Vrasja makabre e te moshuarave hetohet pista e pronesise dhe grabitjes

Vrasja makabre e te moshuarave, hetohet pista e pronesise dhe grabitjes

Gjinovefa dhe Elsa Vava, 70 dhe 75 vjeçe, kunata me njëra-tjetrën, gjenden të vdekura me qese plastike dhe duar të lidhura. Shtëpia u gjet rrëmujë. Familja gjygje për pronën mes kushërinjsh

Një vrasje e denjë për filmat horror ka tronditur dje qytetin e Durrësit. Dy gra të moshuara janë dhunuar për vdekje dhe kanë humbur jetën si pasojë e asfiksisë të lidhura me qese plastmasi në kokë.  Viktimat janë identifikuar si Gjinovefa dhe Elsa Vava, 70 dhe 75 vjeçe, kunata me njëra-tjetrën. Trupat u zbuluan rreth orës 7:00 të mëngjesit të djeshëm nga djali i Elsa Vavas, njërës prej viktimave. Sipas dëshmisë të djalit, ai në mëngjes kishte shkuar drejt banesës ku dhe kishte parë derën e hapur dhe dy gratë e pajeta. Skena me të cilën është përballur i biri ka qenë përtej imagjinatës më të keqe. Mamaja e tij dhe nusja e xhaxhait ishin të shtrira me kokën të mbuluar me qese dhe me duar të lidhura. Krimi besohet se ka ndodhur gjatë natës në të gdhirë dita e martë, ndërsa autorët e krimit kanë kapërcyer murin rrethues të shtëpisë për të hyrë.

Policia po heton në dy pista, atë të grabitjes dhe të një konflikti pronësie mes grave dhe fisit të tyre. Pista e parë bazohet në faktin se shtëpia është gjetur e shkatërruar dhe gjithçka e përmbysur duke krijuar idenë se autorët e krimit kanë qenë duke kërkuar para ose diçka tjetër me vlerë në shtëpi. Ndërsa pista tjetër është ajo e konflikteve për pronësinë, pasi gratë kanë qenë përfshirë në gjyqe për pronat mes kushërinjsh prej shumë vitesh.

Gratë banonin në katin e dytë të një banese private në lagjen nr.11, pranë Postës së qytetit bregdetar. Banesa ishte në pronësi të tyre dhe me to jetonte dhe një grua tjetër, motra e Gjinofevës, e cila ishte e paralizuar. Gruaja mund të ishte e vetmja dëshmitare për këtë ngjarje të rëndë, por ajo ka thënë se nuk ka dëgjuar asnjë zhurmë gjatë natës dhe nuk ka parë asnjeri që të hyjë në shtëpi duke mos dhënë kështu asnjë ndihmë për uniformat blu për të zbuluar autorët. Trupat e dy të ndjerave janë nisur drejt morgut të qytetit për të vijuar me ekspertizën mjekoligjore. Njëra prej viktimave, Elsa Vava ishte e martuar dhe kishte dy fëmijë.

Pista më e fortë, konflikti për pronësinë

Hetimet e policisë janë përqendruar në dy pista të mundshme, atë të një konflikti për pronën dhe pistën e grabitjes. Sipas raportimeve mësohet se janë shoqëruar në polici në cilësinë e dëshmitarëve disa fqinj dhe të afërm të të moshuarave, për t’u pyetur rreth ndonjë konflikti të mundshëm. Prokurori Besim Hajdarmataj ka qenë dje në vendngjarje për të hetuar mbi motivet e vrasjes, ndërsa policia thotë se po vijon puna për zbardhjen e plotë të këtij krimi të rëndë. Hidhen dyshime se mund të kenë qenë më shumë se dy autorë që kanë marrë pjesë në këtë akt kriminal.

Nuk dihet ende cilët mund të jenë autorët, por motivi i krimit të tmerrshëm vishet me mister për shkak se nuk ka shenja që banesa të jetë grabitur. Kjo i çon hetuesit në dyshimin se ka pasur konflikte të tjera, përfshirë edhe ato pronësie.

Gjatë ditës së djeshme 20 persona të dyshuar janë shoqëruar në policinë e Durrësit në lidhje me krimin e dyfishtë. Sipas informacioneve që përcjell policia, mësohet se këta persona janë me precedentë penalë, kryesisht për grabitje. Ndërkohë po verifikohen shenjat e gishtërinjve, të cilat janë marrë në vendin e ngjarjes dhe po krahasohen me ato të të dyshuarve. Mësohet se mes të shoqëruarve ka dhe disa të afërm të viktimave. Policia e Durrësit njoftoi për ecurinë e hetimeve se “në vendngjarje grupi hetimor po vijon veprimet e para. Këto hetime po drejtohen nga prokurori i rrethit. Nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë Shtetit janë dërguar specialistë të hetimit të krimeve të rënda dhe veprimet po ndiqen nga strukturat e Drejtorisë së Policisë së Qarkut në funksion të zbardhjes së ngjarjes dhe motiveve e rrethanave të saj. Deri tani, nga ana jonë janë shoqëruar në polici 20 shtetas, të cilët dyshohet të kenë dijeni mbi rrethanat e hetimit si komshinj, të afërm apo edhe persona me precedentë në fushën e vjedhjeve me dhunë dhe përdorimit të narkotikëve”.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama