Vrasja e dyfishte zbehet pista e grabitjes Ymeri akuze per vrasje me dashje

Vrasja e dyfishte, zbehet pista e grabitjes, Ymeri akuze per vrasje me dashje

Një ditë pas ekzekutimit të dyfishtë, ku humbën jetën Ervin Shaba dhe Adnand Luli, policia ka ende të paqartë rrethanat e vrasjes së tyre, ndërsa fillimisht hetuesit morën në konsideratë mundësinë që vrasja të ishte një përleshje e mundshme mes dy të vrarëve që mund të kishin hyrë në banesë si grabitës dhe pronarit të shtëpisë, Flamur Ymeri. Hetuesit kanë dyshime në lidhje me ngjarjen për faktin se disa nga deklarimet e marra prej saj, janë kontradiktore apo që nuk kanë përputhje të drejtë lineare. Dyshimet e ngritura kanë çuar sërish dje hetimit në banesën e ndërtuesit, Flamur Ymeri në Selitë Tiranës ku ndodhi ngjarja. Kjo me qëllim për të rindërtuar skenën e vrasjes së dy të rinjve. Ymeri deklaroi në polici se i qëlloi dy të rinjtë në kushtet e vetëmbrojtjes pasi ata kishin hyrë në banesën e tij mëngjesin e së mërkurës me qëllim grabitjen. Në dëshminë e tij, ndërtuesi 46-vjeçar tha se i kishte qëlluar personat me armën e njërit prej tyre të cilën ua kishte marrë atyre gjatë përleshjes. Policia gjeti në vendngjarje dy armë të cilat rezultuan se ishin të viktimave. Mirëpo policia dyshon se vrasja mund të jetë kryer nga një armë tjetër, e cila nuk është gjetur në vendngjarje. Policia ka ngritur dyshime për fshehje të provave nga ana e Flamur Ymerit.

Grupi hetimor kreu këqyrjen për së dyti banesën e Ymerit në Selitë. Dy prokurorë, ekspertë kriminalistë të policisë shkencore si dhe hetues, për tri orë qëndruan në banesën e Ymerit, për të ndërtuar edhe njëherë skenën e krimit. Burime nga policia thanë se gjatë këtyre veprimeve qe e pranishme gruaja e Ymerit e cila ishte dëshmitare në ngjarje. Pas ngjarjes, banesa e 45-vjeçarit ka qëndruar e mbyllur në ruajtje të policisë me qëllim që të mos prisheshin provat. Çifti Ymeri deklaroi në polici se dy të vrarët, të maskuar dhe të armatosur hynë në banesën e tyre për të kryer grabitje. Ymeri iu tha hetuesve se ishte në gjumë në katin e dytë të banesës kur hynë grabitësit. Sipas tij, njëri prej autorëve kishte hyrë në dhomë dhe po kontrollonte për paratë. “Vrapova menjëherë dhe e kapa në befasi. Nuk e di as vete sesi ia mora armën që ai mbante në dorë. Ishte njësoj sikur t’ia kisha marrë një fëmije, aq e thjeshtë ishte. Ai mu vërsul por unë qëllova”,- mësohet të ketë thënë në polici 45-vjeçari duke shtuar se e kishte bërë këtë veprim për t’u vetëmbrojtur. Por gjatë kontrollit të ushtruar dje në banesën e tij u gjet një predhë e cila nuk i përket armëve të sekuestruar nga policia. Kjo e fundit dyshon se bëhet fjalë për një tjetër armë të pagjetur me të cilët janë qëlluar dy të rinjtë.

Gjithashtu policia ende nuk ka një version zyrtar nëse është tentativë grabitje dhe vrasje për vetëmbrojtje. Burime zyrtare nga policia thanë se paraprakisht ndaj 45-vjeçarit Flamur Ymeri është ngritur akuza e “vrasjes me dashje” dhe ai është arrestuar në flagrancë e pritet të dalë në gjykatë për t’u njohur me masën e sigurisë. Hetuesit po kërkojnë prova dhe dëshmi për të dalë në një konkluzion përfundimtar lidhur me motivet dhe rrethanat e ngjarjes ku mbetën të vrarë dy të rinjtë. Sipas policisë këqyrja e kryer ka nxjerrë se personat janë qëlluar me më tepër se një armë. Për këtë gjë, Ymeri është shpjeguar se fillimisht ka qëlluar me armën e njërit prej autorëve të cilit ia mori nga dora. Sipas tij, pasi i ka qëlluar të dy, i ka marrë armën edhe autorit të dytë dhe ka qëlluar sërish mbi dy personat megjithëse ata ndodheshin në dysheme të gjakosur. “Gjithçka ka ndodhur në gjendje paniku. U vetëmbrojta duke i qëlluar me armë e tyre” është shprehur në polici 52-vjeçari. Të njëjtin version ka dhënë edhe bashkëshortja e tij, Entela e cila i tregoi grupit hetimor se ishte ajo e para që konstatoi praninë e grabitësve në banesë. Policia deklaroi se pas njoftimit për ngjarjen nga vetë Flamur Ymeri mbërriti në banesën e tij kur gjeti dy viktimat brenda në banesë të maskuar me kapuç në kokë dhe me dorashka ndërsa në shpinë mbanin çantë sportive.

Paralelisht me hetimin për zbardhjen e mënyrës së vrasjes së dy të rinjve policia po verifikon edhe të shkuar e tyre. Burime nga policia thanë se nga verifikimet e kryera nuk është zbuluar asnjë ngjarje e shkuar kriminale në të cilën kanë qenë të implikuar dy viktimat. Gjithashtu rezulton se ata nuk kanë qenë më parë të dyshuar nga policia për ndonjë ngjarje kriminale. Policia tha se po heton ngjarjen në disa pista ku kryesorja është ajo e tentativës së grabitjes. Dy viktimat u identifikuar rreth katër orë pas vrasjes nga familjarët e tyre. Adnand Luli, 22 vjeç dhe Ervin Shaba, 26 vjeç, të dy banues në Selitë dhe shokë me njëri-tjetrin mbetën të vrarë në banesën e Flamur Ymerit ku paraprakisht dyshohet se kishin hyrë për të kryer grabitje. Familjarët e tyre janë shprehur se mes djemve dhe Ymerit nuk ka pasur njohje dhe se ata nuk kanë grabitur asnjëherë në jetën e tyre. Policia tha se po vazhdojnë hetimet për të dokumentuar plotësisht këtë ngjarje.

Familjarët: Ervini nuk ka vjedhur kurrë

Dy të rinjtë, Adnand Luli dhe Ervin Shaba të vrarë mëngjesin e së mërkurës në banesën e Flamur Ymerit prej tij janë përcjellë dje për në banesën e fundit. Ceremonitë mortore janë zhvilluar në distancën kohore prej një ore nga njëra-tjetra në varrezat e Sharrës në Tiranë. Banorët e lagjes ku banojnë të rinjtë shprehen se i njihnin ata për djem të sjellshëm që nuk kishin sjellë asnjëherë probleme.

Ndërkohë që në familjen e 26-vjeçarit Ervin Shaba ka pllakosur zia. Vdekja e tij ka shkaktuar dhimbje dhe shok jo vetëm tek familjarët e tij por edhe tek të afërmit dhe miqtë të cilët shprehen të habitur nga ngjarja.

“Nipi im nuk ka vjedhur kurrë në jetën e tij. Nuk e dimë sesi ka ndodhur ngjarja. Në as nuk e njohim personin që e ka vrarë. Nëse vërtetë nipi im ka hyrë për të vjedhur atëherë edhe autori nuk ka faj, sepse i ka hyrë në shtëpi, por unë di që ai kurrë nuk ka vjedhur më parë” u shpreh halla e viktimës.

Nga ana tjetër, pothuajse të njëjtën dëshmi japin edhe fqinjët e 26-vjeçarit. Sipas tyre, ai nuk kishte nevojë të grabiste pasi nuk vuante për bukën e gojës. “Nuk dukej djalë që i shkonte tjetrit në mëngjes në shtëpi për ta grabitur. Ishte i sjellshëm dhe pa probleme. Nuk e dimë se për çfarë ka shkuar tek shtëpia e tjetrit” shprehen fqinjët, të cilët nëpërmjet medieve kanë mësuar se Ervini u qëllua nga i zoti i shtëpisë ku kishte hyrë për të grabitur së bashku me një person tjetër.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama