Plagosja
Policia e Tiranës dyshon se autori Agron Goxhaj, është plagosur mbrëmjen e së premtes. Por ai nuk është gjetur në spitalet publike dhe private
Ekzekutimi
Në trupin e Ariel Zangës janë gjetur gjashtë predha pistolete. Policia dyshon se autori e ka qëlluar nga një distancë e afërt
Largimi
Pas vrasjes, autori, duke e ditur mjaft mirë zonën, pasi është banor prej vitesh, është larguar me shpejtësi në rrugica
Borxhi
Pista e parë hetimore ka të bëjë me një borxh që autori i kishte marrë viktimës me mirëbesim, por që nuk ia kishte kthyer
Pronësia
Pista tjetër hetimore ka të bëjë me çështje pronësie të një lokali në zonën e Bllokut, ku viktima ishte administrator
Borxhi dhe konfliktet e pronësisë janë dy pistat që policia po heton në lidhje me vrasjen e 36-vjeçarit Ariel Zanga, i cili u ekzekutua me armë zjarri mbrëmjen e së premtes në zonën e “Ali Demit” në Tiranë. Ngjarja ndodhi rreth orës 21:40, në rrugën “Zonja Çurre”, ku viktima është qëlluar me armë te tuneli i dytë i kësaj rruge, pas shkollës “1 Maji”. Viktima Ariel Zanga dhe një nga autorët e dyshuar të vrasjes, Agron Goxhaj, kanë qenë shokë të vjetër. Ndërkohë, një tjetër fakt i zbuluar nga hetuesit është se viktima dhe autori kanë qëlluar pothuajse njëkohësisht, pasi edhe Goxhaj është plagosur. Policia e Tiranës dha mbrëmë detaje për ngjarjen, duke pohuar se, krahas Goxhajt, është shpallur në kërkim edhe Edison K., 32 vjeç. “Këta persona, rreth orës 21:40 të së premtes, në rrugën ‘Ali Demi’, dyshohet se, në bashkëpunim edhe me tre të tjerë, kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim Ariel Zangës, 36 vjeç, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Janë sekuestruar gjashtë gëzhoja”, pohoi policia. Sipas saj, në lidhje më këtë ngjarje, është bërë edhe arrestimi në flagrancë i Besnik Mansakut, 37 vjeç, për moskallëzim krimi.
Pistat hetimore
Burime nga Policia e Tiranës pohojnë se pista e parë që është nën hetim ka të bëjë me një borxh. Ka dyshime se Goxhaj i kishte marrë me mirëbesim një shumë të konsiderueshme parash 36-vjeçarit Ariel Zanga, duke i premtuar se do t’i kthente në kohë. Mendohet se ai ka thyer afatet, duke mos kthyer paratë dhe si pasojë e kësaj, shokët janë konfliktuar.
Pista e dytë dyshohet se ka lidhje me drejtimin e një lokali në qendër të Tiranës, ku të dy pretendojnë pronësinë. Burime policore thonë se më shumë po i mëshojnë pistës së borxheve. Ariel Zanga dhe Agron Goxhaj janë takuar rreth 5-6 ditë më parë, për t’u sqaruar në lidhje me çështjen e huas së padhënë. Ata nuk e kanë gjetur gjuhën e përbashkët dhe si pasojë e kësaj, janë ritakuar paraditen e së premtes, për të biseduar për të njëjtin motiv. Goxhaj dhe viktima janë konflikuar ashpër, duke shkëmbyer fyerje, kërcënime dhe kanosje për jetën ndaj njëri-tjetrit. Sherri mes tyre nuk ka degjeneruar deri në përleshje fizike, por i dyshuari për vrasje nuk ka preferuar që çështja të mbyllet me zhvillimet e drekës.
Vrasja
Në mbrëmje ai ka shkuar në lokalin ku viktima rrinte gjithmonë. Ka marrë në telefon Zangën, për t’i kërkuar që të bisedojnë jashtë. Viktima ka dalë dhe aty është përleshur fizikisht me Goxhajn dhe dy miqtë e tij. Më pas, ai ka nxjerrë edhe pistoletën dhe ka qëlluar në drejtim të tre personave të lartpërmendur. Plumbi dyshohet se ka prekur Agron Goxhajn. Ndërkaq, ky i fundit ka bërë të njëjtën gjë, duke qëlluar disa herë në drejtim të 36-vjeçarit. Si pasojë e kësaj, Zanga ka marrë një plumb në pjesën e kokës dhe në qafë. Dyshohet se plaga që mori në kokë, i shkaktoi vdekjen si pasojë e hemorragjisë. Ndërkaq, Goxhaj, ndonëse kishte shkuar në lokal me automjetin e tij, nuk ka pasur kohë që ta marrë, por është larguar në rrugicat e lagjes. Të njëjtën gjë kanë bërë edhe shoqëruesit e tij.
Kërkimet
Policia e Tiranës ka ushtruar kontrolle në Spitalin Ushtarak dhe “Nënë Tereza”, me shpresën se do të gjejë të shtruar personin e shpallur në kërkim, pasi ai mund të ketë marrë plagë në trup. Kërkimet kanë rezultuar të kota, pasi Agron Goxhaj mund të jetë kuruar në klinika private. Në të njëjtën kohë thuhet se janë intensifikuar kërkimet për kapjen e tre të dyshuarve si autorë të vrasjes, ndërsa gjenealitetet dhe të dhënat e tyre personale, u janë dërguar pikave të kalimit kufitar për të bllokuar daljen e tyre jashtë kufijve. Gjithashtu, bëhet me dije se janë shoqëruar rreth 15 persona, një pjesë e të cilëve janë dëshmitarë okularë apo janë përfshirë në ngjarje. Të gjithë kanë dhënë dëshmitë e tyre në polici dhe më pas janë lënë të lirë. Grupi hetimor ka sekuestruar edhe automjetin e Agron Goxhajt, i cili ka qenë i parkuar pak metra nga vendi i ngjarjes. Deri në orët e vona të mbrëmjes, policia nuk ka qenë në dijeni të këtij fakti, por kur zbuloi se makina i përkiste të dyshuarit për vrasje, e bllokoi. Uniformat blu kanë ushtruar kontrolle në makinë, me shpresën se do të gjejnë prova që faktojnë motivin e vrasjes së 36-vjeçarit. Në vendin e ngjarjes janë gjetur gëzhoja pistolete, të cilat u përkasin armëve të ndryshme. Ato u dërguan në laboratorin e ekspertizës balistike.
Precedenti
Goxhaj është dënuar në vitin 2000 për plagosje
Policia e Tiranës tha dje, se autori i vrasjes së shtetasit Ariel Zanga ka qenë i dënuar më parë. Agron Goxhaj njihet nga policia si person me precedentë penalë, pasi ai ka qenë i arrestuar më parë për plagosjen e një personi. Gjykata e Tiranës e ka dënuar më 18 dhjetor të vitit 2000 me disa vite burg. Policia nuk jep shumë detaje nga kjo ngjarje, ndërsa thekson se autori njihej si problematik. Megjithatë, për lirimin e Goxhajt ka menduar edhe Presidenti i Republikës. Në vitin 2002, ish-presidenti Alfred Moisiu ka firmosur falje dhe ulje dënimi për të dënuarit, ku ka përfituar edhe Agron Goxhaj. Ai është liruar dhe duket se “zanatin” e vjetër nuk e ka harruar, por e ka zbatuar rreth 15 vjet nga kryerja e krimit të parë.
Dëshmitarët: Arielin e mori në telefon Agroni, po shikonim ndeshjen Roma-Milan
Të shtënat
“Nuk më kujtohet me detaje sesa të shtëna pati, por kam përshtypjen se ishin tetë të shtëna armësh. Pastaj erdhi policia, e cila izoloi vendin e ngjarjes”
Banorët e lagjes “Ali Demi” thonë se viktimën e njihnin prej kohësh, pasi ai qëndronte në të njëjtin lokal. Mbrëmjen e së premtes, ai ka qenë duke parë ndeshjen Roma–Milan me miqtë e tij. Agron Goxhaj e ka marrë në telefon dhe i ka thënë që të dalë jashtë, për t’u sqaruar në lidhje me sherrin.
“Arieli doli nga lokali sapo e morën në telefon. Kur u takua me Agronin, ky i fundit ishte i shoqëruar me dy persona të tjerë. Ulërimat e tyre dëgjoheshin në të gjithë zonën. Dolëm jashtë, për të parë se çfarë kishte ngjarë. Pamë që Arieli po konfliktohej me tre persona. Madje mes tyre pati dhe përleshje fizike. Arieli ia futi vrapit për nga tuneli, sepse nuk i përballonte dot të tre. Në këto momente dëgjuam të shtëna armësh nga të dyja krahët. Më duket se Agroni mbeti i plagosur, gjithsesi ai qëllonte në drejtim të Arielit. Ky i fundit u shtri në tokë dhe nuk po jepte më shenja jeta. Nuk e di nëse ai vdiq në vend apo më vonë”, ka pohuar një dëshmitar okular për gazetën “Shqip”, duke vijuar se “autori iku për nga rrugicat, së bashku me dy personat që ishte i shoqëruar”.
Ai thotë se ka përjetuar një situatë të tmerrshme. “Nuk arrij që ta harroj atë skenë të frikshme. Ishte një tmerr i vërtetë, ku plumbat iknin nga të gjitha anët. Nuk më kujtohet me detaje sesa të shtëna pati, por kam përshtypjen se ishin tetë të shtëna armësh. Pastaj erdhi policia, e cila izoloi vendin e ngjarjes dhe mori me furgon disa persona. Agroni njihet në zonë si person problematik”, e mbyll rrëfimin dëshmitari.
Ndërkohë, shokët e Ariel Zangës janë shumë të tronditur për atë që ka ngjarë. Ata thonë se i ndjeri ka qenë një njeri i mrekullueshëm dhe se nuk konfliktohej me askënd. “Nuk kemi fjalë për të përshkruar atë që ndiejmë. Jemi shumë të tronditur. Arieli ka qenë një djalë i mrekullueshëm. Ai nuk ka pasur konflikte me askënd. Nuk na ka thënë se kishte probleme. Jemi të habitur me atë që ka ngjarë. Të gjithë pasurinë e ka bërë me djersë. Na vjen vërtet shumë keq”, thonë ata.