Pasi është informuar për vrasjen e 15-vjeçarit në shkollën e mesme profesionale, “Beqir Çela" në Durrës, Edi Rama ka ngushëlluar familjarët e djalit që humbi jetën, pikërisht në vendin ku merrte dije. Kryeministri i ka kërkuar Ministrit të Brendshëm dhe Ministres së Arsimit, që të shkojnë në vendin e ngjarjes dhe sigurojnë prindërit e viktimës, mësuesit dhe nxënësit e shkollës që kanë gjithë mbështetjen e nevojshme.
Kryeministri ka deklaruar se e gjithë kjo ngjarje është një kambanë e fortë alarmi për qeverinë, trupat mësimore, prindërit dhe shoqërinë në tërësi. Ai ka kërkuar, që të bëhet një hetim i plotë dhe të njihet me të gjitha faktet, në mënyrë që të merren të gjitha masat paraprake dhe ngjarje të tilla të mos lenë më vend për përsëritje.
Deklarata e Kryeministrisë:
“Kryeministri është informuar sot rreth ngjarjes së ndodhur në Shkozet të Durrësit ku një i ri ka humbur jetën. I keqardhur për lajmin, Edi Rama shpreh ngushëllimet më të ndjera për familjen e djalit që humbi jetën dhe i ka kërkuar ministrit të Brendshëm dhe ministres së Arsimit të shkojnë në vendngjarje për tu siguruar që të afërmit e viktimës, studentët dhe mësuesit të kenë të gjithë mbështetjen dhe solidaritetin e nevojshëm.
Kjo ngjarje tragjike është një kambanë e fortë alarmi për të gjithë, qeverinë, trupat mësimore, prindërit, shoqërinë në tërësi. Kryeministri ka kërkuar të bëhet një hetim i plotë dhe të njihet me të gjitha faktet, në mënyrë që të merren të gjitha masat e nevojshme që ngjarje të tilla të mos përsëriten.”