Washington Balerina shqiptare vallezon me kenge franceze ne sfond

Washington: Balerina shqiptare vallezon me kenge franceze ne sfond

Esmiana Jani shfaqet plot besim në “La Vie en rose”, shfaqja e re në Teatrin Gala të kryeqytetit amerikan. Balerina e re shqiptaro-amerikane Esmiana Jani rikthehet në skenën e baletit në Washington, në shfaqjen “La Vie en Rose”, një prodhim i bashkëpunimit për të pestin vit mes Studio Company dhe InSeries. Në sfond kësaj here ishin këngët e të famshmes Edith Piaf, po edhe të figurave të tjera të muzikës franceze.


Ishte një gërshetim i shkëlqyer sipas drejtoreshës artistike Carla Hubner, e cila tha për “Washington Post”: “Këto janë këngët që adhuroj dhe valltarët që adhuroj”. Muzika klasike në vend të këngëve është zakonisht sfodi në të cilën zhvillohet koreografia e baletit. Kjo shfaqje multidisiplinore ishte interesante pikërisht për këtë gërshetim jo të zakonshëm. Nga një anë qendronin këngëtarët klasikë që këndonin arie, këngë të muzikës së lehtë franceze etj. Ndërsa në skenë shpërthente koreografia e ngjyrave të bukura të kostumeve të zgjedhura.

Si gazeta “Metro” edhe ajo shumë më e rëndësishme “Washington Post” i kanë shoqëruar shkrimet e tyre me fotografinë e Esmiana Janit dhe partnerit të saj në vallëzim, duke mos lënë asnjë dyshim se cila nga balerinat ka qenë në qendër të vëmendjes. Vajza 20-vjeçare shqiptare jo për të parën herë fiton vëmendjen e medias këtu në SHBA. “Washington Post” që ka një numër kritikash për shfaqjen nënvizon se ndonëse balerinët kanë ende nevojë për të përsosur interpretimin, shquhet megjithatë, “Esmiana Jani për kthesat e saj plot vetëbesim”.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama