Gjatë diskutimit në Parlamentin grek është përmendur edhe çështja e të ashtuquajturit Vorio Epir. Kryetari i partisë “Grekët e Pavarur”, Panos Kamenos, ka akuzuar qeverinë greke se ka anashkaluar temat të rëndësishme kombëtare si ajo e Vorio Epirit. Kamenos deklaratat i bëri gjatë mbledhjes të zhvilluar në Komisionin parlamentar të Mbrojtjes dhe të Punëve të Jashtme, ku diskutoheshin çështjet kombëtare si ajo e Qipros dhe e Maqedonisë.
“Në këtë moment tema kryesore është minoriteti grek, minoriteti i Vorio Epirit. Tema e ligjit të luftës është diçka tjetër, të cilën mund të diskutojmë në një takim të posaçëm”, tha Kamenos. Ai bëri një raport mbi problemet me të cilat, sipas tij, ballafaqohet Epiri i Veriut.
“Ekziston një shkelje e qartë e të drejtave të njeriut. Ka terrorizëm, shkelen rregullat ndërkombëtare në zgjedhje, gjë që është vërejtur edhe nga misioni i OSBE-së. Në Parlamentin shqiptar dëgjohen disa tema që për ne janë mbyllur; janë rikthyer çështje që kanë të bëjnë me grupet filonaziste, të cilat vepronin gjatë Luftës së Dytë Botërore, madje ka edhe pretendime ndaj territorit grek. Me të vërtetë nuk mund të kuptohet, sesi është e mundur që Greqia kërkon hyrjen e këtij vendi në Bashkimin Evropian, kur vëren shkelje të të drejtave të njeriut të minoritetit grek në Epirin e Veriut?”, deklaroi Kamenos.
Duke përfunduar ai tha se fakti që, “qeveria toleron elemente ekstremiste pasuar nga deklaratat që bëhen në Kuvendin e Shqipërisë, do të krijojnë probleme të mëdha”. Panos Kamenos është kreu i partisë “Grekët e Pavarur”, një parti e djathtë parlamentare.