Gratë janë personazhe në dy tablotë e mëdha. Të kapura e të varura pas torbave të pazarit, me pallto apo triko, me shaje pas koke e rreth gushe dhe modele flokësh demode, gra që ka lënë kuzhinën apo dhomën e ndenjjes për t’u kthyer prapë aty, gra që nuk i ka vënë akoma poshtë pesha e të ngrënit dhe të ushqyerit të të tjerëve si detyrë. Në njërën tablo gratë janë gojëqepur, në tjetrën u ka shpëtuar një e qeshur. Tabloja e tretë, në vaj dhe ajo, personazh është një qen lebros skeletik i vetmuar.
Nuk ka rëndësi fare se çfarë shfaqet në tablotë e Kërçovës, sepse ndodh që kuadri të zbrazet fare, “objekt” të jenë muret e bardhë të studios, siç ndodh në serinë “Dhoma me kënd të hapur”. Nëse shfaqet një reaksion në kuadrin e bardhë, – si dëshira për të mos folur e për t’ia hedhur gjuhën maces – ajo është një figurë e parëndësishme, lodra fëmijësh apo një qendër e imtë floreale. “Ka gjithnjë një skenë rrëzimi”, thotë artisti kur po shpjegon se si lind një punë nga një punë. Si në realizmin abstrakt të kuadrove të zhveshur, edhe në peizazhet me ujëra që ia gjetëm në proces, piktura e Kërçovës është në gjendje të të shqetësojë edhe trazojë më fort se një dramë e mirëshpjeguar që i rri besnike realitetit. Vrasja e natyrës dhe tradhtia e realitetit real, edhe në rastet kur piktori merret me gjallërinë e jetës siç shfaqet në njërën nga tablotë në “Onufri”, ndodh nëpërmjet ironisë dhe teknikisht me mjete minimale të pikturës.
Kundrim inteligjent i botës që ruan freskinë. Është ky vështrim që i bën njerëzit të pabarabartë, artistët ca më shumë.
“Nuk u nisa që të jem kritik ndaj fenomenit por të ndiqja një proces që është një përqasje ironike ndaj konsumit me mjete fare bazike të pikturës.”
Si është ky proces i Shpëtim Kërçovës? Bëmë dy copëza bisede jashtë dhe brenda studios, pikërisht për teknikën e realizimit të dy cikleve, njëri i “Onufrit”, dhe tjetri “Natyra të qeta të sheshta në stilin e barokut flamand” ekspozuar në personalen 2010 në Galerinë Zeta.
Nga rruga
Kur janë realizuar tri punët që prezantoni në “Onufri”?
Janë pjesë e një serie që është filluar më 1999. Një pjesë do ta shohim në studio. Njëra është përfaqësuar në çmimin “Muslim Mulliqi” në Prishtinë. Tjetra është prekur më vonë sepse kam menduar që puna ka pasur nevojë. Kjo shquhet shumë nga e qeshura. Personazhet-gra janë marrë nga rruga. I kam fotografuar.
Jeni bazuar në fotografimin?
Jam bazuar te fotografitë, pastaj puna në studio ka qenë renditja dhe vendosja për të krijuar një kompozim. Aty nuk ka ndonjë rend perspektive. Edhe personazhet e mëdhenj, edhe të vegjël janë gati në të njëjtin plan. Është një lojë me thellësinë. Në pikturë janë disa elemente shumë të rëndësishëm për mua: sipërfaqet e sheshta dhe problemet e thellësisë.
Elementi njerëzor është e qeshura, përse duhej shtuar?
Jo gjithmonë punohet me një logjikë racionale. Ka gjëra që janë impulse të panjohura. Thjesht po më pëlqente, duke i parë vazhdimisht në shtëpi, se kemi fatin dhe që… nuk na i blen njeri punët (qesh). Duke i parë, ndjeja që kishte nevojë për një goditje. Janë ca gjëra me shumë rëndësi për mua e që hyjnë tek pjesa instiktive e të krijuarit.
Dikush thotë që kjo e qeshur të kujton të qeshurën e realizmit socialist. Një autor tjetër thotë që e qeshura është mirë që të mos bëhet në pikturë, sepse supozohet që e qeshura është fotografike, është një moment. Ndërsa piktura supozohet që kap më shumë se një moment.
Si do t’i përgjigjeshit dikushit?
Që më erdhi t’i bëja për të qeshur dhe i bëra të qeshura. Kur i shikoja në mëngjes më jepnin impuls. Më duket se kaq ishte.
Megjithatë realiteti, në këtë rast, është burimi…
Është e vërtetë që ato e marrin spunton nga realiteti, kryesisht nga rruga. Imazhet janë personazhe realë, njerëz të zakonshëm.
Përse të gjitha janë femra?
Është një lidhje biologjike me femrën. Mund të jetë mamaja, gruaja, e dashura ose thjesht fakti që përgjithësisht femrat i shikoja të ngarkuara me ato trastat. I kam fotografuar në rrugë pa u rënë në sy. Fotot nuk kanë rëndësi, janë budallaqe, idiote, çfarë ka kapur aparati. Janë bërë në zonën “Avni Rustemi”. Kam përshtypjen që i gjen kudo.
Personazhet ndodhen në gjendje të papërcaktuar: janë nën peshën e torbave, kanë krijuar një lidhje varësie, iu është bërë një gjë e domosdoshme, po pse kanë një gëzim angari në fytyra?
Ja ku dolëm te një element i rëndësishëm: pesha. Unë doja ta jepja, ta theksoja peshën qoftë edhe fizikisht. Çdo njeri mban një peshë. Ato trastat kthehen dhe në një simbolikë ndoshta, tregojnë diçka direkte, por nuk tregojnë një gjë vetëm. Nga një vepër s’mund të nxjerrësh një përfundim të vetëm.
Dikush do thoshte ky është raporti që krijon artisti me fenomenin e konsumit, megjithëqë kaq do ishte e pamjaftueshme.
Përgjithësisht artistët kanë qenë të ndjeshëm ndaj këtij fenomeni të konsumit. Por unë jam përpjekur që të mos jetë kjo gjëja që godet e para. Në fillim ngrihet një imazh, pastaj punon mbi të, hedh provat e para, del për të mbledhur materialin, kujtesën dhe kthehesh në studio për realizimin, ndërtimin, të kompozuarit, krijimin e atmosferës.
Kujtesën?
Fotot janë një lloj kujtese, ato më shërbejnë që kur rri në studio ta kem më të lehtë materialin, sikur të dilja të bëja skica në natyrë.
Kujtesa jo-mekanike ç’rol ka ajo?
Natyrisht që ka një rol. Them se këtu marrin pjesë shtresëzimet e memories dhe të eksperiencave që çdonjëri nga ne ka. Ato nuk dalin në mënyrë lineare, herë-herë në forma të turbullta, të ndërthurura.
Një pjesë të kohës punoni në Akademi?
Në vitin e parë, ku mësohen bazat e përgjithshme të artit dhe dizajnit. Jap mësim kompozimin, teorinë e fushës.
Duket se të njëjtin fat si studentët pas shkolle kanë edhe pedagogët, nuk mund të jenë artistë të lirë financiarisht.
Është një gjë për të gjithë. Të rezistosh si artist në këtë vend është gati e pamundur. Duhet të bësh një punë që të mundesh të suportosh punën kryesore. Për studentët është shumë e vështirë. I vetmi moment i mirë i tregut është grafik dizajni që thith një pjesë të mirë të studentëve që dalin nga shkolla. Duhet t’i mëshojmë më shumë edukimit të grafik dizajnit, duhet një gjë më e mirë. Një edukim i mirë estetik në shkollë, do ishte më pozitiv.
Në studio
Në korridoret që lidhin dhomat e vogla të shtëpisë ku banojnë artistët Shpëtim Kërçova dhe Silvana Nini (Nini është fituese e Onufrit 2002) është varur pjesa tjetër e tablove “Pa titull” që mund të quheshin ndryshe “Shopping” ose “Ditë pas dite”. Në studio përtokë janë lënë “Natyra të qeta të sheshta në stilin e barokut flamand” realizuar më 2009-2011. Natyrisht që kjo seri s’ka asgjë të përbashkët me natyrat e qeta të mjeshtërve novatorë të gjashtëqind-shtatëqindës Jan Brueghel, Osias Beert, Jacob van Es, Anthony van Dyck etj., as pse Kërçova trajton si subjekte elemente fare të parëndësishme dhe të zhveshur nga simbolika e rënduar e religjionit e artistëve holandezë e flamandë. Por teknika e realizimit, puna me detajin është tepër e lodhshme për të arritur te krijimi i atmosferës.
Kjo seri që duket e krahasueshme për nga zhanri me një still life i një kopshti me lule, është realizuar nga shndërrimi skrupuloz i imazheve të reklamave të marketeve në figurë piktorike (artistja Lume Blloshmi realizoi vitin e shkuar instalacionin me fletushkat e promocionit të marketeve). Një mënyrë tjetër ironike për ta parë fenomenin e konsumit.
Nga merr shkas kjo seri?
E kam quajtur “Natyra të qeta të sheshta në stilin e barokut flamand”. Më pëlqen ta theksoj sheshtësinë, përkundër natyrës së qetë flamande që ishte me shumë vëllim.
Si duket ka pasur një impakt tek unë kjo periudhë e historisë së arti kur në Holandë zhvillohet shumë zhanri i natyrës së qetë edhe ku kuadri rezulton i mbushur me shumë produkte ekzotike. Janë ato momentet e shekullit 16-17 kur gëzon një shtrirje mbretëria holandeze. Piktura e kësaj kohe u mor me prezantimin e këtyre produkteve që vinin nga vende të ndryshme. Të përngjajnë me një formë reklamimi, dhe këto punë që kam bërë të çojnë disi tek ai lloj imazhi.
Si keni punuar?
Kjo seri merr shkas nga reklamat që sjellin te dera supermarketet. Me imazhet e tyre që prezantojnë produkte të ndryshme unë ndërtoj modele duke i shkëputur nga konteksti, duke marrë atë moment ku produkti arrin maksimumin, qoftë si informacion, shije, ngjyrë, etj.. Këto mbeten figura të sheshta. Kemi të bëjmë me një natyrë të qetë ku modeli është imazh ose pjesë imazhesh të cilat unë i rindërtoj prapë.
Frutat, djathërat, proshutat, nga cilat imazhe fillon puna?
Zgjedh imazhin që më bën përshtypje, që më tërheq vizualisht, e heq nga konteksti ku është dhe e vendos në dysheme. Të gjitha këto janë bërë pranë dritës, sepse do dalim pak më vonë që drita këtu futet si subjekt i rëndësishëm. Pjesët krijojnë një strukturë floreale dhe, si piktura si modeli hyjnë në relacion. Nuk pikturoj mbi një model të përfunduar, por ndërhyj mbi modelin, mbi pikturën deri në momentin që mendoj se është mirë, është mjaftueshëm.
Deri atëherë kur as modeli nuk është më ai që ishte…
Krijohet një ekspansion që fillon në një pikë dhe ajo hapet e shtrihet.
Nga shndërrimi në pikturë imazhet e promocionit e humbasin agresivitetin, përkundrazi prodhojnë një imazh tjetër, që mund të ishte një kopsht.
Është ndoshta ngaqë unë i pëlqej. Kur imazhet e promocionit fillojnë e përzihen, e humbin kuptimin dhe bëhen një masë ngjyrash e shijesh dhe shkojnë drejt gjendjes që unë kam kur hyj në një supermarket ku ndesh një mori gjërash të cilat vijnë me të njëjtin intensitet. Ndoshta edhe këtu ka qenë tendenca ime: për ta çuar pikturën drejt një zhurme, ndjesie ku i gjithë kuadri është i mbushur me ngjyra.
Dhe drita…
Të gjitha këto i kam punuar me dritë dite. Më interesonte drita e ditës sepse duke rënë mbi këto sipërfaqet e sheshta, ajo fillon dhe e shuan disi imazhin. Mund të vendosim njërën dhe jua tregoj konkretisht. Është ai momenti kur mua më pëlqente shumë t’i laja me dritë, t’i pastroja, t’i shuaja.
Biografi
Shpëtim Kërçova (1968) jeton dhe punon në Tiranë. Është diplomuar në Akademinë e Arteve më 1991. Ka studiuar tekstil me Nexhat Majallarin dhe pikturë me Kujtim Buzën. Jep mësim në Fakultetin e Artit dhe Dizajnit. Ka ekspozuar brenda dhe jashtë vendit, personale e kolektive.