Aksioni policor në zonën e Fushë Krujës ka zgjatur disa orë dhe në një magazinë, janë gjetur dhe sekuestruar, një motor, i ngjashëm me atë që u përdor në vrasjen e bankierit 58-vjeçar Artan Santo, tre skafandra, dy prej të cilave të pastruara, që dyshohet të jenë përdorur se fundmi, ndërsa e treta ishte e mbuluar nga pluhuri. Skafandrat janë të ngjashme me ato të përdorura nga vrasësit, të cilët shfaqen në pamjet filmike të kamerave të sigurisë, jo vetëm të Bankës “Credins”, para së cilës u vra vetë drejtori ekzekutiv i saj, por edhe të kamerave të sigurisë rrugore, atyre të bizneseve private si dhe pamje filmike të regjistruara me celularë nga qytetarë të ndryshëm. Në këtë magazinë, e cila nuk bëhet e ditur se kujt i përket janë gjetur dhe sekuestruar dhe disa automjete luksoze, si dhe disa makina lojërash fati.
Skafandrat janë dërguar në laborator shkencor, me shpresën për të gjetur qoftë dhe një gjurmë të vogël, që mund ti ndihmojë për identifikimin e autorëve të vrasjes. Ndërkohë është marrë në pyetje paraburgosuri Kujtim Çela, vëllai i Gëzim Çelës, ky i fundit i shpallur në kërkim, pasi në vilën e tyre në Fushë Kuqe të Mamurrasit, u gjetën dhe sekuestruan sasi të mëdha heroine, është marrë në pyetje si person që mund të japë informacion lidhur me autorët e mundshëm të vrasjes së bankierit dhe biznesmenit Artan Santo. Lajmin e konfirmojnë zyrtarë të lartë të Policisë së Shtetit, të cilët thanë se Kujtim Çela, i cili ndodhet prapa hekurave, nën akuzën e trafikut ndërkombëtar të drogës, u pyet disa orë pasi ndodhi vrasja e bankierit në zonën e ish-bllokut në zemër të kryeqytetit. Hetuesit janë të rezervuar dhe nuk japin detaje rreth dëshmisë së Çelajt, por theksojnë se pyetja e tij është me mjaft interes për hetimin dhe zbardhjen e krimit.
Pasi kanë lënë qelinë e këtij të dyshuari, hetuesit kanë marrë në pyetje një tjetër të paraburgosur, i vënë në pranga, vetëm një ditë pas Kujtim Çelës dhe shpalljes në kërkim të vëllait të tij, Gëzim Çela. Bëhet fjalë për Astrit Bushin, një personazh mjaft i njohur për policinë dhe drejtësinë shqiptare, rrëfimi i të cilit gjithashtu, shpjegojnë hetuesit është një e dhënë mjaft domethënëse për hetimin e çështjes. Ndërsa dy dëshmitë e tyre janë administruar, mbetet e paqartë, lidhja e tyre në ngjarjen e ndodhur mëngjesin e 26 qershorit, ku bankieri 58-vjeçar Artan Santo, u godit për vdekje nga tre plumba nga dy persona që udhëtonin me një motor tip ‘Suzuki V STROM’, që në kokë mbanin skafandra. Lidhja e vetme deri në këto momente, edhe vetëm fakti që dy të paraburgosurit janë nga zona, ku vrasësit e bankierit kanë mundur të humbasin nga ‘sytë’ e policisë, duke u shpëtuar kësisoj prangave.