Paraqiten si më të rrezikshmit në një shoqëri. Janë midis nesh po me një inteligjencë të jashtëzakonshme arrijnë të fshehin vesin e tyre makabër. Dikush i quan psikopatë, dikush kriminelë të lindur, por në fakt asnjë epitet ose krahasim nuk do të ishte i mjaftueshëm për të përshkruar ligësi të tilla çnjerëzore. Problemi qëndron në faktin se, pjesa më e madhe e tyre, duke përjashtuar rastet e vrasësve të pandërgjegjshëm, nuk pendohen dhe nuk i vret ndërgjegja për krimet e tyre. Disave, thjesht u pëlqen të vrasin e të torturojnë, ndërsa të tjerë mendojnë se për shkak të vuajtjeve që kanë përjetuar në fëmijëri, kanë të drejtë që të hakmerren ndaj racës njerëzore madje në disa raste, duke thënë se vetë Zoti i ka nxitur që ti kryejnë këto veprime.
Nuk është edhe aq e lehtë të krijosh një listë kronologjike të historisë së këtyre vrasësve, pasi është e vështirë të përcaktosh me saktësi nga ku tja fillosh. Nga një anë, vrasjet seriale mund të duken si një fenomen tërësisht modern, një simptomë e sëmundjeve të ndryshme mendore që kanë pushtuar Amerikën më tepër pas shekullit 20 si për shëmbull: izolimi, shkatërrimi social, dhuna seksuale, krimet e tërbuara etj., por, në anën tjetër, impulset kafshërore dhe sadiste që karakterizojnë vrasjet seriale janë padyshim po aq të vjetra sa edhe vetë raca njerëzore.
Çdo vështrim i përgjithshëm historik i vrasësve serialë duhet të fillojë të paktën me ngjarjet që përkojnë me epokën e Romës së Lashtë, kur Perandori Caligua përhapte me tërbim dhe kënaqësi të madhe shijen e tij të torturës dhe perversitetit. Gjatë periudhës Mesjetare, aristokratë të shthurur si Gilles de rais (i njohur si “Mjekra Blu”) dhe Elizabeth Bathory (Kontesha e Përgjakshme), ushqenin epshet e tyre çnjerëzore me gjakun e qindra vikatimave, ndërkohë që fshatarët psikopatë si Gilles Ganier dhe Peter Stubbe i thernin dhe bënin copa-copa viktimat e tyre me një egërsi aq kafshërore saqë të gjithë besonin se ishin njerëz-ujq. Monstra të tjerë vrastarë të epokës para modernizmit janë edhe persona si Kanibali Skocez, Sawney Beane dhe Vlad Gozhduesit, Drakula i jetës reale.
Shumica e ekspertëve të kriminalistikës bien dakord në faktin që vrasësi seksual i parë i periudhës moderne është Xhek Rrjepësi, krimet e të cilit, therja e kobshme e pesë prostitutave të Londrës, përhapi një valë shokuese paniku në të gjithë Londrën Viktoriane. Njëqind vjet më vonë, vrasja seriale e prostitutave është bërë një aktivitet aq i zakonshëm saqë (për të cituar vetëm një nga shumë shembuj të mundshëm) kur në vitin 1995 u dënua një ish-kryemagazinier i quajtur William Lester Suff për vrasjen e trembëdhjetë prostitutave në Kaliforninë e Jugut, mediat e raportuan këtë ndodhi me një indiferencë shokuese. Ky rast i shtohet historisë së gjatë të vrasjeve seriale të shekullit 20 dhe trasformimit tronditës të një anomalie monstruoze në një horror të përditshëm.
Bashkëkohësi amerikan i Xhek Rrjepësit, H. H. Holmes, i cili pranoi se kishte kryer njëzet e shtatë vrasje në vitet 1980, konsiderohet si vrasësi serial i parë amerikan i dokumentuar. Më pas u deshën të kalonin plot dy dekada përpara se të shfaqej i dyti në skenë: manjaku i panjohur i pagëzuar si “Njeriu-sëpatë i New Orleans-it”, i cili terrorizoi qytetin gjatë viteve 1918 dhe 1919.
Edhe pse ishte një dekadë e dhunshme dhe pa ligj, vitet njëzet prodhuan vetëm dy vrasës autentikë serialë: Earle Leonard Nelson, mbytësi serial i quajtur “Vrasësi Gorrillë” dhe perversi i neveritshëm, Carl Panzram. Vrasësit serialë kanë qenë po aq të pakët edhe gjatë viteve tridhjetë dhe dyzetë. Pedofili kanibal Albert Fish, dhe psikopati anonim i njohur si “Kasapi i Çmendur i Kingsbury Run”, janë vrasësit serialë të vetëm të njohur gjatë periudhës së Depresionit të Madh në Amerikë. Shfaqja makabër e viteve dyzet e vrasësve serialë kufizohet gjithashtu me dy emra të famshëm: Jake Bird, një hajdut vrasës i cili pranoi të kishte vrarë një dyzinë njerëzish me sëpatë dhe William Heirens, i famshëm për lutjen e tij të dëshpëruar të shkruajtur me buzëkuq: “Për hir të Zotit më kapni përpara se të bëj vrasje të tjera. Nuk arrij ta kontrolloj dot veten”.
Por periudha e dobët e vrasësve në Amerikë duket se përfundoi gjatë periudhës pas Luftës së Dytë Botërore. Hija e tyre filloi të përhapej me shpejtësi të madhe. që në fillim të ditëve me diell në Periudhën Eisenhower. Vitet pesëdhjetë ishin dëshmitarë të forcës shkatërrimtare të vampirit të Wisconsin, Ed Gein; të horroreve perverse të Harvey Murray Glatman të Kalifornisë (i cili fotografonte viktimat e tij të terrorizuara dhe të lidhura ndërkohë që i vriste); të krimeve vrastare të artistëve Martha Beck dhe Raymond Fernandez (Vrasësit me Zemër të Vetmuar); dhe tërbimit të përgjakshëm të Charles Starkweather, i cili i therte viktimat që gjente rrugës, ndërkohë që udhëtonte nëpër rrugët e Nebraskës.
Situata u përkeqësua edhe më tej gjatë viteve gjashtëdhjetë, një periudhë kjo që prodhoi figurat më të kobshme si: Melvin “Bisha e Seksit” Rees, Albert “Mbytësi i Bostonit” DeSalvo, Richard Speck, Charles Manson, dhe ende i panjohuri Vrasësi Zodiak. Ndërkohë, që vitet shtatëdhjetë sapo kishin filluar të hynin, problemi kishte filluar të bëhej aq i llahtarshëm, saqë për herë të parë, oficerët e policisë ndjenë nevojën e përcaktimit të fenomenit çnjerëzor si një kategori kryesore të kthimit. Vitet shtatëdhjetë ishin dekada e Berkowitz dhe Bundy, Kemper dhe Gacy, (“Mbytësit e Kodrave”) dhe shumë e shumë të tjerë.
Deri në vitet tetëdhjetë, disa kriminologjistë përdornin fjalë si murtajë apo epidemik për të karakterizuar problemin, i cili ndërkohë nuk ishte kërcënues vetëm në Amerikë, por edhe në shumë vende të tjera të botës. Edhe pse këto terma mund të bëheshin burim histerie kolektive, është e pamundur të mohohet se, vrasjet seriale kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë aq të zakonshme në Shtetet e Bashkuara, saqë shumica e autorëve të këtyre krimeve, ngjallin vetëm interes lokal. Vetëm më të kobshmit e këtyre vrasësve, ata që duken më tepër si monstra mitologjikë se sa kriminelë, si për shembull Jeffrey Dahmer, përbëjnë interes për të gjithë kombin dhe mbarë botën, duke u kthyer në tituj të tmerrshëm gazetash. Pas këtij vrojtimi të errët, është e vështirë të mos biesh dakord me shprehjen e famshme të Volterit: Historia nuk është veçse një pikturë e krimit dhe fatkeqësisë njerëzore”.
Karakteristikat e vrasësve serialë
Është e vështirë dhe gjithashtu e frikshme të hysh në brendësi të mendjes së errët të këtyre kriminelëve. Nuk mund të përcaktohet një përshkrim i përgjithshëm, pasi në shumicën e rasteve, ligësia e tyre ka rrënjë të thella dhe është ushqyer që në fëmijëri. Karakteristikat, ndoshta të vetmet, që i bashkojnë të gjithë këta kriminelë gjakftohtë është ligësia e tejskajshme dhe instinkti vrasës.
Përkrah karakteristikave kryesore të dukshme si: mendja e sëmurë, personalitet sociopatik, dëshira të pashprehura etj., disa vrasës serialë ndajnë së bashku disa karakteristika të tjera të veçanta. Në një tezë të prezantuar në Asocimin Ndërkombëtar të Shkencave Ligjore në vitin 1984, agjenti special i FBI-së Robert K. Ressler dhe disa prej kolegëve të tij, nxorën një listë të karakteristikave të përgjithshme të vrasësve serialë seksualë:
- Mbi 90% e tyre janë meshkuj të bardhë.
- Kanë tendencën të jenë inteligjentë me Koeficent Inteligjence shumë të lartë.
- Pavarësisht koeficentit të lartë të o=inteligjencës, ata kanë rezultate të ulëta në mësime, e kanë të vështirë të mbajnë një punë dhe zakonisht punojnë si punëtorë të rëndomtë dhe të paaftë.
- Zakonisht, vijnë nga familje shumë të paqëndrueshme. Në rastet më tipike janë të braktisur nga baballarët dhe rriten me një mama tejmase posesive dhe dominuese.
- Familjet e tyre shpeshherë kanë historik krimesh psikiatrike dhe alkoolizimi.
- Ata urrejnë baballarët. Urrejnë mamatë.
- Zakonisht janë persona të abuzuar në fëmijëri – prokologjiisht, fizikisht dhe seksualisht. Në disa raste abuzuesi është një i panjohur, ndonjëherë është një mik dhe në shumicën e rasteve një pjesëtar i familjes.
- Shumë prej tyre përfundojnë nëpër shkolla riedukimi, kur janë të vegjël dhe kanë probleme psiqike që në fëmijëri.
- Kanë një numër të madh tentativash për vetvrasje
- Që në moshë të hershme janë shumë të interesuar dhe të predispozuar për: perversitet, fetishizëm dhe pronografi sadomazokiste.
Këto janë shenja dhe karakteristika që diku më shumë e diku më pak janë të pranishme në jetën dhe mendjen e këtyre personave me personalitet të kobshëm. Gjithashtu, janë edhe tre simptoma të tjera që së bashku janë bërë tregues të çrregullimeve mendore të këtyre kriminelëve:
1. Urinim i pavullnetshëm – më shumë 60 përqind të vrasësve serialë lagnin krevatin deri në moshën dymbëdhjetë vjeçare.
2. Vënia e zjarrit – fëmijët kanë qejf të luajnë me shkrepëset, pasi tërhiqen nga flaka e shndritshme shumëngjyrëshe. Por, vrasësit serialë kanë tendencën që këtë interes fëminor ta nxisin deri në një ekstrem të frikshëm. Mahnitja e tyre pas zjarrit është një tregues i hershëm i prirjes së tyre për shkatërrim spektakolar. Otis Toole, ndihmësi i çmendur i vrasësit serial Henry Lee Lucas, i vuri zjarrin shtëpisë së fqinjëve të tij kur ishte vetëm gjashtë vjeç. George Adorno, vrasësi drithërues i adoleshentëve ishte edhe më i vogël kur shfaqi për herë të parë tendencën e tij kriminale, duke i vënë zjarrin motrës së tij, kur ishte vetëm katër vjeç. I pandreqshmi, Carl Panzram, është dërguar në një shkollë riedukimi në moshën njëmbëdhjetë vjeçare. Disa muaj më pas, i vuri zjarrin shkollës, duke shkaktuar dëme prej 100.000 dollarësh.
3. Aktivitete sadiste – Përpara se të rriten për t’u bërë të aftë t’i shkaktojnë dëm qenieve të tjera njerëzore, vrasësit e ardhshëm kanë tendencën të kënaqin instiktin e tyre të ligë, duke torturuar krijesat e vogla, zakonisht kafshët shtëpiake.