Wikileaks 400 mije dokumentet e nje Iraku ndryshe

'Wikileaks', 400 mije dokumentet e nje Iraku ndryshe
“Wikileaks” në “rrjedhjen” më të madhe të dokumenteve ushtarake sekrete amerikane ka publikuar dje 391 832 dokumente të klasifikuara në lidhje me luftën në Irak. Publikimi është bërë në internet në sajtin e organizatës. Dosjet dhe materialet hedhin një dritë të re në ngjarjet e luftës në Irak, duke dokumentuar në një mënyrë krejt të re paaftësinë e ushtrisë të mirëpajisur amerikane gjatë viteve të luftës.

Fillimisht ishin qindra mijëra dokumentet e konfliktit në Afganistan dhe tani me sa duket i vjen radha një tjetër konflikti të nisur nga amerikanët po aq, në mos më shumë të përgjakshëm, Luftës së Irakut. “Wikileaks” ka publikuar dje një koleksion shumë të madh të një sërë dokumentesh të brendshme,  pra sekrete të ushtrisë amerikane. Bëhet fjalë për 391 832 dosje dhe materiale nga ushtarët amerikanë, materiale të marra nga një bazë të dhënash e Pentagonit. Të marra të gjitha së bashku ato përfaqësojnë një lloj ditari në lidhje me luftën në Irak që përfshin harkun kohor 2004 – 2009. Gazeta prestigjioze gjermane “Der Spiegel”, britanikja “The Guardian” dhe amerikania “New York Times” kanë analizuar dhe riparë të gjitha dokumentet e sipërpërmendura. Si edhe në rastin e publikimit disa muaj më parë të dokumenteve në lidhje me luftën në Afganistan këto gazeta që janë përzgjedhur nga “Wikilekas” për të publikuar të parat një përmbledhje të materialeve, kanë marrë të gjitha masat për të shmangur rrezikshmërinë që mund të paraqesin materialet për individë të ndryshëm të përfshirë në konflikt.

Lufta që zgjati më shumë se Lufta II Botërore

Pavarësisht se sipas Pentagonit dokumentet janë “të dëmshme” gazetat e mësipërme kanë vendosur që të publikojnë një përmbledhje të tyre duke e gjykuar me vlerë paraqitjen para publikut të botës aspektin ndryshe që ato japin për sa i takon luftës në Irak, një aspekt që nuk ka qenë kurrë, ose të paktën shumë pak, në vëmendjen e mediave të mëdha përgjatë gjithë viteve të luftës. Dokumentet ofrojnë një tjetër perspektivë në lidhje me një luftë që zgjati më shumë se konflikti i fundit botëror. Ato flasin për aspektet e përditshme të fushatës së amerikanëve, sipas përjetimit të vetë ushtarëve. Kërcënimet, raportimet për sulme, materialet e arrestimeve japin një këndvështrim ndryshe të përshkallëzimit të përplasjeve dhe betejave sektare mes shiitëve dhe sunitëve, flasin për shkallën e brutalizimit dhe traumatizimit të shoqërisë irakiane, flasin për faktin se si grabitjet, torturat e të burgosurve u shndërruan në praktika rutinë. Materialet japin gjithashtu disa fakte në lidhje me vendet fqinje dhe ndikimin e tyre në këtë luftë, pra të Sirisë dhe Iranit.

Dokumentet e publikuara këtë herë nuk janë të nivelit më të lartë të sekretivitetit. Maksimalisht ato janë “sekrete” jo “top sekrete”. Si të tilla, shumë nga ngjarjet më të rënda të ndodhura në Irak gjatë luftës nuk gjejnë pasqyrim, përfshi këtu edhe skandalin e torturave në burgun e Abu Ghaib. Ka edhe anë të tjera që mund t’i konsiderojmë si “dobësi”. Bëhet fjalë për materiale të cilat janë “të njëanshme”, subjektive, të paverifikueshme dhe, në shumë raste, janë prodhuar në fushën e betejës duke e rritur kështu mundësinë e gabueshmërisë.

Megjithatë, ato janë pjesë e realitetit të një lufte  “asimetrike”, një lufte në të cilën një superfuqi e pajisur me armatimet më të mira që dispononte ka qenë shpesh e paaftë në fushën e betejës kur bëhej fjalë për të luftuar kundër njësive armike. Materiali flet se si superfuqia e fundit e mbetur në botë ishte e paralizuar shumë shpesh nga një gjendje frike: kur do të shpërthejë bomba e radhës? Çfarë do të jetë në anën tjetër të rrugës? Kur do të na zënë pusi terroristët?

“Shpërthimi i bombës”, “Nën zjarrin armik”, “Zbulimi i armëve”

Materialet nisin me 1 janarin e vitit 2004, një ditë gjatë të cilës u raportuan 7 shpërthime mes Kirkukut në veri të Itakut dhe Basrës në jug dhe përfundon më 31 dhjetor të vitit 2009, ditë gjatë së cilës u raportuan 3 sulme.  Me terma të tilla si “Shpërthim bombe”, “Nën zjarrin armik” dhe “Zbulimi i armëve”, materialet e Irakut përpiqen që të japin terminologjinë e kësaj lufte. Ndërkohë, ka një dallim mes këtyre materialeve dhe atyre të publikuara për luftën në Afganistan. Dosjet e Irakut janë dosje të një lufte që u deklaruan zyrtarisht një luftë “e fituar”  nga ish-presidenti Bush që ishte edhe shef i shtabit. Kjo deklaratë u bë më 1 maj të vitit 2003 në aeroplanmbajtësen “USS Abraham Lincoln”. Të gjitha materialet rrëfejnë për pavërtetësinë e deklaratës së Bushit, një pavërtetësi që zgjati për vite me radhë.

Rrëfimet e ushtarëve, ndonjëherë kanë një ton shumë të rezervuar. Për shembull kur është rasti i avancimit të kolegëve të tyre ushtarë që janë duke ndjekur terroristët, në rastin e kurtheve ndaj patrullave apo edhe shpërthimeve. Të gjitha këto janë skena nga lufta e përditshme.

Shpesh, madje shumë shpesh pjesa më e errët e tmerreve shprehet përmes shkurtimeve, pra inicialeve. Kështu, për shembull, ja cila është domethënia e “13Xaif kia” 13 – është për 13 armiq të vrarë ose 13 forca anti-irakiane të vrara në aksion (në anglisht). Por ka edhe raporte të tjera të cilat flasin për një tmerr më të madh të luftës dhe e japin këtë më qartë. Duke filluar nga viti 2004, tensionet u shtuan shumë brenda popullsisë së Irakut për shkak të shtimit të sulmeve dhe shpërthimeve masive. Kështu për shembull, në korrik të vitit 2005, vdekja e 6 anëtarëve të së njëjtës familje në afërsi të Bakubës dokumentohet si një incident tipik i asaj kohe. Janë dokumente që rrëfejnë tmerret e një shoqërie të përfshirë nga vrasjet dhe paniku i luftës, një shoqërie të traumatizuar që pak nga pak shkon drejt kufijve të vetëshkatërrimit. Gjatë këtyre viteve të përgjakshme nuk u parandalua shpërthimi i konfliktit civil mes grupeve të ndryshme në Irak.

Së fundi edhe pasardhësi i Bushit, Obama, deklaroi zyrtarisht fundin e luftimeve në Irak. Më 1 shtator, operacioni “Liria e Irakut” u zëvendësua nga operacioni “Agimi i Ri”. Por pavarësisht terminologjisë optimiste, ende nuk ka shenja triumfi në Irak.  Obama vetë ka qenë një nga kundërshtarët më të zellshëm të Luftës në Irak dhe ka deklaruar se lufta jo vetëm mori jetën e qindra mijëra njerëzve, por pati dhe ka një kosto jashtëzakonisht të madhe financiare. “Ne kemi shpenzuar një trilion dollarë për luftën, që shpesh është financuar me borxhe të marra nga vende të tjera”, ka deklaruar Obama. Ai deklaroi fundin e luftës në të njëjtin vend ku paraardhësi i tij deklaroi fillimin e saj me një ton që ishte shumë më i përulur dhe modest nga ai i Bushit.
Efektet shkatërruese

Sipas shifrave zyrtare 3 884 ushtarë amerikanë vdiqën në harkun kohor 2004 – 2009 dhe 224 ushtarë të tjerë nga forcat aleate. 8000 anëtarë të forcave të sigurisë irakiane dhe 92 003 civilë irakianë. Gjithsej bëhen 104 111 vdekje. Edhe pse kjo luftë për sa u përket viktimave dhe krahasimisht me Luftën e Vietnamit që pati 3 milionë viktima nuk ishte e përmasave gjigante, ishte në fakt shkatërrimtare për sa i përket shkatërrimit të imazhit të Shteteve të Bashkuara në botë.

Një muaj para luftës, Bush deklaroi se rrëzimi i diktatorit Sadam Husein do të shërbente si një fillim i një epoke të re demokratike për të gjithë rajonin, por ushtarakët që u tërhoqën pas 7 vitesh luftë ishin në atë shkallë të demoralizuar sa prej kohe kishin filluar të dyshonin në qëllimet fisnike të fushatës së nisur nga Bush. Pikërisht dokumentet e botuara nga “Wikileaks”, pasqyrojnë fare mirë këtë ndryshim. Në 400 000 dokumentet e Irakut fjala “demokraci” shfaqet vetëm 8 herë, ndërsa togfjalëshi më i frikshëm që u futi tmerrin amerikanëve: “pajisje të improvizuara shpërthyese” përsëritët 146 895 herë.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama