Votohet ligji Antimafia sekuestrim pasurive te fituara ilegalisht

Votohet ligji 'Antimafia', sekuestrim pasurive te fituara ilegalisht

Mazhoranca votoi dje e vetme ndryshimet në ligjin “Antimafia”. Vendimi i Komisionit të Sigurisë erdhi pas debateve të ashpra lidhur me hetimin e zyrtarëve të lartë. Opozita kundërshtoi draftin me argumentin se ai nuk heton realisht zyrtarët e lartë, por është vetëm një mënyrë për të ushtruar presion mbi pushtetin gjyqësor dhe prokurorinë. Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, i pranishëm në komision, theksoi se projektligji nuk përjashton asnjë zyrtar nga hetimi, që nga presidenti apo familjarët e tij dhe deri tek zyrtarët e nivelit më të ulët. Naço theksoi se përjashtim bëjnë vetëm nëpunësit të cilët hetohen me të njëjtat procedura si më parë.

 

Ndërsa deputeti i Partisë për Drejtësi Integrim dhe Unitet, Aqif Rakipi kritikoi jo vetëm mazhorancën e sotme, por dhe të djeshme se në asnjë rast nuk ka hetuar zyrtarët e lartë. Debatet Mazhoranca dhe opozita janë përplasur në Komisionin e Sigurisë lidhur me hetimin e zyrtarëve të lartë. Ndryshimet n? ligjin nr. 10192, ‘P?r parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafikimit n?p?rmjet masave parandaluese kundër pasurisë’” i quajtur ndryshe ligji “Antimafia” janë cilësuar nga nënkryetari i Komisionit të Sigurisë, Flamur Noka si tentativë për të vënë nën kontroll hetimin.

 “Në një linjë të qartë me partnerët tanë ndërkombëtarë ne jemi kundër këtij projektligji, sepse e konsiderojmë si një tentativë për të vënë në kontroll politik hetimin, si një tentativë ku nuk luftohet korrupsioni, por tentohet të luftohet drejtësia, gjyqësori, prokuroria, drejtues të pushtetit vendor dhe të gjithë instancave të tjera. Ky projektligj përfshin gjithë zyrtarët e tjerë ndërsa ministrat dhe kryeministrin nuk e përfshin”, - tha deputeti i PD-së. Por sipas kreut të komisionit, Spartak Braho nuk është e vërtetë se përjashtohen nga hetimi ministrat apo kryeministri. Më tej ishte ministri i Drejtësisë, Nasip Naço i cili kujtoi se Kodi i Procedurës Penale, neni 260 flet qartë për hapësirën në të cilën prokuroria ka të drejtë hetimi. “Këtu përfshihet kryeministri, ministrat, presidenti dhe të gjithë shtetasit me ‘kollare’, të gjithë janë subjekt i ligjit”, - vijoi Naço.

 

Ministri përmendi më tej dhe vlerësimet negative të raporteve ndërkombëtare sa i përket luftës ndaj korrupsionit në Shqipëri. “Kam parasysh raportin e Departamentit të Shtetit, ku flitet për korrupsionin në Shqipëri në vitin 2013 dhe midis të tjerave thuhet se qeveria nuk e zbatoi si duhet ligjin dhe që shpesh zyrtarët ishin të përfshirë në praktika korruptive nuk janë ndëshkuar, kështu thotë DASH-i. Korrupsioni ishte përhapur në të gjitha degët e qeverisë, thotë raporti. Përdorimi i sloganeve nga ana e qeverisë që nxisin tolerancë zero për korrupsionin shpesh e ndrydhën dhe e ndryshonin raportin dhe nxisnin manipulimin e të dhënave që tregonin se korrupsioni nuk ekziston, kështu thotë raporti i DASH-it, që mund të gjendet në faqen zyrtare”, - deklaroi Naço. Të njëjtat vlerësime negative sipas tij janë dhënë dhe në progres-raportin e BE-së për vitin 2013 apo në raportin e “Transparency International” që e rendit vendin tonë me Laosin apo Kamboxhian.

Ndërsa përmendi dhe deklaratën e Hilari Klinton bërë në Shqipëri në vitin 2012, lidhur me luftën kundër korrupsionit, Naço theksoi se dekurajimi më i madh që mund t’u bëhet personave që kryejnë korrupsion është sekuestrimi i pasurisë. “Ky ligj parashikon sekuestrim të pasurisë edhe të familjarëve të shkelësve të ligjit, për sa kohë ky shkelës është i dyshuar se këtë pasuri e ka fituar ilegalisht”, - përfundoi Ministri i Drejtësisë. Por deputeti i PDIU-së, Aqif Rakipi akuzoi mazhorancën e sotme dhe të djeshme se nuk kanë hetuar kupolën e shtetit. “Ne nuk kemi parë ndonjëherë deri më sot që të jetë marrë njeri me shtetin.

