Dy vëllezërit Arbion dhe Alban Aliko, të cilët janë të dyshuarit kryesorë për vrasjen e efektivit të RENEAs, i dhanë fund arratisë së tyre dhe u dorëzuan mbrëmë. Arbion dhe Alban Aliko akuzohen për vrasjen e efektit Ibrahim Basha dhe plagosjen e dy efektivëve të tjerë, Jetmir Isaj dhe Perlat Hamitaj. Dy vëllezërit i janë vetëdorëzuar një patrulle të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë në fshatin Kardhiq, rreth 20 kilometra larg fshatit Lazarat. Arbion dhe Alban Aliko janë vetëdorëzuar pas negociatave të babait të tyre, Adil Aliko, i cili hedh poshtë çdo dyshim se djemtë e tij mund të jenë autorët e vrasjes së efektivit.
Vëllezërit Aliko besohet se kanë qenë pjesë e grupit që ka hapur zjarr ndaj efektivëve të RENEA-s paraditen e së mërkurës, ku humbi jetën Ibrahim Basha dhe u plagosën dy të tjerë. Gjithashtu dyshohet se këta dy persona kanë qenë pjesë e grupit që ka qëlluar me armë në drejtim të mjetit me të cilin po lëviznin forcat RENEA. Arbion dhe Albano Aliko janë dy emra jo të panjohur për forcat e policisë. Ata ishin pjesë e listës së personave të shpallur në kërkim gjatë aksionit antidrogë që u zhvillua një vit më parë. Të dy shtetasit ishin në kërkim dhe mendohet se fshiheshin në Lazarat. Sipas informacioneve nga policia, vëllezërit Aliko nuk kanë bërë rezistencë dhe në momentin e arrestimit ata nuk kanë pasur armë. Kanë qenë rreth 400 forca policore të angazhuara në këtë operacion. Po dje u shoqëruan 4 persona, si të dyshuar që kanë lidhje me vrasjen e efektivit të RENEA-s, Ibrahim Basha në Lazarat.
Dje pasdite, policia shoqëroi Dritan Shurdhin, i cili nuk ka qenë në listën e personave të kërkuar nga policia. Shurdhi dyshohet se është një nga personat që ka qëlluar mbi policinë ku u vra Ibrahim Basha dhe u plagosën dy kolegët e tij. Familja e tij është e njohur në Lazarat pasi një prej vëllezërve të tij është vrarë nga policia në aksionin e vitit 2007, ndërsa vëllai tjetër është arrestuar si i implikuar në grupin që qëlloi policinë në aksionin e vitit 2014. Ndërkohë, po dje në orët e para të mëngjesit, në Lazarat u ndaluan edhe tre të rinj të tjerë. Sipas njoftimit zyrtar të policisë, janë arrestuar Dervish Gaba, 20 vjeç, Klodian Selimi, 19 vjeç dhe Elvis Boci, 19 vjeç, që të tre banorë të Lazaratit dhe shokë të vëllezërve Aliko që mendohet se kanë qenë pjesë e grupit që sulmuan policinë.
Prokuroria ka siguruar prova të arsyeshme, që provojnë se pas sulmit me armë ndaj furgonit të policisë, tre të rinjtë kanë ndihmuar vëllezërit Aliko, duke ngarkuar armët për t’u larguar nga vendi i ngjarjes. Kjo është provuar nga komunikimet telefonike me vëllezërit Aliko në orët e para të mëngjesit, vendndodhjen nga antenat e celularëve si dhe deklarimet e personave që tregojnë se tre të arrestuarit kanë bashkëpunuar me vëllezërit Aliko. Ata akuzohen për veprat penale: “Vrasja e punonjësit të policisë në bashkëpunim”, “vrasje e punonjësit të policisë mbetur në tentativë” si dhe “prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”, kur vepra kryhet në sasi të mëdha në bashkëpunim, më shumë se një herë ose ka sjellë pasoja të rënda.
Provat kundër “grupit të zjarrit”
Arrestimi i dy 19-vjeçarëve Klodian Selimi dhe Elvis Boci dhe i 20-vjeçarit Dervish Gaba, ka ardhur pasi Prokuroria e Krimeve të rënda ka krijuar dyshim të arsyeshëm se këta tre persona janë të implikuar në ngjarjen e 24 qershorit ku forcat RENEA u qëlluan me armë në fshatin Lazarat. Pas ekzaminimit të telefonit të Xhuliano Malos, një prej të ndaluarve të parë për këtë ngjarje dhe pas dëshmisë së tij e përgjimeve telefonike të realizuara, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka nxjerrë nxjerrë rezultatin se “grupi i zjarrit” që ka qëlluar mbi policinë mëngjesin e 24 qershorit në Lazarat përbëhej nga 11 persona të përfshirë direkt dhe një sërë bashkëpunëtorësh.
Në numrin e telefonit të Xhuliano Malos është gjetur dhe numri i telefonit të Arbion Alikos, të dyshuarit kryesorë si lider grupi dhe autori i vrasjes së efektivit Ibrahim Basha. Burime nga organi i akuzës sqaruan se nga analizimi i thirrjeve hyrëse e dalëse në numrin e Arbion Alikos ka rezultuar se personat që ai ka kontaktuar ndër 11 të pranishmit në grupin e zjarrit kanë qenë dhe tre të arrestuarit e djeshëm Elvis Boci, Dervish Gaba dhe Klodian Selimi, për të cilët prokuroria kërkon nga gjykata masën e sigurisë “arrest me burg”.
Po ashtu nga gjurmimi i qelizave të telefonave të shtetasve të ndaluar e atyre të shpallur në kërkim rezulton se ata kanë qenë në të njëjtin vend në hyrje të fshatit Lazarat, pasi të 11 numrat e telefonit kanë marrë sinjal nga antena celulare e vendosur në qendër të fshatit nga ku kanë shkëmbyer telefonata dhe mesazhe. Forcat e RENEA-s dhe ato të FSHNsë po vijojnë kërkimet me helikopter për kapjen e pjesëtarëve të grupit të zjarrit, të cilët u shpallën në kërkim. Mësohet se kërkimet janë shtrirë brenda dhe jashtë Gjirokastrës
Operacioni në Lazarat
Operacioni në Lazarat vijon që prej të mërkurës. Policia ka bërë të ditur se operacioni do të vazhdojë deri në kapjen e gjithë personave që bënin pjesë të “grupi i zjarrit” që qëlluan me armë forcat RENEA, ku dy efektivë u plagosën ndërsa një tjetër humbi jetën. Aktualisht operacioni është përqendruar në zonën e malit të Sopotit, që lidh fshatin Lazarat me Delvinën, që është edhe destinacioni kryesor ku kërkojnë të arrijnë personat e “grupit të zjarrit”.
Ndërkohë në sitën e policisë po kalojnë edhe lagjet Zinxhiri dhe Gjokaj, ku dyshohet se fshihet ndonjë nga të kërkuarit. Ndërkohë vijojnë kontrollet në banesa ku dyshohet se fshihet ndonjë nga të kërkuarit apo ofrohet ndihmë për ta. Gjatë orëve të mbrëmjes së premte është vënë re prani e madhe e forcave RENEA në afërsi të lagjes “Kodra e shtufit” në qytet, pranë godinës së Universitetit. Ndërkohë edhe në lagjen e “Romëve”, që ndodhet pranë qytetit ka prani të shumtë të forcave të Policisë së Rendit dhe Forcave Speciale. Në atë zonë ndodhen disa magazina që përdoreshin nga ushtria dhe dyshohet se aty fshihet ndonjë nga të kërkuarit.
Grupet e policisë janë vendosur në faqen e malit përballë magazinave. Prokuroria e Krimeve të Rënda, pas hetimeve paraprake të zhvilluar në vendin e ngjarjes ka arritur në konkluzionin se grupi i zjarrit në Lazarat përgatitej prej gjashtë muajsh dhe qëllimi i tyre ishte rikthimi i gjendjes së mëparshme, pra kultivimi i drogës në parcelat e shkatërruara një vit më parë.