Drejtori Bill Keller pranon se këto ditë është shtrënguar që të bëjë më shumë diplomatin se sa gazetarin në përcaktimin e kritereve, në bazë të të cilave duhet të publikojë materialet e “Wikileaks”, në përzgjedhjen e emrave që duhen censuruar për çështje të sigurisë, mbajtjen e një lidhjeje të drejtpërdrejtë me Departamentin e Shtetit, të cilit i dërgohet i gjithë materiali që do të publikohet. Dhe në fund atij i duhet të vendosë edhe se cilat nga kërkesat e qeverisë duhet që të marrë parasysh dhe cilat t’i injorojë.
Për të mos folur për denatyrizimin e profesionit të gazetarit investigativ. Sa për gazetën “New York Times”, ajo edhe në vitet ’70 sfidoi pushtetin me publikimin e “Pentagon Papers”. Daniel Ellsberg, funksionari që në vitin 1971 i dorëzoi shtypit dokumentet komprometuese për Niksonin, ka deklaruar se sipas tij Assange dhe “Wikileaks” janë shumë kurajozë, madje po aq kurajozë sa edhe ai në periudhën e publikimit të materialeve sekrete në lidhje me luftën e Vietnamit. Por në atë kohë bëhej fjalë për një tërësi dokumentesh që jepnin një anë të panjohur të një çështjeje të veçantë (kostoja dhe pasojat e luftës në Vietnam), e cila u ishte fshehur amerikanëve. Ndërsa këtë herë punët qëndrojnë ndryshe. Përballë një oqeani (rreth gjysmë milion materiale) materialesh që vijnë nga burime diplomatike të personave që kanë kryer detyrën e tyre të përditshme, cili është roli i gazetarit që i bien në duar materialet e “Wikileaks”: Të jetë një përcjellës i materialeve të “Wikileaks”? Komentues i këtyre fakteve apo vetëm mediator? Analist? Megafon? Filtër?
Në dialogun e vazhdueshëm me lexuesit, si dhe në intervistat që ka dhënë këto ditë, Bill Keller pranon vështirësinë dhe shpeshherë edhe paaftësinë e menaxhimit të një situate jo normale dhe të paprecedentë: “E kam gjetur veten në një rol, më shumë diplomatik se gazetaresk. Kjo është diçka që nuk i vjen për shtat një gazetari, detyra e të cilit është ajo e kërkimit dhe e sulmit. A është vallë duke ndryshuar mënyra jonë e të shkruarit të politikës së jashtme dhe e mënyrës së trajtimit të burimeve diplomatike? Po, sigurisht, por vetëm përkohësisht. Kjo aktualja është një situatë e jashtëzakonshme. Është e çuditshme që ta gjesh veten përballë këtyre informacioneve kaq intime dhe të brendshme. Por, gjithsesi, nuk është një rast që përsëritet vazhdimisht apo që do të përsëritet në të ardhmen dhe për këtë jam i bindur”.
Julian Assange (i cili këtë herë i kishte lënë jashtë të përditshmet amerikane nga rrethi i gazetave të cilave ua kishte dhënë materialin) e sheh ndryshe situatën: “Me materialin që kemi nxjerrë jashtë deri më tani kemi kryer vetëm një pjesë shumë të vogël të misionit tonë”. Pas daljes së materialeve të korrikut për luftën në Afganistan dhe atyre të muajit tetor për luftën në Irak, ish-hakersi australian u bë një lloj kryeengjëlli që nxori në dritë informacione të rezervuara dhe sekrete diplomatike të qeverive e qendrave të tjera të pushtetit. Ndërkohë ka paralajmëruar edhe “bomba” të tjera, por këtë herë në fushën e biznesit dhe të bankave, informacione të cilat, sipas tij, do të kenë fuqinë e rrëzimit të një banke amerikane, madje të disa prej bankave më të mëdha. Duket si një lloj ekzekutimi që, sipas të gjitha gjasave, mund të lërë viktimë “Bank of America”. Assange, i cili thotë se i ka bërë gati të gjitha materialet, deklaron se sulmin e ri do ta nisë në fillim të vitit të ardhshëm.
Javët në vijim do të vazhdojnë që t’i kushtohen të gjitha “zbardhjes” së materialeve dhe mesazheve diplomatike. Por sa do të jenë vallë? Do të procedohet gjithmonë me një binar të dyfishtë, pra nga njëra anë do të dalin në media informacionet e përpunuara dhe redaktuara nga mediat e zgjedhura prej Assange dhe, nga ana tjetër, ato do të publikohen në formën e tyre kabllore në sajtin “Wikileaks”? Këtë askush nuk e di me saktësi. Për momentin më shumë informacion ofrojnë gazetat “Der Spiegel”, “Le Monde”, “El Pais” apo “the Guardian” dhe “New York Times”, se sa vetë sajti, por me Assange që është në kërkim nga ana e policisë, e cila ka nxjerrë një urdhër ndërkombëtar arresti për akuzën e përdhunimit dhe që kërkohet nga gjysma e botës, është e vështirë që të bëhen plane.
Ndërkohë ka shumë paqartësi edhe në frontin ligjor. Pavarësisht impenjimit të ministrit amerikan të Drejtësisë, Eric Holder, për të inkriminuar përgjegjësit e “Wikileaks”, juristët më të mirë deklarojnë se Assange zor se mund t’i hiqet mbrojtja që ka nga Amendamenti i Parë i Kushtetutës, ai që ndalon çdo lloj kufizimi për lirinë e informacionit. Ndërkohë nuk ka asnjë provë që publikimet e “Wikileaks” kanë për qëllim sabotimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës nga ana e një shteti tjetër. Vetë drejtori i “New York Times” është detyruar që ta pranojë se Assange në këto materiale të fundit në krahasim me ato të Afganistanit dhe të Irakut është bërë më i kujdesshëm në lidhje me emrat e përveçëm, pra ka mbuluar emrat që mund të përbëjnë rrezik para se të publikonte materialet.
Por për organizatat gazetareske që kanë pasur materialin e “Wikileaks”, ka shumë dyshime në lidhje me etikën profesionale. Të kesh në dorë një material të tillë të jashtëzakonshëm me informacione të jashtëzakonshme është sigurisht një fat i madh për gazetat, por edhe burim problemesh, probleme që në të shkuarën as që ishin imagjinuar. Prerogativa e dhënies së lajmit me transparencë ka qenë dhe është kryesorja e çdo gazetari profesionist dhe me etikë. Por të shumtë janë ata që sot bëjnë pyetjen: Deri në çfarë pike duhet të vazhdojnë ta ndjekin Assange në atë që mund të quhet si një lloj besimi mistik në çështjen e purifikimit dhe transparencës kudo dhe kurdoherë?