Wikileaks - Ushtari qe nxori sekretet diplomatike

Wikileaks - Ushtari qe nxori sekretet diplomatike
Intervista e gjatë që Julian Assange i ka dhënë gazetarit zviceran Hans Ulrich Obrist. Në këtë pjesë, Asange ftohet të japë detaje rreth fatit të ushtarit Bradley Maning, i cili i dha dosjen e mesazheve diplomatike amerikane Wikileaks. Asange flet gjithashtu edhe për pozicionin e tij politik, vizionin për botën dhe për rëndësinë e përhapjes së informacionit të klasifikuar

Si shpjegohet që ju u bëtë heroi i mediave, ndërkohë që Bradley Manning (ushtari amerikan që thuhet se i dha Wikileaks dosjet elektronike të ambasadave amerikane nëpër botë), është ende shumë pak i njohur. Mesa di, Wikileaks i ka dhënë para këtij ushtaraku për t’u mbrojtur në gjyq, çka është pozitive. Ju veproni duke u mbështetur në një rrjet donatorësh, pra nisma juaj ka si burim një iniciativë njerëzish privatë. A mos duhet ta shihni sjelljen tuaj personale, në raport me daljet tuaja publike? Sepse duket sikur Wikileaks ka vetëm një imazh, atë tuajin?

“Kjo është pyetje pak dashakeqe, më duhet ta pranoj. Unë dhe Manning nuk jemi në një garë, për të përcaktuar se cili prej nesh vuan sot më shumë. Që të dy ne, jemi viktima të një veprimi agresiv të SHBA, në emër të interesave të disa personave përgjegjës në Amerikë. Për këtë, na duhet të qëndrojmë të bashkuar. Fati i Manning meriton pa asnjë dyshim, më shumë vëmendje se i imi dhe organizata jonë po bën përpjekje të konsiderueshme, për të tërhequr vëmendjen mbi të. Një pjesë e këtij interesi do të nxitet, natyrshëm, edhe gjatë procesit të tij gjyqësor.

Bradley Manning u arrestua në Bagdad dhe u mbajt më pas në Kuvajt për gjashtë javë rresht, para se të dërgohej në Quantico, Virginia, ku po pret të dalë në gjyq prej 300 ditësh, në një burg të sigurisë së lartë. Në cilësinë e dikujt që e ka njohur burgun e sigurisë së lartë, i bashkohem vuajtjeve të tij të momentit. Është një situatë që është denoncuar nga Amnesty International dhe që shpresoj që të mos mbetet një akt i veçuar”.

Unë jam krejt në favor të transparencës. E duartrokas atë. Madje duhet të them se nuk kam as edhe një problem të natyrës ideologjike me transparencën si të tillë dhe as me publikimin e materialeve të rezervuara. Kur sfidat janë të qarta, si për shembull korrupsioni i sistemit bankar apo prapësitë e sistemit kapitalist, është normale të synohet kudo dhe kurdo transparenca. Por në aspektin politik, ndodh pak a shumë si një lojë pokeri, ku dikush del dhe bën të ditur me zë të lartë të gjitha letrat. Edhe kjo mund të jetë diçka e mirë, por kërkohet një farë mase dhe përgjegjshmëri në aspektin e pasojave të mundshme. Çdo lojë e rëndësishme, kur luhet, duhet të kihet parasysh se po zhvillohet në një ambient global. Një rrjedhje e mundshme informacioni mund të zbulojë një kurth a një truk të keq, por gjithashtu mund të kompromentojë hapat që vijnë më pas. E parë kështu, e mira e transparencës bëhet e vështirë për t’u kuptuar dhe për t’u gjykuar. Ku janë limitet e lejueshme në këtë rast? Jam kurioz ta di, e po ju pyes fare pa agresivitet: çfarë ju lejon të merrni këtë rol që keni sot?

“Përsa i takon kësaj pyetjeje, pra përse është e nevojshme t’u japim njerëzve informacion për atë që ndodh pas perdeve: ne themi që ne i besojmë transparencës, thjesht sepse është një fjalë e cila e përshkruan më mirë një realitet kompleks në moment të caktuar. Personalisht më duhet të them se nuk jam një “fans” i kësaj fjale. Unë mendoj që nëse ne duhet të ndërtojmë një qytetërim solid, ne kemi nevojë për të dimë atë që ndodh, jo domosdoshmërish në kohë reale, por ne na duhet një historik i sofistikuar dhe i kompletuar, mbi gjithçka që i intereson njerëzimit. E kjo nuk është thjesht një çështje “transparence”, por që prek më gjerë, ndërtimin e një kujtese kolektive.

Në anën tjetër, ndjehet nevoja që ta ekzaminojmë pushtetin nga të gjitha anët, nëse duam ta kuptojmë dhe ta ndryshojmë atë. Liria e shprehjes përfshin lirinë e informimit. Që të dyja bashkë, formojnë atë që mund të quhet e drejta për ta shpërndarë atë që dimë. Nuk ka nevojë të ndërtojmë teorema të ndërlikuara, për të shpjeguar dobinë e gjithë kësaj, besoj.
Wikileaks po publikon prej katër vitesh, diçka për të cilën kemi të drejtë të jemi krenarë, informacione që po shkaktojnë ndryshime të mëdha. Mesa dimë, nuk kemi shkaktuar ndaj askujt të këqija më të mëdha, sesa humbja e vendit të punës apo e zgjedhjeve të ardhshme.
Nga ana tjetër, ne mund ta formulojmë edhe ndryshe të drejtën tonë për të bërë këtë që po bëjmë. Me çfarë të drejte një qeveri mund të na pengojë që të përhapim informacione dhe fakte? Kjo e drejtë njihet edhe në nivelet më elementare”.

E vërtetë që njihet, por ka dhe limite!

“Nuk ka limite të vendosura apriori. Kurrë s’ka qenë kështu. Sapo një informacion bëhet publik, çdo tentativë për ta penguar është e padrejtë. Pra, në praktikë, nuk ka limite ndaj informimit.

Përkundër gjithë mjeteve të tjera të informacionit, ne angazhohemi për atë që publikojmë dhe atë që nuk e nxjerrim për publikim. Kjo thjeshtësi e qëndrimit tonë, bën që burimet tona të informacionit të kenë besim tek ne. Wikileaks merr përsipër të publikojë çdo dokument politik, diplomatik, etik apo historik, i cili nuk është botuar kurrë më parë, ose ka qenë i censuruar.

Ne angazhohemi që ta bëjmë këtë, pasi e kemi kontrolluar me kujdes materialin, duke u siguruar që s’përbën rrezik për sigurinë e personave fizikë. Ky kontroll nuk ka për qëllim që të pengojë publikimin, por që të vonojë botimin ose të tërheqë një pjesë të tij, për një kohë të caktuar, derisa rreziku në fjalë të ketë kaluar. Është e qartë se çdo dokument duhet publikuar, në momentin që ai s’përbën risk për asnjeri. Kjo procedurë e jona, ka funksionuar deri tani në mënyrë, do të thosha, perfekt. Është një politikë korrekte dhe që funksionon”.

A keni ju opinione të caktuara politike, përtej një forme relativisht amorfe të liberalizmit?

“Po, kam një opinion politik dhe ky opinion është që të gjitha mendimet e tezat politike janë sot në një krizë të thellë. Ndoshta një pyetje më e saktë do kishte qenë: A kam unë një tendencë të caktuar politike! Po, kam një bindje politike, ku ndërthuret tendenca drejt lirisë, me dëshirën për të kuptuar gjërat. Ajo që del nga kjo përzierje është vullneti për t’i bërë pushtetet që të japin llogari.

Nëse ju keni një temperament libertar, ju jeni objektivisht kundër pushteteve autoritare. Dhe nëse ju keni një temperament që ju shtyn të kërkoni anën e fshehtë të dukurive, atëherë ju po kërkoni të kuptoni thelbin e pushtetit. Kombinimi i të dyjave më bën të them që duke kuptuar pushtetin, pengojmë që të kryhen abuzimet më të këqija. Unë mendoj gjithashtu që një pjesë e madhe e botës, po ndahet në dy sisteme të mëdha pushteti. I pari, i cili përbëhet nga tregjet, të cilat mund të zmadhohen e fuqizohen dukshëm , kur është fjala për tregjet financiare, por që mund të pësojnë gjithashtu shtrembërime të ndryshme, për shkak të ndërveprimeve ekonomike. Sistemi i dytë i pushtetit përbëhet nga rrjete të mëdha nepotike – këto të fundit janë ato që kanë me të vërtetë rëndësi, sepse janë ato që ndajnë, promovojnë, inkurajojnë dhe shpërndajnë të gjitha format e pushtetit, jashtë tregjeve. Ky është më shumë një vizion i imi i botës, sesa një opinion politik.

Kam arritur të formësoj një nocion, i cili është më afër koncepteve politike bashkëkohore, të cilat u përkasin përgjithësisht pushteteve okulte. Këto të fundit janë më të dukshme në shtetet e reja të Evropës Lindore, si p.sh. Bullgaria, ku në sipërfaqe mbretëron një zmalt demokracie e stilit evropian – edhe pse demokracitë evropiane janë edhe ato të dominuara nga shfaqja, jo nga thelbi. Kurse nën sipërfaqe ekziston një rrjet nepotik që kontrollon në realitet drejtësinë dhe shpërndarjen e pushtetit e të pasurisë në vend”.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama