Fleta
Mënyra e parë e “leximit” të votës favorizohet ndjeshëm në këto zgjedhje nga fleta tepër e gjatë e votimit. Kështu në këto zgjedhje, për shkak të numrit të madh të subjekteve pjesëmarrëse në zgjedhje, plot 66 (në Fier dhe në Vlorë, për shkak të kandidatëve të pavarur do të jenë 67 subjekte), fleta e votimit do të jetë në përmasa të pazakonshme dhe e vështirë për t’u përdorur. Ajo do të jetë afërsisht gjysmë metri e gjatë dhe për rrjedhojë do të krijojë probleme për zgjedhësin në momentin e votimit. Kështu, për të votuar një zgjedhës do duhet që të përkulë trupin por edhe kokën, në mënyrë të tillë që e bën atë të dallueshëm për vëzhguesit apo komisionerët e partive politike se për kë do të votojë. Në rast se ai do të zgjedhë të votojë një nga partitë e koalicionit të majtë, ai nuk do të ketë të nevojshme që të vëzhgojë gjithë fletën e votimit deri në fund, pasi shikimi i tij do të përqendrohet në pjesën e parë të fletës.
Në rast se një zgjedhës do të kërkojë të votojë një nga partitë e koalicionit të djathtë, ai do duhet të kërkojë me shikim por edhe duke përkulur trupin dhe kokën deri në pjesën e poshtme të fletës. Akoma më e lexueshme bëhet vota për një nga zgjedhësit që do të kërkojnë të votojë për FRD-në apo AK-në, të cilat gjenden të renditura në fund fare të fletës. Ky lloj leximi i votës bëhet i lehtë për t’u arritur falë edhe dhomës së fshehtë që përdoret në vendin tonë, një karton i thjeshtë gati 50 cm, i cili vendoset mbi një tavolinë dhe zgjedhësi duhet të votojë pas tij.
Shenjat
Ndërkohë që dje KQZ ka miratuar edhe manualin e punës së grupit të numërimit të votave, duke krijuar në njëfarë mënyre mundësi të tjera të leximit të votës. Me anë të këtij manuali KQZ u tregon komisionerëve të grupeve të numërimit të vlerësojnë të vlefshme çdo votë të shprehur me anë të çdo shenje, mjafton që ajo të jetë e qartë se për kë subjekt është hedhur. Kështu, sipas modeleve të përcaktuara në këtë manual, konsiderohet e vlefshme çdo votë e shenjuar me çdo lloj simboli, +, x, -, PO, një rreth, çdo lloj shenje tjetër, apo me dy nga këto simbole apo shenja njëkohësisht. Jo vetëm kaq, por do konsiderohet e vlefshme çdo lloj flete votimi edhe nëse shenjen e siglimit e ka jo vetëm në kuadratin e përcaktuar për të votuar, por edhe në një nga hapësirat e tjera brenda rreshtit të një partie të caktuar politike pjesëmarrëse në zgjedhje, mjafton që vullneti të jetë shprehur për një dhe vetëm një forcë të tillë. Madje vota do të quhet e vlefshme edhe kur mbi emrin e partisë hiqet një vizë.
Në pamje të parë, një hapësirë kaq e madhe mundësish për të shprehur votën mund të konsiderohet krejt normale, për shkak se e rëndësishme është që vullneti i zgjedhësit të jetë i qartë. Por në aktualitetin shqiptar një hapësirë kaq e madhe lë mundësi që vota e qytetarit të lexohet pas votimit, gjatë procesit të numërimit.
Kjo pasi dikujt që e ka shitur votën, apo është detyruar të votojë për një parti të caktuar, mund t’i kërkohet që të votojë me një nga shenjat e mësipërme ose me dy apo më shumë shenja së bashku, në mënyrë që të krijohet mundësia gjatë numërimit që të verifikohet nëse zgjedhësi në fjalë e ka dhënë votën për atë forcë edhe për të cilën e kishte premtuar apo kishte marrë porosi që të votonte. Për ta bërë më të thjeshtë, një zgjedhësi mund t’i kërkohet që të votojë për subjekt të caktuar duke përdorur dy shenja +, apo një shenjë plus dhe një rreth. Dhe gjatë numërimit komisioneri mund të verifikojë nëse në kutinë e caktuar janë gjetur vota me këto shenja apo jo. Kjo në fakt bën të panevojshëm që zgjedhësi të detyrohet më që të fotografojë votën e tij.