Ilia Kareli, shqiptari që vrau rojën në burgun grek të Malandrinos është vrarë me mjete të forta. Ky konkluzion është nxjerrë nga ekspertiza mjekoligjore, që u bë për Karelin, pasi u gjet i pajetë në qelinë e burgut të Nigritas në Serres të Greqisë, ku ishte transferuar pasditen e së enjtes për izolim dhe mbrojtje nga ndonjë hakmarrje e mundshme, ndërkohë që thuhet se qelia e tij vëzhgohej me kamera sigurie. Konkluzionet që i dënuari shqiptar, Ilia (Ilir) Kareli është vrarë, kanë sjellë reagimin e menjëhershëm të Avokatit të Popullit, Igli Totozani, i cili ka kërkuar ndërhyrjen e Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë për zbardhjen e këtij rasti, ndërkohë që i ka kërkuar informacion edhe homologut të tij grek.
Vrasja dhe ekspertiza
Kareli u gjet dy net më parë, pak para mesnate, i vdekur në qelinë e burgut të Nigritas në Serres, ku ishte transferuar pasdite për izolim dhe mbrojtje nga ndonjë hakmarrje e mundshme. Rreth orës 23:30 të së premtes, gardiani i shërbimit vërejti se Kareli prej një kohe të gjatë nuk jepte shenja jete. U njoftua menjëherë urgjenca dhe Kareli u dërgua në spitalin e Serresit. Në pamjet e kamerave të sigurisë, i dënuari dukej se nuk ka qenë i qetë në momentet përpara se të jepte frymën e fundit. Kamerat e tregojnë 40-vjeçarin që teksa shtrihet në shtrat, merr frymë thellë e me vështirësi. Ministria e Drejtësisë urdhëroi fillimin e hetimeve të menjëhershme rreth kësaj ngjarjeje. Menjëherë, trupi i pajetë u dërgua në morg për kryerjen e ekspertizës mjekoligjore. Rezultatet e autopsisë së trupit të të dënuarit shqiptar tregojnë se vdekja e tij erdhi si pasojë e traumave nga goditjet. Rezultatet e autopsisë treguan se 40-vjeçari kishte thyerje në kafazin e kraharorit dhe lëndime të shumta në trup. Po ashtu, mjekët kanë thënë se ai kishte shenja dhune në duar dhe mendohet se i është nënshtruar elektroshokut. Po sipas mjekëve që kanë firmosur rezultatet e ekspertizës, goditjet janë shkaktuar para më shumë se 24 orësh dhe jo me duar, ndërkohë që shtohet se shqiptari është torturuar. Ndërkaq, janë urdhëruar analiza dhe ekzaminime të tjera. Trupi i shqiptarit pritet të dërgohet nga Selaniku, ku u krye autopsia, në Nigrita për t’u marrë nga të afërmit e tij.
Dëshmitë për vdekjen
Më herët, mediat greke botuan dëshmi të zyrtarëve të burgut, sipas të cilëve, kur Kareli mbërriti në burg, kishte shenja goditjeje në trup, gërvishtje dhe hematoma. Ai nuk u ankua për dhembje dhe kur i kërkuan që ta dërgonin në ambulancë nuk pranoi por bërtiti: “Më sillni një litar!”. Sipas shefit të rojeve të burgut, Kareli, që nga momenti i mbërritjes në burgun e Nigritas, deri në momentin kur ndërroi jetë, nuk pati kontakt me asnjë të dënuar apo zyrtar në burg. Qelia e izolimit u krijua posaçërisht për të, ishte e survejuar me kamera dhe çdo lëvizje e tij është e regjistruar. Faqja e internetit “Indimedia” kishte shkruar më herët, se i dënuari Ilia Kareli është rrahur gjatë transferimit nga burgu i Malandrinos në Nigrita.
Protesta në burgje
Në burgjet e Malandrinos, Patras, Dhomoks dhe Trikalas ka pasur tensione të shkaktuara prej protestave nga të dënuarit shqiptarë, të cilët janë zemëruar pas vdekjes së Ilia Karelit në burgun e Nigritas. Megjithatë bëhet e ditur se pas disa orësh, situata u vu nën kontroll pa incidente të mëdha dhe autoritetet janë në gatishmëri të plotë. Nga ana tjetër, në një deklaratë, Federata e Punonjësve të Burgjeve, shpreh keqardhjen për vdekjen e të dënuarit shqiptar në qeli dhe deklaron se humanizmi nuk i lejon të bëjnë dallim për jetët e humbura, qofshin ata punonjës apo të dënuar. Duke i shprehur ngushëllimet familjes së Ilia Karelit, Federata e Punonjësve të Burgjeve, siguron se ata nuk janë të përfshirë në këtë ngjarje dhe se nuk do të bënin kurrë diçka që të vinte në rrezik jetën e të dënuarit.
Ish-zëvendësministri
Çollaku: Qeveria shqiptare s’mund të heshtë ndaj rastit
Ish-zëvendësministri i Jashtëm, Kreshnik Çollaku, ka reaguar për vrasjen e dyshuar të shqiptarit Ilia Karelit, duke kërkuar ndërhyrjen e shtetit shqiptar. “Ministria e Jashtme dhe Ambasada Shqiptare në Athinë nuk mund e nuk duhet të heshtin ndaj kësaj vrasje barbare nga autoritetet zyrtare. Shteti nuk mund të barazohet as me atë që bën krimin”, ka thënë Çollaku. Sipas Çollakut, ky është rast flagrant i shkeljes së çdo ligji me të drejtë ndërkombëtare. “Shtetasi i vrarë në burgun grek, nga gardianë grekë, është shqiptar dhe është detyrë e qeverisë shqiptare të ngrejë zërin e të kërkojë sqarime e qëndrime pa komplekse e drojë për rastin”, thuhet në reagimin e ish-ministrit të Jashtëm, Kreshnik Çollakut.
Letra
Totozani kërkon ndërhyrjen e homologut grek dhe të Ministrisë së Jashtme
Avokati i Popullit, Igli Totozani, i kërkon ministrit të Punëve të Jashtme që të ndjekë nga afër zhvillimet që kanë të bëjnë me hetimin e vdekjes së shtetasit shqiptar, Ilia Kareli, në burgun e Malandrionos në Greqi. Përmes një letre drejtuar ministrit Bushati, Avokati i Popullit thekson se një rol aktiv i Ministrisë së Punëve të Jashtme në sqarimin e rrethanave të vdekjes së Ilia Karelit, do të ishte i domosdoshëm dhe domethënës në kuadër të mbrojtjes dhe respektimit të të drejtave të shtetasve shqiptarë kudo që ata ndodhen. “Është detyrim kushtetues mbrojtja e të drejtave të shqiptarëve jashtë kufijve të Republikës së Shqipërisë nga ana e shtetit shqiptar dhe institucioneve që përfaqësojnë atë. Në vlerësimin e Avokatit të Popullit, theksojmë se është i dënueshëm ligjërisht dhe moralisht çdo veprim i cili çon në humbjen e jetëve njerëzore, pavarësisht faktit se kujt i përkasin ato”, shprehet në letë Totozani. Gjithashtu, Avokati i Popullit i ka dërguar një letër edhe homologut të tij grek Calliope Spanou. “Jemi vënë në dijeni të ngjarjeve të rënda që kanë ndodhur në burgun e Malandrinos në Greqi, përmes njoftimeve të medias, duke përcjellë hidhërimin dhe shqetësimin tonë institucional dhe njerëzor për humbjen e jetëve. Së fundmi, u njoftuam për vdekjen e shtetasit shqiptar Ilia Kareli në qelinë e tij, në burgun e sipërcituar, vetëm pak ditë pasi mbeti i vrarë një prej gardianëve të këtij institucioni të vuajtjes së dënimit penal. Theksojmë se humbja e jetëve njerëzore është një pasojë e rëndë dhe një akt, i cili duhet hetuar me seriozitet dhe objektivitetin e nevojshëm nga ana e autoriteteve përkatëse kompetente të shtetit grek. Për këto arsye, ndjekja nga afër nga ana e institucionit të Ombudsmanit të Greqisë brenda kompetencave të tij, e procesit zyrtar investigues që do të zhvillohet nga institucionet përgjegjëse, vlerësojmë se do të ishte një veprim domethënës dhe inkurajues për zbardhjen e rrethanave dhe shkaktarëve të këtyre ngjarjeve të hidhura që kanë tronditur opinionin publik të të dy vendeve tona”, përfundon letra e Totozanit drejtuar homologut të tij grek.