 

Nuk e kam vetëm me këta që janë sot, por dhe me atë që kanë qenë dje kur ka qenë Flamuri ministër. Këtu ndëshkohen vetëm njerëzit e thjeshtë”, - deklaroi ai. Më tej ishte Stërkaj i cili kritikoi mazhorancën e djeshme por dhe këshilloi mazhorancën e sotme për një hetim më të thellë. “Me thënë të drejtën po shqetësohem. Po shqetësohem për faktin se kur kaloi ligji në vitin 2009 për antikorrupsionin që u quajt ligji “Antimafia”, opozita e sotme e pozita e djeshme ishte e flaktë. Fakti që mori një ligj në dorë e nuk zbatoi asnjë nen të atij ligji e tregoi koha se lindi nevoja për t’u bërë një projektligj tjetër. Unë mendoj se ligji duhet të jetë pak më i thellë, të gjejë lidhjet e politikanëve. Vullneti të jetë i mirë nga qeveritarët”, - deklaroi Paulin Stërkaj. Në fund të diskutimeve, Komisioni i Sigurisë miratoi vetëm me votat e mazhorancës projektligjin e paraqitur nga Ministria e Drejtësisë dhe ra dakord për kalimin e tij në seancë plenare.

Votimi në tërësi, opozita kundër 

Flamur Noka: Gjithë zyrtarët e tjerë përfshihen ndërsa ministrat e kryeministri janë jashtë axhendës së këtij projektligji. Ne jemi në sinkron me vërejtjet e OPDAT-it dhe OSBEsë. OPDAT-i e ka cilësuar qartësisht që kjo është tentativë për të vënë në kontroll politik hetimin. OSBE-ja e ka konsideruar si hap prapa këtë projektligj. Ne si opozitë këtë projektligj e konsiderojmë si një tentativë për të kapur shtetin nga ana e pushtetit dhe si sulm për të mbajtur nën presion gjyqtarët prokurorët, dhe zyrtarët e tjerë. Për këtë arsye ne nuk mund të biem dakord.

Spartak Braho: Pavarësisht se opozita mban këtë qëndrim mohues që bie ndesh me përpjekjet e mazhorancës për të luftuar fenomenin e korrupsionit direkt dhe indirekt, nuk ka asgjë të vërtetë në faktin që përjashtohen ministrat apo kryeministri.

Nasip Naço: Sot kemi sjellë këtë paketë që të gjithë të hetohen, të gjithë të jenë të barabartë para ligjit, mos jetë vetëm slogan.

E kuptoj ndonjërin që hesht sot, dyshon për veten e vet, për punën që ka bërë. Ky është guri provës mes mazhorancës dhe opozitës, midis gjithë atyre zyrtarëve që duan të kalojnë provën. I bëj thirrje opozitës të rishikojë vendimin e saj sepse opozita është sot në atë vend se nuk luftoi korrupsionin. Nëse kanë frikë i mirëkuptoj dhe nuk do t’u lutem më që ta votojnë.

Flamur Noka: Na e gjej në cilin nen të ligjit është përfshirë kryeministri dhe ministrat...

Spartak Braho: Ju vini pa lexuar dispozitat fare këtu. E ke nenin 260...

Nasip Naço: Nëse keni merak, duke filluar që nga presidenti, ministrat, deputetët janë këtu zoti Noka. Nuk përjashtohet askush. Spartak Braho: I bëj edhe njëherë thirrje opozitës, miqësisht, korrigjoni mendimin se është për kauzën tuaj, për kauzën tonë, për kauzën që na sugjerojnë institucionet ndërkombëtare.

Aqif Rakipi: Atë që tha ministri për zonjën Klinton është ajo që tha dhe Flamuri (Flamur Noka), ajo ka folur për kupolën e shtetit. Ne nuk kemi parë ndonjëherë deri më sot që të jetë marrë njeri me shtetin. Nuk e kam vetëm me këta që janë sot, por dhe me atë që kanë qenë dje kur ka qenë Flamuri ministri. Këtu ndëshkohen vetëm njerëzit e thjeshtë.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama