Uebmasterat e këtyre faqeve të mëdha janë kundër modifikimeve të debatueshme në ligjin për të drejtën e autorit dhe atë kundër piraterisë.
Themeluesi i “Wikipedia”, Jimmy Wales, deklaroi për “BBC”: “Mbrojtësit e ligjit kundër piraterisë e kanë portretizuar veten si mbrojtësit më të mëdhenj të së drejtës së autorit, por ndryshimet që ata propozojnë nuk kanë asnjë lidhje me atë që ata duan të arrijnë. Problemi është se ligji është aq keq i shkruar, sa që nuk do të ketë asnjë lloj impakti. Ai nuk do të ndalojë piraterinë, por e vetmja gjë që do të dëmtojë është ata që punojnë në mënyrë të ndershme”.
Akti që po debatohet në Dhomën e Përfaqësuesve kërkon të ndalojë rrjedhjen e parave në uebsajte që promovojnë piraterinë. Megjithatë, Shtëpia e Bardhë publikoi të shtunën një deklaratë, në të cilën dukej se rreshtohej përkrah atyre që e kritikonin ligjin.
Nëse do të miratohet, ligji i jep të drejtë shtetit që të ndërhyjë në faqen e internetit, duke kërkuar heqjen e materialeve të paautorizuara nga autori ose mbylljen e uebsajtit.
Reklama, transaksionet ekonomike dhe shërbimet e tjera do të ndalohen me të gjitha uebsajtet joamerikane, që nuk zbatojnë këto parime. “Ndërsa ne besojmë se pirateria në faqet e huaja të internetit është një problem serioz që ka nevojë për një përgjigje ligjore, nuk do të mbështesim asnjë ligj që cënon lirinë e shprehjes, rrit kontrollin kibernetik dhe minon zhvillimin dinamik e inovativ të internetit”, shkruhej në komunikatën e përbashkët të uebsajteve “greviste”.