Dy kushërinjtë e dyshuar si të përfshirë në vrasjen e bankierit Santo, pritet të lënë sot qelinë, pas tërheqjes së prokurorisë. Baruti i gjetur në duar nuk përbën provë direkte për mbajtjen në burg të Klodian dhe Gazmir Gjozit
Prokuroria e Tiranës është tërhequr nga qëndrimi për të mbajtur në qeli dy kushërinjtë Klodian dhe Gazmir Gjozi, të arrestuar si të dyshuar për vrasjen e bankierit Artan Santo. Ndryshe nga 15 ditë më parë, kur akuza kërkonte “arrest me burg” pa afat ndaj dy kushërinjve, ditën e djeshme prokuroria i ka drejtuar një tjetër kërkesë gjykatës, ku kërkon lirimin e të arrestuarve. Dy kushërinjtë Gjozi pritet të lirohen në seancën e sotme gjyqësore, pasi kanë qëndruar për 15 ditë në qeli si të dyshuar për vrasje. Shkak për tërheqjen e prokurorisë është bërë mungesa e provave ndaj të arrestuarve, të cilët kanë dëshmuar se ditën e ngjarjes ndodheshin në fshatin e tyre duke punuar tokën.
Të njëjtin version kanë dhënë për policinë të afërm, fqinj dhe bashkëfshatarë të dy kushërinjve, të cilët kanë deklaruar se atë ditë, Klodiani dhe Gazmiri kanë ndihmuar në ndërtimin e ujësjellësit të fshatit. Këto dëshmi janë pasuar me përgjigjet e kompanive celulare mbi vendndodhjen e telefonave të të dyshuarve, të cilat tregojnë se mëngjesin e 26 qershorit, ditën kur u vra bankieri Santo, ata nuk kanë qenë në Tiranë. Gjatë afatit prej 15 ditësh prokuroria ka ekspertuar edhe motorin në pronësi të Klodian Gjozit, i llojit “Suzuki”, i ngjashëm me atë të përdorur nga vrasësit dhe ka arritur në përfundimin se nuk është i njëjti mjet. Ky konkluzion ka dalë pas krahasimit të pamjeve filmike të motorit të përdorur nga vrasësit me motorin e gjetur në një servis pranë Rinasit, i cili është në pronësi të njërit prej të arrestuarve. I vetmi dyshim që rëndon ndaj kushërinjve të arrestuar janë gjurmët e barutit të gjetura në duart e tyre.
Ata kanë deklaruar se nuk kanë qëlluar asnjëherë me armë, por ekspertiza zbuloi në duart e tyre grimca të ngjashme me ato që lënë gëzhojat e armëve të zjarrit. Por edhe për këtë rast mbrojtja e të dyshuarve e ka një shpjegim, pasi në prokurori ka deklaruar se dy personat e ndaluar kanë përdorur gur fresibël për prerjen e tubave të ujësjellësit. Sipas ekspertëve, këto grimca mund të mbeten në duar edhe pas ndezjes së një shkrepëseje, çka tregon se një provë e tillë është tepër e dyshimtë. Në kushtet kur prokuroria nuk ka mundur të sigurojë prova të tjera, është detyruar të kërkojë lirimin e të arrestuarve, të cilët mbahen prej 15 ditësh në qeli. Sipas burimeve të akuzës mësohet se kërkesa për lirimin e të arrestuarve nuk i përjashton ata nga lista e të dyshuarve. Ata do të hetohen në gjendje të lirë, edhe pse verifikimet e deritanishme nuk kanë mundur të sigurojnë asnjë provë kundër tyre.
Dy kushërinjtë Gjozi u ndaluan nga policia ditën e vrasjes së bankierit Artan Santo, pasi policia siguroi të dhëna se njëri prej tyre kishte një motor të ngjashëm me atë që kishin përdorur autorët e vrasjes mëngjesin e 26 qershorit. Vetëm pak ditë më pas, policia tha zyrtarisht se dy kushërinjtë kishin të shkuar kriminale në vendin fqinj Greqi, ku ishin dënuar për disa vepra penale, ndërsa theksuan se në duart e tyre ishin gjetur gjurmë baruti. Por, pavarësisht qëndrimit të policisë, gjatë seancës për caktimin e masës së sigurimit i kërkoi gjykatës të shpallë të paligjshëm ndalimin e dy personave, kërkesë kjo që është pranuar nga gjykata, e cila caktoi masën e sigurisë “arrest me burg” me afat 15 ditë. Tashmë që prokuroria kërkoi lirimin e tyre, policisë do t’i duhet të gjejë një tjetër pistë për vrasjen e bankierit, e cila sipas të dhënave të hetimit duket ende e largët. Policia në bashkëpunim me prokurorinë kanë pyetur me dhjetëra persona dhe kanë kryer një sërë veprimesh hetimore, por ende nuk kanë një pistë të qartë që do t’i çojë ata drejt zbardhjes së ngjarjes që tronditi mbarë opinionin publik.