Vrasja e kamerierit familjaret Duam drejtesi ose do bejme vetegjyqesi

Vrasja e kamerierit, familjaret: Duam drejtesi, ose do bejme vetegjyqesi

Denis Vyshka ishte djalë i vetëm dhe krahu i punës në familjen nga Elbasani, e cila e ka përcjellë dje për në banesën e fundit të dashurin e tyre. Denisi punonte ku të mundte, por në sezonin veror ai nisej nga Elbasani për në jugun e vendit për të punuar si kamerier në bregdet, një punë që për disa sezone verore i kishte sjellë ca të ardhura më shumë sesa puna si kamerier në qytetin e tij. Por vera e 2014-ës ishte udhëtimi i tij i fundit për në jug, ku humbi dhe jetën në mënyrë makabre, i vrarë nga punëdhënësi i tij, i cili e dhunoi për vdekje me akuzën se i kishte vjedhur 5 milionë lekë të vjetra nga xhiroja e lokalit. Lajmin e hidhur familja e mësoi nëpërmjet mediave, duke pësuar shok psikologjik për atë që panë e dëgjuan për djalin e tyre.

Në familjen e tij në Elbasan ka pllakos zija, por edhe zemërimi. Djali i tyre i vetëm nuk është më, ndërsa prindërit dhe të afërmit kërkojnë drejtësi si një mundësi e vogël për të ngushëlluar këtë dhimbje të madhe. “Ai ishte një djalë shembullor, punonte për të mbajtur familjen. Nuk e ka futur kurrë dorën në xhepin e asnjërit”, – thotë një i afërm i familjes për “Ora News”. “Djali ynë nuk ishte hajdut. Policia të zbulojë të vërtetën. Brenda 24 orësh duhet të zbardhet, ndryshe familjarët do të bëjnë vetëgjyqësi”, – thotë një i afërm tjetër i familjes. Kështu, familja e 26-vjeçarit të vrarë në Dhërmi paralajmëron vetëgjyqësi në rast se autorët e krimit nuk do të ndëshkohen si duhet nga drejtësia.

Komshinjtë që e kanë njohur që të vogël thonë se ishte një djalë i urtë, nuk u kishte krijuar asnjëherë probleme familjes apo shoqërisë. Ai kurrë nuk ishte ankuar për probleme që mund të kishte pasur gjatë punës sezonale që bënte në bregdetin e jugut. Familja Vyshka e përcolli dje Denisin për në banesën e fundit nën kujën e dy motrave, të nënës e babait, dhe të një zemërimi të madh për mënyrën makabre sesi iu ndërpre në mes jeta të riut.

Zbardhet vrasja

Policia e qytetit të Vlorës ka arritur të zbardhë detaje të vrasjes makabre në Dhërmi. Sipas burimeve nga uniformat blu të qytetit mendohet se vrasësit kanë njoftuar policinë për humbjen e parave pasi e kanë vrarë Denisin, duke e akuzuar si përgjegjës për humbjen e  500 mijë lekëve të reja.

Altin Imeraj, njeri prej pronarëve të lokalit “Shija e Detit” në Dhërmi, i akuzuar për vrasjen e kamerierit, disa orë pas vrasjes që ka kryer në bashkëpunim, i ka telefonuar policisë për të denoncuar shumën e 500 mijë lekëve. Policia e Vlorës që ka dhënë këtë detaj, ka bërë të ditur se nga hetimet paraprake, ka dyshime të bazuara se kamerieri është vrarë para se të bëhej ky denoncim. Policia e Vlorës ka njoftuar sot se nga verifikimet e kryera, ka rezultuar se njëri nga pronarët e lokalit “Shija e detit” dhe pikërisht shtetasi Altin Imeraj ka telefonuar në Sallën Operative të Drejtorisë së Policisë Vlorë, në numrin 129, më datë 14.04.2014 në orën 05:09. Ai ka denoncuar humbjen e një shume prej 500.000 lekësh të rinj.

Me marrjen e këtij njoftimi, një grup i përbërë nga një specialist i hetimit të krimit dhe një ekspert kriminalist kanë shkuar në fshatin Dhërmi në orën 07:00, ku kanë kryer veprimet procedurale në lidhje me kallëzimin për humbjen e parave.

Trupi i D.V është gjetur rreth orës 10:50. Ekspertiza mjekoligjore do të saktësojë orën e saktë të vrasjes së tij, por nga hetimet paraprake ka dyshime të bazuara se 28-vjeçari është vrarë përpara se në sallën operative të denoncohej humbja e shumës prej 500 mijë lekësh. Tashmë, policia e Vlorës i ka vënë Prokurorisë së Rrethit të gjitha materialet hetimore, si dhe provat e grumbulluara në vendngjarje për zbardhjen e plotë të vrasjes së të riut 28-vjeçar, Denis Vyshka.

Denis Vyshka, nga Elbasani, u gjend i vrarë mëngjesin e së enjtes në Dhërmi. Ai ishte goditur me mjete të forta dhe trupi i ishte hedhur rreth 300 m larg lokalit, ku ai deri një natë më parë kishte punuar si kamerier. Policia arrestoi për vrasjen e tij dy bashkëpronarët e lokalit “Shija e Detit” në Dhërmi, që e kishin punësuar, Ervis  Zylfaj dhe Altin Imeraj, si dhe kuzhinierin Miklovan Zymeraj. Në bashkëpunim, ata e kishin goditur atë deri në vdekje, duke e akuzuar për humbjen e 500 mijë lekëve.

 

Rrëfimi i pastrueses: Shpëtova nga vdekja duke u hedhur nga dritarja, si e vranë Denisin

Dorina Sako mund të kishte pasur të njëjtin fat me Denis Vyshkën, nëse nuk do të ishte hedhur nga dritarja e katit të dytë të lokalit pas dhunës që pronarët e tij kishin ushtruar mbi të. 43-vjeçarja, e cila punonte si pastruese në të njëjtin lokal dëshmoi në polici se kamerierin e vranë pronarët e lokalit ku punonte. Sipas saj, ata e akuzonin 28-vjeçarin se u kishte vjedhur 5 milionë lekë të vjetra. Dorina Sako, ka treguar se pronarët e kishin futur në një dhomë duke e rrahur dhe ushtruar presion, pasi përveç vjedhjes së parave dyshonin se ajo kishte dijeni edhe për vrasjen e të riut, duke u bërë dëshmitarja e vetme e kësaj vrasjeje.  Ajo ka mundur t’u shpëtojë nga duart duke u hedhur nga dritarja. Më pas Dorina është ndihmuar nga disa kalimtarë dhe ndodhet e shtruar në spitalin e Vlorës, për shkak të plagëve të marra. Ajo ka pohuar në polici se “kamerierin e kanë vrarë pronari Altin Imeraj dhe ortaku i tij. Ata dhe punonjësit e lokalit ushtruan dhunë edhe ndaj meje, ndaj jam në spital”.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama