtë fushë, mbetet ende shumë punë, siç u ve re gjatë përmbytjeve në Shkodër, me mangësitë në rrjetin rrugor dhe furnizimin me energji elektrike të vazhdueshme. 
 
Kohë pas kohe organizma të ndryshme, përfshirë FMN, kanë kritikuar qeverinë aktuale, për shkak të tendencës së marrjes së kredive tregëtare, me interesa të larta. Si e shihni këtë qëndrim të qeverisë tonë?


Në këtë moment niveli i borxhit publik në Shqipëri është 60 përqind, por një pjesë e madhe e këtij borxhit është ndaj kreditorëve të brendshëm, me interesa të larta, duke kërcënuar në këtë mënyrë qëndrueshmërinë fiskale dhe makroekonomike të vendit. Mendoj se duhet një rishikim i plotë i politikës fiskale, nga pikëpamja e shpenzimeve, por edhe nga pikëpamja e politikave tatimore dhe doganore. Por ky rishikim do të jetë kuptimplotë vetëm nëse përmban edhe një riformulim të strategjisë së rritjes ekonomike të Shqipërisë.  Kjo ishte tema e konferencës në Tiranë dhe më duhet të theksoj në mënyrë të veçantë rëndësinë që ka për të ardhmen e Shqipërisë.

Shqipëria akoma nuk ka realizuar transformimet strukturore që janë të domosdoshme për të vënë themelet për një rritje ekonomike të qëndrueshme dhe për të bërë të mundur krijimin e vendeve të punës cilësore. Fakti është se Shqipëria aktualisht nuk prodhon thuajse asgjë. Sektori i prodhimit të mallrave, veçanërisht për eksportet,  mbetet shumë i vogël dhe i papërfillshëm. Megjithatë ka shumë sektorë në të cilët Shqipëria ka një avantazh konkurues, për shembull prodhimi i vajit të ullirit dhe ai i veres. Shembuj si ai i Kilit, kanë treguar se prodhimi agroindustrial mund të jetë baza për një rritje të qëndrueshme ekonomike.

Shqipëria akoma nuk i ka realizuar këto potenciale, për shkak të mungesës së  ndërhyrjes efikase të qeverisë, në bashkëpunim me sektorin privat. Duhen studime të veçanta në sektorët e ndryshëm të ekonomisë, për të identifikuar faktorët bllokues në zhvillimin e këtyre sektorëve dhe më pas ndërhyrjet e duhura, për të evituar këto faktorë bllokues. Duhen gjithashtu edhe masa shumë të forta për të mbrojtur mjedisin.  Për shembull, situata duket shumë kritike përsa i përket cilësisë dhe pastërtisë së ujrave detare, por edhe qëndrueshmërisë dhe shtrirjes së pyjeve. Përmirësimet në këto fusha do të ishin shumë të rëndësishme, jo vetëm për standartin e jetës në Shqipëri, por edhe për të ardhmen e turizmit, i cili mund të jetë një sektor strategjik për vendin tuaj.            
   
Si e komentoni faktin që qeveritë që erdhën në fuqi pas vitit 2005, preferuan të mos rinovonin marrëveshjet me FMN, që nënshkruanin qeveritë e majta para tyre. Cili është mendimi juaj për këtë ndryshim strategjie?

Nënshkrimi i një marrëveshjeje midis FMN ose Bankës Botërore dhe një vendi të tretë, është gjithmonë një vendim sovran i një qeverie. Ka vende qe po e ndjekin këtë rrugë dhe të tjera që nuk po veprojnë keshtu.  Por, është e qartë nga përvoja e vendeve të ndryshme dhe e Shqipërisë në mënyrë të veçantë, se marreveshjet me FMN dhe Bankën Botërore mund të kenë impakte shumë të mira për stabilitetin makroekonomik dhe ndjekjen e reformave strukturore kyçe.      
 
Duke ju rikthyer asaj që ju thatë në Tiranë, një problem tjetër madhor në menaxhimin e vendit mbetet përcaktimi i prioriteteve të zhvillimit. Duket sikur qeveritë shqiptare ecin pa një ide të qartë për perspektivën ekonomike e sociale të vendit. A e ndani edhe ju këtë mendim?

Shqipëria ka realizuar përmirësime të ndjeshme në shumë fusha të ndryshme. Por sot ka ardhur koha për të rishikuar në mënyrë të hollësishme të gjithë strategjinë e zhvillimit të vendit. Mendoj se “Neë Structural Economics”, i cili u prezentua nga Justin Lin (folës në konferencë, ish-zv.president i Bankës Botërore, shën.ynë) gjatë konferencës së Universitetit Mesdhetar, ofron një perspektivë të re për hartimin e një strategjie për rritjen e qëndrueshme dhe krijimin e punësimit në Shqipëri. Shpresoj se vizita ime do të ndihmojë për të forcuar mesazhin e urgjencës së konsolidimit fiskal dhe për të krijuar një debat më të gjerë, sesi mund të zbatohet “Neë Structural Economics në Shqipëri”. 
Një strategji e re e rritjes ekonomike është tashmë e domosdoshme për Shqipërinë.  

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama