Volumi i kredive te keqija nuk eshte ulur. Banka e Shqiperise fsheh realitetin me propagande ekonomike.

Volumi i kredive të këqija nuk është ulur. Banka e Shqipërisë fsheh realitetin me propagandë ekonomike.

Pak ditë më parë, Banka e Shqipërisë (BSH), në vazhdën e një sërë njoftimesh për rritjen e besueshmërisë ndaj sistemit bankar, njoftoi për një përmirësim të treguesve të kredive të këqia: sipas saj volumi i kredive të këqia kishte rënë në 17,6 për qind nga 20,6 për qind që ishte më parë..

Duket një lajm i mirë, por në fakt është vetëm propagandë.

Ulja e përqindjes së kredive të këqija nuk ka ardhur nga pagesa e borxheve të prapambetura nga ana e debitorëve, por vetëm si pasojë e ndryshimit në letër të klasifikimit të tyre nga Banka e Shqipërisë: një normativë e re e urdhëruar nga BSh ka bërë të mundur që një pjesë e kredive problematike të riklasifikohen si kredi të mira, ndërsa një sasi kredish të konsideruara të humbura janë fshirë përkohësisht nga klasifikimi si të tilla.

Në kuadër të nismave për të ulur numrin e kredive të bllokuara, Banka e Shqipërisë dhe Ministria e Financave ranë dakort para pak muajsh që bankat e nivelit të dytë të fshijnë nga bilancet e tyre kreditë e konsideruara si përfundimisht të pambledhshme, duke i kontabilizuar ato si shpenzime të zbritshme, gjë që më parë nuk lejohej.

Nga ana tjetër, këto kredi do të kontabilizohen në llogaritë jashtë bilancit dhe bankat mund të vazhdojnë të kërkojnë pagesën e tyre nga ana e debitorëve.

Ky veprim, u dha mundësi bankave të ulin kështu volumin e kredive të pambledhshme që raportojnë.

Është thjesht një operacion kozmetik sipërfaqësor, që e zvogëlon vlerën në letër të kredive të humbura, por që nuk ka asnjë efekt direkt ekonomik. Mbi të gjitha, nuk përfaqëson asnjë përmirësim të raporteve financiare ndërmjet bankave dhe debitorëve të tyre.

Kasta drejtuese e sistemit ekonomik e financiar të vendit preferon të shpikë një mënyrë të re të kategorizmit apo raportimit të treguesve ekonomikë me qëllim që të tregojë një "përmirësim" fiktiv në letër.

Ndërkohë problemi thelbësor ekonomik i vendit--ekonomia e pazhvilluar me strukturë anemike, e cila nxit lulëzimin e bizneseve jo rentabël dhe skemave abuzive të biznesit--mbetet i patrajtuar.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama