Vrasja e 20-vjecares ne lokal shkon ne tre numri i te arrestuarve

Vrasja e 20-vjecares ne lokal, shkon ne tre numri i te arrestuarve

Shkon në tre numri i të arrestuarve për vrasjen e 20-vjeçares Elsa Tusha, mbrëmjen e së shtunës në Kryebushat të Shkodrës. Policia arrestuar të dielën, 28-vjeçarin Mirsad Aletin, lindur dhe banues në Bërdicë për vrasje me dashje dhe 22-vjeçarin Paulin Ndoj, lindur dhe banues në Kaçe për “vrasje mbetur në tentativë”, “armëmbajtje pa leje”, “prodhim dhe shitje e narkotikëve” dhe “kultivim i bimëve narkotike”. Dje në pranga përfundoi dhe Valentin Toma. Sipas Policisë së Shkodrës, arrestimi i këtyre shtetasve u bë pasi më datë 7 mars 2015, rreth orës 21.50 tek lokal “Argenti” në Bushat, pas një konflikti për motive të dobëta është vrarë me armë zjarri shtetasja E T, 20 vjeç, banuese në fshatin Kaçe, bashkia Vau i Dejës si dhe janë plagosur rëndë me armë zjarri, Paulin Ndoj dhe Selim Aleti. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e Tomës, u gjetën dhe sekuestruan 80 vazo me dhe e sipër tyre disa llampa si dhe një sasi me fara të dyshuar si lëndë narkotike.


VETEDOREZOHET MIRSAD ALETI, DYSHOHET PER VRASJEN E ELSA TUSHES


Gazetari Mirsad Rrakaj njoftoi se vetëm 24 orë pas ngjarjes së rëndë në Kryebushat të Shkodrës, ku mbeti e vrarë me armë zjarri 20-vjeçarja Elsa Tusha si dhe u plagosën dy të tjerë, policia ka arrestuar autorin e dyshuar të krimit.


Burime nga blutë e qytetit verior, bënë me dije se mbrëmjen e së dielës, pas disa orësh në arrati është vetëdorëzuar Mirsad Aleti, i cili akuzohet si autor i vrasjes së vajzës si dhe plagosjes së shoqëruesit të saj, 30-vjeçarit Paulin Ndoja. Ndërkohë, në pranga dje ra dhe 31-vjeçari Valentin Toma, i akuzuar si një nga pjesëmarrësit në këtë konflikt. Të njëjtat burime pohuan se Toma ishte në një tavolinë i ulur me viktimën si dhe mikun e tij Ndoja, gjatë kohës kur këta të fundit u konfliktuan me Mirsad Aletin dhe babain e tij, të plagosurin, 56-vjeçarin Selim Aleti.


Mësohet se gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e 31-vjeçarit Valentin Toma, policia ka zbuluar një laborator të përpunimit të lëndëve narkotike. Ndërkohë, blutë e Shkodrës bënë të mundur bllokimin dhe sekuestrimin e këtij laboratori. Deri më tani, janë shoqëruar dhe marrë në pyetje mbi 15 persona, që mendohet se kanë dijeni për ngjarjen e rëndë që tronditi mbrëmjen e 7 marsit Shkodrën. Pas 24 orësh në arrati, Mirsad Aleti, i dyshuar për vrasjen e Elsa Tushës si dhe plagosjen e Paulin Ndojës, është vetëdorëzuar pranë komisariatit të policisë së Shkodrës.

 

Ndërkohë, në prangat e policisë ka përfunduar dhe 31-vjeçari Valentin Toma, i dyshuar si një nga autorët e konfliktit me armë zjarri mbrëmjen e së shtunës. Mësohet se Toma ka mundur të largohet nga vendi i ngjarjes ku ndodhi krimi me një automjet tjetër. Burime nga policia lokale, konfirmuan se Toma është ndaluar rreth orës 02:00 të mëngjesit të së dielës. Mësohet se gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij, iu gjet edhe një laborator i përpunimit të hashashit. Po ashtu, dje u arrestua dhe Toni Marku, i cili dyshohet se ka qenë në tavolinë me viktimën dhe 30-vjeçarin Ndoja. Gjatë kontrollit në banesën e tij, policia gjeti dhe sekuestroi një armë zjarri, për të cilën i riu nuk dispononte leje.


Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Shkodër, bënë me dije për “Gazeta Shqiptare” se gjithë sherri ka nisur brenda në lokalin me muzikë ‘live’ “Argenti”, ndërmjet dy tavolinave të ndryshme. Në njërën prej tavolinave qëndronin Paulini, Valentini dhe viktima, Elsa, (të tre bashkëfshatarë), si dhe Toni Marku. Ndërkohë, në tavolinën tjetrën ndodhej autori i dyshuar i vrasjes, Mirsad Aleti së bashku me babin e tij, Selimin dhe 2 persona të afërm të familjes.

 

Të njëjtat burime deklaruan se në atë moment ka nisur konflikti mes palëve për motive banale, duke precipituar deri në konfrontim fizik mes tyre. Po sipas policisë, mësohet se Paulini dhe Valentini kanë dalë jashtë për të marrë armën tip “Kallashnikov” dhe kanë hyrë brenda në lokal duke qëlluar 5 herë në drejtim të pjesëtarëve të fisit Aleti. Nga të shtënat e armëve i plagosur ka ngelur 56-vjeçari Selim Aleti. Fill pas kësaj ngjarjeje, Mirsad Aleti i ka marrë nga duart automatikun Paulin Ndojës, ndërsa ky i fundit është larguar me shpejtësi në drejtim të makinës. Ndërkohë, 26-vjeçari dyshohet se ka hapur zjarr drejt automjetit tip “BMW X5″ me targa SH6969, ku për pasojë mbeti e vdekur 20-vjeçarja Tusha dhe u plagos 30-vjeçari Ndoja.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama