Ende asnjë autor për ekzekutimin mafioz të bankierit dhe botuesit të njohur Artan Santo, por përpjeket e policisë dhe grupit hetimor për identifikimin e atentatorëve vijojnë intensivisht prej së enjtes kur Santo u qëllua për vdekje. Drejtori i Policisë së Përgjithshme Artan Didi dhe zv/drejtori Sokol Bizhga që drejton grupin hetimor janë mbledhur sërish mëngjesin e sotëm për të diskutuar rezultatet e deritanishme të hetimeve.
Mbledhja me dyer të mbyllura zhvillohet në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, ndërsa hetimet kanë vazhduar deri në orën 04:00 të mëngjesit të së premtes në Tiranë dhe Bubq të Fushë-Krujës nga ku dyshohet se kanë marrë drejtimin autorët pas krimit të rëndë.
Policia ka shoqëruar në komisariat disa persona, ndërsa burime për A1 REPORT bëjnë të ditur se priten masa ndëshkimore për disa drejtues të komisariateve të Tiranës në lidhje me veprimet dhe hetimet pas vrasjes së ndodhur në zemër të kryeqytetit në zonën e ish bllokut. Artan Santos iu bë pritë nga dy persona të cilët e kishin ndjekur me motor pa targa, nga shtëpia deri në momentin që bankieri do të futej në zyrën e tij në bankën Credins të cilën e drejtonte prej vitesh.
Një polic rrugor është personi që ka pasur kontaktin më të afërt me atentatorët, të cilëve pak para krimit u ka “tërhequr” vëmendjen për faktin se kishin ndaluar motorin në një vend që nuk lejohej, por aspak për faktin që përse motori ishte pa targa. Vetëm pak çaste më vonë, me mbërritjen e makinës së Artan Santos pranë bankës Credins, autorët qëlluan me pistoletë ndaj tij, ndërsa biznesmeni poi drejtohej ambjenteve të bankës.