What are you by Origin?

What are you by Origin?

Besimet fetare
Po unë, çfarë bëj këtu?

Vërtitem mes turistësh me sandale pelegrinësh duke parë po të njëjtën qendër historike të qytetit, një vendbanim i përkohshëm i mbretërve të Austro-Hungarisë për t’u larguar sa të ish e mundur prej pushtimit turk. Erdhën për pak, por iu desh të qëndronin më shumë se njëqind vjet. Ja përse janë sot këto pallate për mbretër e oborrtarë, sallone balloje dhe salla operash, depo armësh dhe anekse për punëtorët, kisha ku të gjithë i luteshin Zotit për fitore sa më të afërt mbi otomanët dhe natyrisht kjo katedrale e mrekullueshme, për të cilën ciceroni të thotë se në rrjedhën e historisë janë kurorëzuar jo pak, por trembëdhjetë mbretër europianë. Dy vajza japoneze më kërkojnë që t’u bëj fotografi përpara saj. Më lënë në dorë dy aparate dixhitale. Duhet të shtyp. Këtu dhe këtu. I shtyp “këtu dhe këtu”, por nuk u mjafton. Duan të dalin të përqafuara me një statujë brilante të ish-marokut të qytetit. Brilante me të vërtetë, sepse nuk ndodh kudo që të nderojnë me statujë të bronztë, lolon e qytetit. Kur mora vesh kush ish ky burrë i ngurtë, m’u rrit respekti për banorët. Kur ishte njeri i gjallë, me shpirt dhe muskuj, këtij fatziu që emrin e kishte Ignac Lamar, i iku mendja. I iku nga e keqja sigurisht, pale se ç’thonë. Një ditë nga ditët u nis në punë, siç nisej çdo mëngjes, dhe kur u kthye afër darkës, derën e shtëpisë e gjeti hapur kanat më kanat. Rraqet e shtëpisë të kthyera përmbys. Tenxheren me gjellë të bërë shkrumb mbi zjarr dhe, ç’është më e keqja, nuk e gjeti gruan. Gjermanët deri sa të kthehej ai nga puna, patën kohë e fuqi t’ia rrëmbenin gruan që ishte duke gatuar dhe ta hipnin bashkë me hebrenj të tjerë në një vagon treni, e për t’i nisur pa qejf e pa dëshirë, merret vesh se për ku.

Që nga ajo ditë prej mishi dhe deri sot prej bronzi, ky burrë nuk ka reshtur së ndaluri njerëzit në rrugë për t’i pyetur se mos dinin gjë për fatin e gruas së tij. Këtë mirësjellje dhe reverancën me kapele, i ka ca prej edukate dhe ca për t’i bërë njerëzit më të disponueshëm.

Askush s’e kishte parë. Doemos s’e kishte parë, sepse gra me cilësi të tilla të përsosura, (siç e përshkruante ai), nuk ndodh që të shihen shpesh. E meqë kjo nuk ndodh, iu desh të ndalonte njerëzit në mes të rrugës për më shumë se tridhjetë vjet, pa mundur të kuptonte dot as sistemet politike dhe as ligësinë e njerëzve.

Shërbeu për diçka, sepse njerëzit duke qeshur e tallur me një fatzi kaq të sjellshëm, gati-gati po i harronin hallet e veta dhe andrallat e pasluftës. Shërben akoma më duket, sepse kur e sheh sot në vendin më të nderuar të bashkisë, aty ku zakonisht vendosen burrat me kobure dhe heronjtë, të shtohet respekti për banorët.

Sikur të ishte kështu?

Por nuk është tamam kështu, sepse pak më tutje më duhet të vë këmbët mbi një pllakë bronzi me një mbishkrim dy gjuhësh. Një në gjuhën e vendasve dhe një në anglisht, kuptohet, për turistët.

“Këtu është djegur shtriga e parë, në vitin 1602.”

Qenka djegur një shtrigë I?

Në mënyrë tepër koncize jepet vendi, viti dhe vetitë e viktimës; u dogj ngaqë ishte shtrigë, u dogj në vitin 1602 dhe është djegur pikërisht këtu ku sot kalon tramvaji, por që atëherë paskësh qenë oborri i kishës. Dhe kisha ja tek është.

Kisha është një nënë e madhe, gjithmonë e gatshme që të falë, por këtë grua nuk e fali. Një piromani të kohës, mërzitur nga monotonia, i shkoi ndër mendje që do të ishte shumë qejf po të merrje një grua nga ato të arave e ta quaje shtrigë, ta hipje majë një karroce, në mënyrë që ta poshtëronin të gjithë fshatarët, ta lidhje paq pas një huri, të urdhëroje të sillnin bashkë me të edhe një krah me shkarpa të thata dhe pastaj t’i ndizje bashkë me gruan për së gjalli, të ikte mërzia si me magji. Ti bëje qejf, edhe të tjerët bënin po aq qejf, deri sa t’u vinte radha.

Sot askush nuk di të thotë se ç’domethënë shtrigë, as sa ishte vargu me shtriga që u dogjën fill pas saj dhe as përse shtriga dolën vetëm gratë, madje nuk e di këtë gjë as prifti i kishës.

Historia e njerëzimit është e mbushur me emra heronjsh që në emër të shkencës dolën kundër dogmës. Dhe ata i nderojmë si burra të vdekur për një kauzë. Ua mësojmë jetët, bëmat, hobitë… Kurse për këto gra të ndezura nuk dimë as çfarë kanë thënë para vdekjes dhe as nëse kanë pasur me të vërtetë ndonjë kauzë dhe dihet që një jetë pa kauzë, është një jetë e shkuar dëm, ashtu siç vazhdojnë që të jenë rëndom jetët e grave.

E pyes priftin nëse njihet në librin e kishës rasti i ndonjë burri shtrig?

- Jo, – më thotë.

Sa herë jemi në ndonjë pritje diplomatike, gruaja e ambasadorit austriak, krenare për katolicizmin e vet, e ka me merak të më pyesë pa të keq, se cilit religjion i përkas. Më pyet shpesh, ose sepse ka harruar që më ka pyetur më herët dhe më pyet sërish, ose edhe sepse janë të ngatërruara për të dhe për të tjerët ato mishmashet fetare të vendit tonë. Dhe puna me mua është se, si i përgjigjem njëherë, nuk i përgjigjem herës tjetër.

Ngaqë nuk m’i rrok dot mendja as ngjizjen dhe as ringjalljen e Krishtit, ngaqë urrej për vdekje flakët dhe inkuizitorët dhe gjithë po në atë masë priftërinjtë pedofilë, nis e i them se:

- I am muslim by origin…

Po në pritjen e ardhshme, kur ne të jemi të gjithë të njëjtët, por me nga një veshje tjetër dhe e sigurt që prapë do të më pyesë, mendoj t’i them diçka të ndryshme, fare pa pendesë.

- I am catolic by origin…

Do t’i them, përse burkat dhe ferexhetë e errëta, ashtu si edhe emërtimi shtrigë, janë të detyrueshme vetëm për gratë?

Unë e lexova Kuranin për arsye intelektuale dhe u trishtova kur zbulova se sado të përvuajtura, të përkushtuara dhe fetare që të jenë gratë, nuk do të mund të prekin dot parajsën, përveçse duke i shërbyer edhe aty ndonjë burri të devotshëm.

Ata të paktë fatlumë që do të mund të shkojnë në xhenet, do të mund të ulen nëpër divane të buta, rrethuar me shumë jastëkë të mëndafshtë (këto i kam). Do të dëgjojnë duke u kënaqur zhurmën e ujërave të rrjedhshëm. (Edhe këtë e kam, mjafton që të hap rubinetin e çezmës) dhe katër virgjëresha të reja e të bukura do t’i shërbejnë duke u sjellë vërdallë sepete me hurma dhe me fruta të freskëta. Katër? Nuk më dalin statistikat. Frutat i kam, ajo që nuk kam janë virgjëreshat, por edhe sikur t’i kisha, nuk do të dija ç’të bëja me to.

E, tani, çfarë jam unë?

Sikur këtë pyetje të ma bëjë ndonjë nga diplomatët gjermanë, do t’i them:

-I am hebrew by origin…

Hebre, hebre, si ajo gruaja që ishte duke gatuar gjellën kur e rrëmbyen nazistët dhe nuk e gjeti dot as pas 30 vjet kërkimesh, maroku i Bratisllavës.

Të gjitha këto që them e shkruaj janë herezi. Unë e di. Ashtu siç e di që do të përfundoja o me lapidar me gurë, o e rrethuar nga flakët në një kohë tjetër, ndërsa në kohët e sotme do të rrethohem me neglizhencë, ndoshta dhe përçmim.

Po sikur të mundja të shpjegohesha, a do të mund të më kuptonin dot, vallë? A do të mund të kuptonin dot ngatërresën etnike dhe fetare të vendit tim, me myslimanë, katolikë, ortodoksë dhe bektashi?

Shqipëria është një vend i vogël nga më të vjetrit e Europës, pa ndonjë rëndësi historike përveçse luftërave të Skënderbeut, që siç thotë historia jonë dhe të gjitha historitë, për njëzet vjet u bë mburojë duke mbrojtur krishterimin në mënyrë që hordhitë turke të mbeteshin në Ballkan e mos t’i suleshin Europës së krishterë. Edhe në një vend kaq të largët, ku për arsye pune sot jetoj, gjendet portreti i heroit tonë në fasadën e një kështjelle, bash për këtë meritë.

Por sado i fortë edhe trim ia dorëzoi një ditë edhe ai shpirtin Zotit, si çdo tjetër i vdekshëm, duke lënë pas vetes njerëz të dëshpëruar, që nga një anë qanin prijësin e, nga ana tjetër, bënin gati dengjet me rraqe për t’u nisur drejt Moresë a Italisë…

Por ja që nuk mund të iknin dot që të gjithë, d.m.th. as paraardhësit e mi, që mbetën mes malesh, herë duke vringëlluar shpatat kundër turqve dhe herë duke i futur ato në mill, të izoluar e të pakrah për 500 vjet.

Sikur të kishin edhe ata mundësinë e mbretërve hungarezë, jam e bindur që do të largoheshin edhe ata 100 km më tutje për të ngritur një Budapest në miniaturë, pa i neglizhuar as kishat as ndërtesën e operës dhe as sallonet për argëtim, por ja që qëlluan fshatarë ballkanikë të mbetur mes grykësh dhe iu desh që të shtonin energjinë e vuajtjes për të siguruar jetën mesjetare të të pushtuarve, sa me kafshë e aq me plug.

E kam pasur edhe unë në mendje pyetjen, njëlloj si perëndimorët e sotëm: përse ata nuk pranuan të vdisnin që të gjithë përpara se t’u nënshtroheshin turqve duke ndërruar fe e besim dhe më del se kanë vdekur, jo se s’kanë vdekur. Nga dhjetë djem që i pat falur Zoti, vetëm njëri i pat mbetur katragjyshit tim dhe nuk e dimë ç’do të kish bërë Abrahami i Biblës, në qoftë se i kërkohej flijimi i jo një, por i dhjetë bijve të tij, gjë që katragjyshi im e zgjidhi duke mbajtur besimin e vjetër në mendje e zemër dhe duke bërë një be të rreme për të pranuar besimin e ri. Një fe e çuditshme kjo për shumëkënd dhe që e quajtën veten bektashi. I sjell ndër mend tek vallëzonin në një gjendje transi, pasi mesa duket vetëm në atë gjendje mund ta përballonin tërë atë ngatërresë me fe dhe besim, me njërën dorë drejtuar boshtit të Tokës dhe me dorën tjetër drejt hapësirës dhe tek e përshëndesnin njëri-tjetrin në ardhje dhe në ikje me një shprehje që më dukej më pranë paganizmit sesa feve monoteiste.

- U bëftë dritë.

Por nuk duket se ka edhe aq dritë për sa kohë që edhe në një pritje diplomatike si kjo e jona, mu në qendër të Europës së qytetëruar, ne vazhdojmë që ta pyesim njëri–tjetrin: WHAT ARE YOU BY ORIGIN?


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama