Vrasja e bankierit Ripyeten familjaret dhe bashkepunetoret

Vrasja e bankierit: Ripyeten familjaret dhe bashkepunetoret

Familjarët e bankierit Artan Santo janë rimarrë në pyetje nga Prokuroria e Tiranës. Ata janë pyetur rreth konflikteve të mundshme të 58-vjeçarit në familje apo në punë. Familjarët i kanë mohuar sërish problemet në familje, ndërsa janë fokusuar tek aktiviteti i tij në bankë, apo edhe në biznese të tjera, ku Santo ka qenë aksioner. Burimet nga prokuroria tregohen të rezervuara në dhënien e informacioneve rreth dëshmive, ndërsa pohojnë se janë marrë disa indicie, të cilat do të hetohen dhe verifikohen më pas, për të shkuar ndoshta deri tek ideatorët e këtij atentati mafioz që tronditi Tiranën paraditen e 26 qershorit. Disa orë pas vrasjes, familjarët u pyetën shkurtimisht për ndonjë konflikt të Santos, por që përgjigjja e tyre ka qenë se nuk kishin dijeni. Bashkëshortja por dhe dy fëmijët kanë treguar se Artani ka qenë tepër i qetë ditët e fundit, madje ishte shumë i qeshur. Akuza thotë se familjarët kanë pohuar se të vetmet probleme kanë qenë për detyrën, pra për bizneset që ka drejtuar. Në dëshminë e parë, ata nuk i kanë përmendur asnjë emër personi të dyshuar hetuesve, të cilët kanë sekuestruar sendet personale të biznesmenit, për të mësuar më shumë rreth ndonjë konflikti nga ku do të lindte edhe një motiv i qartë për ekzekutimin mafioz.

 

Lista e dëshmitarëve

Prokuroria e Tiranës ka prerë fletëthirrje për disa biznesmenë VIP, të cilëve u ka dalë emri gjatë hetimeve për vrasjen e bankierit Artan Santo. Grupi hetimor ka përpiluar një listë të gjatë me emrat e këtyre personave, të cilët janë bashkëpunëtorë të afërt dhe të largët të 58-vjeçarit, por edhe biznesmenë që kanë kryer transaksione nga banka që drejtonte i ndjeri. Një grup i gjerë hetimor në akuzën e kryeqytetit po heton në konspiracion të plotë këtë çështje dhe nuk preferon të japë shumë shpjegime, madje as policisë, me të cilën ka pasur një “përplasje” në lidhje me dhënien e informacioneve për dy kushërinjtë nga Fushë-Kruja. Në këto kushte, hetuesit e çështjes kanë kryer me shpejtësi një listë me emra personash që do të merren në pyetje për këtë procedim penal, të cilët do të thirren si persona që kanë dijeni për ngjarjen në fjalë, apo edhe për ndonjë motiv që i çuan autorët të ekzekutonin Santon paraditen e 26 qershorit në kryeqytet. Dy nga tre pistat hetimore të organit të prokurorisë kanë të bëjnë me konflikte të mundshme të Santos me bashkëpunëtorë apo me biznesmenë, disa prej të cilëve edhe VIP. Prokuroria tha disa ditë më parë se sekuestroi në bankën që drejtonte Santo 7 volume me materiale dhe verifikimet e mëvonshme nxorën në dritë disa vendimmarrje të Santos, në favor, apo kundër disa biznesmenëve. Pikërisht këto “konflikte” do të jenë objekt i verifikimeve nga hetuesit e çështjes, ku si në çdo procedim penal, prokuroria, pas sekuestrimit të dokumenteve, operon me dëshmitë e personave konkretë.

 

Transaksionet

Në fokus të hetimeve të prokurorisë janë pikërisht transaksionet bankare të bankës që drejtohej nga Artan Santo, deri në momentin e ekzekutimit të tij. Në bankë janë marrë të dhëna për disa transferta miliona euro që janë bërë në dy vitet e fundit, ku ndër më pikantet ka qenë çështja që kishte të bënte me shitjen e kompanisë ARMO te disa shtetas azerbajxhanas. Prokuroria ka kërkuar informacione më të zgjeruara për këto transferta, ndërsa ka futur në grupin hetimor që heton vrasjen e Santos edhe prokurorin që më parë kishte hetuar këtë çështje. “Do të pyesim cilindo person që ka pasur dijeni për aktivitetin bankar të zotit Santo. Madje, do të verifikojmë të gjitha të dhënat për ndonjë konflikt të mundshëm me këta biznesmenë të viktimës”, – pohojnë burimet nga Prokuroria e Tiranës. Sipas tyre, në pyetje janë marrë fillimisht të gjithë aksionerët e bankës, ndërsa mësohet se ata do të thirren sërish, për të saktësuar edhe disa të reja nga hetimi, që kanë të bëjnë pikërisht me këto transferta apo transaksione bankare që kanë qenë me firmën e zotit Santo. Prokuroria nuk i jep emrat e biznesmenëve VIP, disa prej të cilëve kanë kërkuar që të japin shpjegim në “fshehtësi” dhe në orët e pasdites, duke iu shmangur edhe syve kureshtarë.

 

Kompleksi

Prokuroria thotë se po verifikon edhe një pistë tjetër hetimore për vrasjen e Santos, atë të ngritjes të një kompleksi turistik në Kosovë. Bankieri ishte një nga nismëtarët për ngritjen e këtij kompleksi, ndërsa ka bërë edhe disa transferta, apo ka firmosur disa shkresa, për të cilat prokuroria ka kërkuar më shumë të dhëna. Hetimet do të fokusohen se cilët kanë qenë aksionerët, menaxherët apo edhe ndërtuesit e ngritjes së atij kompleksi, për të mësuar më shumë mbi këtë aktivitet. Prokuroria thotë se u ka kërkuar disa të dhëna homologëve të tyre kosovarë, ku kërkojnë investitorët dhe menaxherët që janë marrë me këtë projekt, pasi ka të dhëna se mes investitorëve ka pasur edhe xhelozi me njëri-tjetrin. Prokuroria saktëson se kjo është veçse një pistë hetimore dhe asgjë më shumë, pasi nuk ka vërtetuar ndonjë të dhënë konkrete për ideatorët e ekzekutimit të bankierit Artan Santo.

 


Ministri
Tahiri: Santo? Autorët donin të bënin shumë zhurmë


Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, komentoi dje për herë të parë vrasjen e biznesmenit Artan Santo, ngjarje që e cilësoi shumë të rëndë. “Për sa i përket ngjarjes së fundit që ndodhi në ish-Bllok, për zotin Santo, është sigurisht një ngjarje shumë e rëndë, që pa asnjë dyshim ai që e ka bërë, ka dashur edhe zhurmë përveç vrasjes. Ne po hetojmë. Hetimet janë shumë të vështira. Prokuroria po drejton hetimet dhe ka nevojë për nxitje më të fortë. Bëhuni bashkë me Policinë e Shtetit, sepse lufta kundër krimit të organizuar dhe kriminalitetit me jaka dhe kollare nuk luftohet vetëm nga policia, por duhet të luftohet nga të gjithë bashkë, në mënyrë që të mos shqetësoheni kur ju kërcet te këmbët, por të shqetësoheni kur kërcet kriminaliteti për çdo qytetar dhe mos e politizoni luftën kundër krimit. Mos bëni politikë me ngjarje kriminale, por bëhuni bashkë me Policinë e Shtetit në luftën kundër tij”, – tha Tahiri.
 

“Santo”

Hetimet po fokusohen te telefonat në përdorim të Klodian dhe Sajmir Gjozit

Prokuroria i kërkon policisë të gjejë prova për kushërinjtë

Deklarata e dy ditëve më parë e Policisë së Shtetit, ku thuhej se ishin gjetur prova për dy kushërinjtë nga Fushë-Kruja për vrasjen e Santos, si gjurmë baruti në duar, nuk është pritur mirë nga grupi hetimor i Prokurorisë së Tiranës. Nën zë, ata deklarojnë se i kanë kërkuar policisë më shumë informacione rreth këtyre dy kushërinjve, për të cilët po këqyren disa banesa, apo edhe telefonat e tyre celularë, nga ku mund të ndërtohet edhe një herë rrugëtimi i autorëve.

Nga këqyrjet e vendit ka rezultuar se hetuesit kanë gjetur mbetje baruti në pjesë të ndryshme të trupit të dy kushërinjve të arrestuar pas vrasjes së biznesmenit Artan Santo, Klodian e Sajmir Gjozi. Megjithatë, policia tha se dy të rinjtë në momentin e ndalimit nuk kishin të veshura rrobat me të cilat dyshohet të kenë kryer krimin dhe po punohet për gjetjen dhe sekuestrimin e veshjes së asaj dite.

Tashmë, kur kanë një provë plotësuese, si mbetjet e barutit në trup, hetuesit kanë shpejtuar për të kryer disa verifikime të tjera, siç janë edhe kërkesa për të pasur në dosje të dhënat nga kompanitë telefonike. Këtyre të fundit u është kërkuar zbardhja e vendndodhjeve përmes antenave, të numrave të telefonit, që dy kushërinjtë Gjozi kishin në përdorim. Kjo do të mundësonte zbulimin e të gjitha lëvizjeve dhe itinerarit të ndjekur gjatë gjithë ditës së enjte. Përmes aparateve celularë, do të verifikohet nëse ditën e ngjarjes, Klodian dhe Sajmir Gjozi kanë qenë apo jo në Tiranë.

Avokati dhe vetë të dyshuarit kanë mohuar të kenë lidhje me ekzekutimin e Santos. Ata pretendojnë, se gjithë ditën e enjte kanë qenë në fshat, duke punuar së bashku me shumë persona të tjerë në shtrimin e tubave të ujit të pijshëm në zonë. Edhe motori i Klodian Gjozit, i sekuestruar në servisin ku ishte dërguar për riparim, rezulton se nuk ka të njëjtat të dhëna me motorin e shfaqur në fotot dhe videot e shpërndara nga policia. Nga krahasimi i tyre rezulton se motori i atentatorëve kishte dy pasqyra dhe dy marmita, ndërsa ai i të arrestuarve kishte nga një. Policia tha se motori i të arrestuarit Klodian Gjozi është vjedhur në Selanik, ku ky i fundit, ka vuajtur disa vite burg për vrasje.

Dje Prokuroria e Tiranës dërgoi në gjykatë një masë të re për dy kushërinjtë nga Fushë-Kruja. Kërkesa iu dorëzua së njëjtës gjyqtare që vendosi më parë arrest me burg 15-ditor për dy kushërinjtë Gjozi. Megjithatë, burimet nga akuza nuk japin shpjegime nëse do të kërkojnë ndonjë masë tjetër për këta të arrestuar, apo do të lirohen.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama