Shqipëria ka ekstraduar një shqiptar nga Kosova, i cili akuzohet për vrasjen e një bashkëkombasi të tij në Pragë, por që nuk e vuajti kurrë dënimin në Çeki. Shqiptari Shukri Hoti, 32 vjeç është dënuar me 12 vjet burg nga një gjykatë në Republikën Çeke për vrasjen e ndodhur në vitin 1997. Ministria e Drejtësisë ka njoftuar se Hoti u kap në Shqipëri në korrik të këtij viti dhe menjëherë u kërkua ekstradimi i tij me procedura të thjeshtësuara.
Ngjarja
Në gusht të vitit 1997, 32-vjeçari Shukri Hoti qëlloi për vdekje me armë zjarri një anëtarë të një familjeje armiqësore me të cilët ishte në gjakmarrje. Gjakmarrja mes dy familjeve Hoti dhe Xaja ka sjellë konflikte dhe të paktën katër vrasje. Gjithçka filloi në Kosovës në vitin 1996, kur anëtari i familjes Xaja i zuri radhën një shoferi të traktorit që po transportonte zall. Pas këtij rasti, Hoti protestoi, por më vonë u godit nga anëtarët e familjes Xaja. Ky incident solli më vonë një seri të vrasjeve në Kosovë, Gjermani, Zvicër dhe Pragë. Në gusht të vitit 1997, Shukri Hoti hapi zjarr në drejtim Hilmi Xajës, 36 vjeç, nga një automjet që ishte në lëvizje në qendër të Pragës, shkruan “PragueMonitor”. Shukri Hoti dyshohet edhe për vrasjen e vëllait të Hilmi Xajës, në Kosovë në maj të vitit 1997. Këto dy familje janë pajtuar në maj të vitit 1998 në Kosovë. Ceremonia e pajtimit është ndjekur për së afërmi nga 500 njerëz dhe për këtë rast ishte shkruar në shtypin lokal.