"Mua më pëlqejnë filmat me aksion, por skenari flet edhe për përgjegjësitë dhe mospërgjegjësitë mbi ata që do të vrasësh. Fox i tregon Ueslei Gibsonit se ndihet e humbur për të ndryshuar fatin e saj dhe kjo e shtyn drejt vrasjeve e hakmarrjes". Më tej thekson: "Ndonjëherë paguhemi për të thënë gënjeshtra në filmat për dashurinë, në të tjerë për të vrarë. Ajo çka bën në një film nuk ka lidhje fare me angazhimet e tua në jetë. Mua më interesonte të punoja me ‘Spilbergun rus‘ dhe të isha çift me të riun Xhejms Mekavoi, një aktor shumë i talentuar. Nga ana tjetër, fëmijët e mi, duke më parë që ngas makinat me gjithë shpejtësinë e mundur dhe guximtare për të bërë gjithçka, do të më thonë se sa e zonja jam, edhe pse nuk do të mund dot të shohin gjithë filmin". Nga ana tjetër, Xhejms Mekavoi duket më bindës në ato që thotë: "Çdo aktor ëndërron që në verë apo për Krishtlindje të luajë në një film me aksion, por që njëkohësisht të jetë spektakolar. Më duhet ta pranoj se ishte vërtet argëtues çifti që formoja me Zholinë, apo skenat ku për shkak të moshës së vogël, më duhet të përballem me shumë zgjedhje të rëndësishme. E pamëshirshmja Fox nuk më jep vetëm leksione armësh, lufte dhe fuqie, por mundohet të bëjë të fortën edhe në shpirt". "Errësira në shpirt" me hakmarrësen Xhudi Foster gjeneroi polemika të mëdha, është e sigurt se edhe për "Wanted" nuk do të mungojnë. "Shpirti rus i regjisorit dhe interesat e tij për botën e Evropës Lindore e kanë bërë këtë film një kryqëzim mes "Matrix"-it dhe kompleksitetit të Dostojevskit. Në fillim unë jam djaloshi që të gjithë e tallin sepse jam i turpshëm, madje edhe e fejuara ime e bën diçka të tillë. Por më vonë mendon Anzhelina që më bën të zbuloj fuqitë dhe fatin tim", tregon Xhejms.
Pasioni për funeralet Shumë e kanë komentuar zgjedhjen e saj për të pranuar një rol të tillë, pas intervistës së dhënë, ku shprehej se dëshira e saj më e madhe në jetë ishte që të merrej me organizimin e funeraleve. E në të vërtetë, kur jemi fëmijë të gjithë ëndërrojmë të bëhemi balerina apo princesha, ndërsa Anzhelin Zholi kishte një ëndërr në sirtar: të organizonte funerale. Ajo që e ka pranuar ka qenë vetë aktorja: "Një herë shkova në një funeral dhe ishte shumë e trishtueshme teksa po mendoja se nuk ishte e drejtë që fundi i jetës së një personi të mbyllej në këtë mënyrë. Që nga ajo ditë ideja për ta bërë këtë punë më është bërë fikse". Vogëlushja Anzhelinë ka dashur të bëhet një drejtuese e agjencive të funeraleve. Por ndryshe nga ajo që mendonte, fati i rezervoi një jetë plot ngjyra dhe të gëzueshme. Një karrierë të shkëlqyer dhe një bashkëshort si Bred Pit. Dy divat e Hollivudit janë njohur mes vitit 2003 dhe 2004, ndërsa ishin duke xhiruar filmin "Mr & Mrs Smith", që ia detyron një pjesë të mirë të suksesit lidhjes së tyre të lindur para kamerave. "Brenda shumë pak kohe fillova të mendoja se mezi po prisja që të shkoja në punë. Silleshim si një çift.
Falë filmit, përfunduam duke jetuar së bashku pothuajse për një periudhë shumë të gjatë kohore dhe madje mjaft situata të ndryshme. Kemi bërë edhe shumë çmenduri, tregon Joli, dhe e kemi kuptuar që mes nesh kishte lindur një miqësi shumë e bukur, një lloj atmosfere shoqërore. Në fund të xhirimeve ‘mbetëm miq të mirë‘. Por, pas luftës me njëri-tjetrin, në një farë pike jeta mori një rrugë, gjatë së cilës u gjendëm bashkë dhe kuptuam që ishin gjëra të cilat ne i kishim dëshiruar t‘i bënim së bashku", tregon. Por, pavarësisht këtij fati, fëmijët dhe shtatzënisë, nga e cila do të sjellë në jetë dy binjakë, Zholi mendon akoma për ëndrrën e saj të fëmijërisë. Kush e di nëse ai sirtar mund të hapet tani dhe zonja Pit, përveç impenjimeve të shumta, edhe humanitare do të hapë edhe agjencinë e saj të funeraleve. Për momentin ngelet vetëm një dëshirë, përkundrazi një fiksim i lindur, siç e pranon edhe ajo vetë nga pjesëmarrja në një funeral. Dëshira për të bërë të tilla gjëra i ka bërë njerëzit të ndezin më shumë polemikat rreth personalitetit të saj dhe dëshirës për të qenë një organizatore funeralesh dhe vrasëse e pamëshirshme.