Vrasesi kerkon serish ADN-ne e djalit te Danieles

Vrasesi kerkon serish ADN-ne e djalit te Danieles

Autori i masakrës së Gjonomadhit ka dalë para Gjykatës së Korçës i qetë dhe i vetëdijshëm për fatin e vazhdimësisë së jetës së tij. Ka folur pak, por e ka nisur me pendim dhe me ndjesë për familjarët e viktimave. Ditën e djeshme, pas një sërë seancash të marrjes në pyetje, Bashkim Latollari, thjesht ka përsëritur pak prej fakteve e dëshmive të fiksuara në procesverbalet e shumta të mbushura me shkaqet që e çuan të kryente krimin e rëndë. 

 

Ai ka treguar para gjykatës se, vendimin për vrasje e kishte marrë pikërisht kur kishte hyrë në konflikt me Valentinën për çështjen e historisë së Danielës.

 

Siç pohoi Latollari, qëllimi ka qenë vrasja vetëm e dy grave. 40-vjeçari ka shpjeguar para gjykatës se kanë qenë pikërisht Daniela dhe Valentina që kanë merituar të vriteshin, por nuk ka shpjeguar faktin se pse kishte qëlluar edhe mbi dy bashkëshortët, Rexhepin dhe Belinamin, përkatësisht dajë dhe nip. 

 

Vrasësi nuk ka harruar sërish t’i kujtojë gjykatës se ai kërkonte vetëm ADN-në e djalit të Danielës, pasi pretendon se fëmija 4 vjeç i çiftit Meçollari është i tij.

 

Gjykata ka vonuar të nisë seancën pasi asnjë avokat kryesisht nuk ka pranuar të mbrojë në masën e sigurisë Latollarin, derisa në sallën e gjyqit ka mbërritur vetë kreu i Dhomës së Avokatisë, Arben  Lena. 

 

Gjykata ka lënë në burg pa afat autorin e masakrës së të martës mbrëma, ndërsa prokuroria ka zbardhur para gjykatës edhe ngjarjen në vija të përgjithshme duke vënë theksin konkretisht tek fakti se vrasjet janë kryer me gjakftohtësi dhe se autori i krimit të katërfishtë është krejtësisht i përgjegjshëm për vrasjen e katër personave. 

 

Dëshmia në sallën e gjyqit 

 

Pas një sërë orvatjesh për të nisur seancën, në Gjykatë ka mbërritur Kreu i Dhomës së Avokatisë, Arben Lena, pasi 40 avokatët kryesisht nuk kanë pranuar të mbrojnë autorin e vrasjes së  katërfishtë. Lana ka deklaruar se është detyruar të marrë në mbrojtje Latollarin pas refuzimit të avokatëve.

 

Mësohet se i pandehuri është shprehur i penduar në Gjykatë, ndërsa ka pohuar se krimin e ka kryer për shkak të refuzimit të Daniela Meçollarit për tu divorcuar nga bashkëshorti, me qëllim që të martohej me të. "Jam penduar për krimin e katërfishtë.

 

Danielën e vrava se nuk u divorcua nga bashkëshorti, ndërsa Rexhepin e vrava aksidentalisht. Unë doja të vrisja vetëm Valentinën, ajo më prishi lidhjen me Danielën pasi i thoshte që të mos më takonte më. Djali i Danielës është i imi dhe për këtë jam i bindur, ndaj kërkoj të bëhen analizat e ADN-së. 

 

Po ashtu as mbi Belimanin nuk doja të qëlloja, pasi të gjithë ishin në dijeni të lidhjes sonë dhe ai nuk më ka prishur ndonjë punë, por e kapën plumbat pasi unë e humba toruan kur vrava Danielën”- tha Latollari në gjyq. Pas kryerjes së krimit Bashkim Latollari u vetëdorëzua në polici ku deklaroi: "Unë e doja marrëzisht Danielën. Kishim pesë vite bashkë dhe nuk mund të ndahesha me të.

 

Djali i vogël i saj është i imi dhe për këtë jam i bindur. I kërkova asaj të divorcohej dhe të martohej me mua. Fillimisht nuk më ktheu përgjigje dhe unë po prisja. Daja i Belimanit, Rexhep Metellari dhe bashkëshortja e tij, Valentina ndërhynë dhe prishën lidhjen time”.  

 

Prokuroria: Ja e vërteta e vrasjes së katërfishtë

 

Në orën 09.30’, të datës 08/ 01 /2014, Policia Gjyqësore ka kryer arrestimin në flagrancë të shtetasit Bashkim Latollari, lindur me 1974, në fshatin Gjonomadh, gjendja civile beqar, profesioni “bujk”, banues në fshatin Gjonomadh, i dënuar më parë, i cili është i dyshuar për kryerjen e krimeve të “vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”, kundër më shumë se dy personave, dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”. 

 

Nga studimi i të dhënave të dokumentuara nga Policia Gjyqësore rezulton se, me 07.01.2014, në orët e pasdites, i arrestuari Bashkim Latollari kishte vrarë katër persona në fshatin Gjonomadh me armë automatike model 63, të cilën e mbante pa leje. Më konkretisht, rreth orës 18.30’, i arrestuari Bashkim Letollari, me paramendim, kishte shkuar në banesën e shtetasit Beliman Meçollari, brenda ambienteve të kuzhinës dhe kishte qëlluar me armë atë dhe bashkëshorten e tij Daniela /Manjola Meçollari, në prezencë të fëmijëve të tyre të mitur, duke u shkaktuar vdekjen. 

 

Më pas, i arrestuari kishte shkuar në kasollen ku banonin shtetasit Rexhep Metollari dhe bashkëshortja e tij Valentina Metollari dhe kishte qëlluar me të njëjtën armë edhe në drejtim të tyre, duke u shkaktuar po ashtu vdekjen. I arrestuari ka deklaruar se këto vrasje i kishte kryer për shkak të prishjes së lidhjes jashtëmartesore që ai kishte prej vitesh me viktimën Daniela Meçollari. 

 

Nga kontrolli i vendeve në posedim të të arrestuarit u gjetën në një kasolle prej dërrase, të ndodhur brenda oborrit të banesës së tij, një numër i konsiderueshëm fishekësh, të cilat së bashku dhe me disa fishekë që ju sekuestruan të arrestuarit, si dhe armën e krimit janë administruar me cilësinë e provës materiale. 

 

Vleftësimi i masës së arrestit

 

Në të tilla rrethana, jemi të mendimit që ekzistojnë kushtet për të marrë masa shtrënguese, për arsyet që më poshtë vijojnë: 

 

Së pari: Ne kuptim të nenit 228/1 të Kodit të Procedurës Penale, në ngarkim të të arrestuarit Bashkim Latollari ka prova të plota për kryerjen  prej tij të veprave penale të “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municioneve”, parashikuar nga nenet 79/dh dhe 278/2/4 të Kodit Penal, bazuar kjo në provat e administruara deri tani, të cilat citohen më sipër. Këto prova, në unitetin e tyre, tregojnë për ekzistencën e atyre elementëve të mjaftueshëm juridikë dhe të rrethanave të faktit që krijojnë bindjen se i arrestuari i ka kryer veprat penale të parashikuara nga nenet 79/dh dhe 278/2/4 të K.Penal. 

 

Së dyti: Nuk ka shkaqe për moscaktimin e masës së sigurimit personal si ato të parashikuara në nenin 228/2 te K.Pr.Penale për padënueshmërinë e personit (pasi i arrestuari ka mbushur moshën për përgjegjësi penale dhe nuk rezulton të jetë i papërgjegjshëm mendërisht) ose të shuarjes së veprës penale (pasi veprat penale sapo kanë ndodhur). 

 

Së treti: Si kushte të posaçme për vendosjen e masës së sigurimit, të parashikuara në nenin 228/3 të K.Pr. Penale, janë ato që kanë të bëjnë me rrezikun e largimit për t’ju shmangur hetimit, gjykimit apo ekzekutimit të vendimit të dënimit që mund te jepet, rrezikut për kryeje të krimeve të rënda apo të të njëjtit lloj prej tij, si dhe për shkaqe që vënë në rrezik marrjen dhe vërtetësinë e provave që nevojiten të merren në vijim të hetimeve.

 

Në këtë rast, ekzistenca e këtyre kushteve është evidente, duke pasur parasysh natyrën e veprave penale, rëndësinë e faktit, sanksionin e lartë të dënimit që parashikojnë veprat, si dhe personalitetin e të arrestuarit, i cili paraqitet rrezikshmëri shumë të lartë shoqërore, çka rezulton ndër të tjera nga vendi, mënyra, rrethanat, motivet që kanë sjellë kryerjen e veprës penale në fjalë, si dhe numrin e lartë të viktimave, etj. 

 

Në caktimin e masës së sigurimit, sipas parashikimeve të nenit 229/1/2 të K.Pr.Penale, duhet pasur parasysh përshtatshmëria e masës me shkallen e nevojave të sigurimit që duhen marrë në rastin konkret, fakti që masa duhet të jetë në raport me rëndësinë e faktit dhe sanksionin që parashikohet për veprat penale. 

 


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama