Vrasja ne shkolle nisi nga nje grindje ne autobus autori Si e fsheha armen

Vrasja ne shkolle nisi nga nje grindje ne autobus, autori: Si e fsheha armen

Një grindje banale në autobus është bërë shkak për armiqësinë mes dy adoleshentëve, e që përfundoi me vrasjen e njërit prej tyre në shkollën profesionale të Shkozetit. Në dëshminë e tij për policinë, Edrin Varaku ka treguar se ishte përplasur me Adriatik Totën, kur njëri po ngjitej e tjetri po zbriste nga autobusi. “Aty kemi debatuar bashkë dhe jemi fyer e jemi sharë me njëri- tjetrin. Që nga ajo kohë, në distancë kemi shkëmbyer batuta dhe fjalë ofenduese”,- ka thënë autori 15-vjeçar i krimit tronditës në ambientet e shkollës. Adoleshenti, që akuzohet për vrasje me paramendim, ka treguar edhe një tjetër konflikt mes tyre jashtë rrethimit të shkollës, ku u desh ndërhyrja e nxënësve të tjerë për t’i ndarë.

“Unë shkoja vazhdimisht në shkollë, ndërsa herë pas here Adriatiku më shante dhe më ofendonte që prej kohës kur kemi shkëmbyer fyerjet e sharjet e para në autobus”, -ka argumentuar krimin e kryer Edrin Varaku për policinë. Ky sherr banal tronditi të mërkurën gjithë vendin dhe riktheu vëmendjen tek sjelljet e dhunshme të adoleshentëve në mjediset e shkollës. Pas hetimeve 24- orëshe policia e Durrësit ka klasifikuar këtë sherr banal si motiv të ngjarjes së rëndë.

 

Nga ana tjetër, adoleshenti i akuzuar për vrasje ka shpjeguar me detaje se ku e kishte gjetur armën dhe si e kishte fshehur atë. Sipas të arrestuarit, një ditë më parë ai kishte marrë një armë dhe më pas e kishte fshehur në një kanal pranë shtëpisë së tij, duke e mbuluar me mjete rrethanore. Qëllimi ishte fshehja deri mëngjesin e 4 dhjetorit, kur ai kishte planifikuar të lante njëherë e mirë hesapet me Adriatik Totën. “Të martën gjeta pushkën, që ishte me qytë të prerë. E rregullova me fasheta që të mos hapej, dhe më pas e vura në këtë kanalin që ndodhet këtu pranë shtëpisë sime.

 

Në darkë kisha rregulluar edhe pjesën e brendshme të përparëses ngjyrë blu, që përdornim në shkollë”,- mësohet t’iu ketë rrëfyer hetuesve të Drejtorisë së Policisë së Durrësit dhe oficerëve të policisë gjyqësore Edrin Varaku. Më pas ai ka treguar se sipas planit që kishte bërë një ditë më parë, ishte ngritur në mëngjes dhe kishte shkuar e kish marrë armën. Pasi e kishte fshehur në uniformën e modifikuar, ishte nisur për në shkollë. “Dola nga shtëpia, shkova tek kanali ku e kisha fshehur pushkën një ditë më parë dhe më pas e futa në përparëse. E kapa me fashetat që kisha rregulluar brenda përparëses. Nuk dallohej fare. Kështu u nisa drejt shkollës me furgon. Zbrita pranë shkollës dhe më pas u nisa drejt klasës. Hapa derën e klasës, ku po bëhej ora praktike e mësimit dhe nxora pushkën nga përparësja. Qëllova vetëm në drejtim të Adriatik Totës. Plumbi i parë e kapi në krah, ndërsa forca e armës më shtyu mbrapsht. Herën e dytë e qëllova në qafë. Më pas lëshova armën dhe ika me shpejtësi nga shkolla”, – ka shtuar më tej ai.

 

Edrin Varaku ka treguar më tej se ku ishte fshehur fillimisht, por edhe komunikimet me familjen, që diktuan vendin ku ai ndodhej. Adoleshenti ka treguar se familjarët e kanë këshilluar të dorëzohej në polici dhe në momentin e arrestimit ai po shkonte vetë atje. Menjëherë pas ndalimit, efektivë të policisë së Durrësit dhe të komisariatit të Shijakut kryen kontroll në banesën e të arrestuarit, si dhe në banesa ku mendohej nga policia se mund të gjendeshin prova që lidheshin me krimin. Ndërkaq pas marrjes së dëshmisë së tij, hetuesit kanë kryer edhe një ballafaqim të kësaj dëshmie me të disa prej nxënësve të klasës ku kryente mësimin 16-vjeçari i vrarë Adriatik Tota. Nga deklarimet e tyre dhe nga ballafaqimi i kryer, policia ka konfirmuar se këto të fundit përgjithësisht përputheshin. Hetues të policisë lokale thanë se do të verifikojnë edhe origjinën e armës së krimit të të dyshuarit, si dhe nëse ai është ndihmuar nga persona të tjerë të jashtëm apo jo, edhe pse nga informacionet e deritanishme nuk ka të dhëna të tilla.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama