Policët e gardianët grekë kanë frikë nga hakmarrja e të burgosurve shqiptarë në Greqi, për vdekjen makabre të Ilia Karelit (Kudret Kume). Ky është lajmi që përcillet me shqetësim nga media helene. Sipas një reportazhi të televizionit “Sky”, në kutinë e ankesa që kanë burgjet e shtetit fqinjë janë hedhur shumë letra kërcënuese ndaj gardianëve. Televizioni grek ka siguruar faksimilen e një letre, që sipas gjasave është shkruar nga një i burgosur shqiptar.
Nuk thuhet se në kë burg është hedhur, por nga faksimilia lexohet shumë qartë se çfarë shkruhet me një greqishte të çalë dhe me shumë gabime. Autori i letrës i kërcënon policët e punonjësit e burgjeve se shumë shpejt hakmarrja për vdekjen e Karelit do të bjerë ta. “Shqiptari vrau grekun. Greku vrau shqiptarin. Tani shqiptari do të vrasë shumë policë dhe punonjës grekë. Shqipëria është e fortë. Grekë by…ra, ku…a, prisni së shpejti…”, shkruhej në letrën e shkurtër.
Mjete të improvizuara, çarçafë të përdredhur
Çarçafë të përdredhur të bërë nyje ose të mbushur me rërë të lagur, dyshohet se janë përdorur midis mjeteve të tjera për rrahjen e Ilia Karelit nga gardianët grekë. Ky është zbulimi i fundit i bërë nga mediat helene, të cilat deklarojnë se diçka e tillë është zbuluar nga raporti mjekoligjor për shkaqet e vdekjes të shqiptarit nga Zhupani i Fierit.
Sipas këtij raporti në rrahjen në grup prej 10 vetash, disa prej torturuesve kanë përdorur këto mjete për të goditur Karelin, duke i shkaktuar plagë të rënda, por jo vdekjeprurëse, pasi ato janë shkaktuar nga thyerja e kafazit të kraharorit dhe nga përdorimi i elektroshokut.
Ndërsa përsa i përket vendit se ku ka ndodhur ngjarja tashmë duket se nuk ka më asnjë dyshim. Sipas mjekëve ora e torturimit përputhet me harkun kohor kur shqiptari është dorëzuar në burgun e Nigritas. Pra më 27 mars, rreth orës 16:00 – 18:00. Nga kronologjia e dhënë prej mjekëve del se qartë se rrahja barbare ka ndodhur gjatë periudhës kohore që Ilia Kareli ndodhej në qelinë pa kamera në burgun e Nigritas, aty ku u gjendën edhe gjurmë nga gjaku i shqiptarit.
Kujtojmë se tentativa e gardianëve të Nigritas për të pastruar sa më mirë dhomën e torturave, ngjalli dyshimet tek hetuesit që më pas me mjete special gjetën gjurmët e gjakut. Po kështu edhe deponimet e policëve të grupit të shoqërimit që dorëzuan shqiptarin në Nigritas flasin për një shfaqje të hapur të prirjeve dashakeqe të gardianëve ndaj atij që kishte vrarë kolegun e tyre.