Kostandin Xhuvani, i vënë nën akuzë nga prokuroria për vrasjen e katërfishtë në lokalin e natës “Ante grand” në kryeqytet, pritet të dalë para Gjykatës më 11 Dhjetor. Pas kërkesës për gjykim dorëzuar nga prokurorët Erion Pano dhe Enklid Gjini, Gjykata e Tiranës ka caktuar që ky proces të drejtohet nga gjykatësi i Dhomës Penale Sokol Tona.
Përballja e parë e Xhuvanit me akuzën për “vrasje ne rrethana te tjera cilësuese”, “prodhim dhe mbajtje pa leje të armeve dhe municionit luftarake”, pritet të bëhet më 11 dhjetor në orën 10:30 në Gjykatën Penale të Tiranës.
Djali i ish-deputetes socialiste, Luiza Xhuvani dhe regjisorit të njohur Gjergj Xhuvani, akuzohet se rreth orës 04:00 të mëngjesit të 4 nëntorit ekzekutoi me armë mikun e tij 19 vjeçar Arbër Demiraj, djali i ish-prokurorit Skënder Demiraj, italianin Giampaolo Azzolo 55 vjeç si dhe Edison Jahon e Enea Xhajn, me të cilët Xhuvani është konfliktuar në ambientet e lokalit të natës.
Bashkë me Xhuvanin në pranga u vu edhe i riu Erald Sida, hetimet për të cilin janë ende të hapura në akuzë për moskallëzim krimi.