Vritet nje tjeter shqiptar prane ISIS gruaja dhe femijet mbeten ne Siri

Vritet nje tjeter shqiptar prane ISIS, gruaja dhe femijet mbeten ne Siri

Një tjetër shtetas shqiptar dyshohet se ka humbur jetën gjatë luftimeve në Siri. Artur Koçollari ishte larguar në drejtim të vendit ku pretendohet se luftohet për Xhihad dhe që prej asaj kohe komunikimet e tij me familjen e tij, që ndodhet e vendosur në zonën e Kërrabës kanë qenë shumë të pakta.

Sipas News 24,  shqiptari i vrarë, pasi ka ikur në Siri, ka marrë me vete edhe tre fëmijët dhe gruan e tij. Ndërkohë familjarët e të ndjerit janë paraqitur në polici dhe kanë kërkuar që të kthehen në atdhe fëmijët dhe bashkëshortja e Arturit.

Vetëm një javë më parë, familja Koçollari që banon në Kërrabë ka marrë një telefonatë nga Siria, gjatë së cilës e kanë lajmëruar se i afërmi i tyre kishte rënë shehit gjatë luftimeve për Xhihad. Pas kësaj, vëllai i shqiptarit të vrarë në Siri është paraqitur pranë strukturave të policisë dhe ka shpjeguar me detaje atë që kishte mësuar nga persona të panjohur në telefon.

Gjatë deklaratave në polici, vëllai i Arturit ka thënë se një javë më parë e kanë marrë në telefon në orën 07:00 të mëngjesit, dhe i kanë thënë se vëllai i tij është qëlluar me snajper në kokë në momentin që ka qenë shofer i një automjeti që përdorej gjatë luftimeve në Siri.

Ende nuk dihet nëse lajmi për vrasjen e shqiptarit është i vërtetë, ndaj familja Koçollari ka kërkuar ndihmën e policisë që të hetojë lidhur me këtë ngjarje. Shqetësimi më i madh ngelet për familjen e Arturit bashkëshorten dhe fëmijët të cilët ndihen të kërcënuar në Siri.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama