Një nga tërheqjet më të reja të kohëve të fundit, sidomos për brezin e ri, është prania e rrjeteve wireless (që shqipërohet pa kabëll) në një numër gjithnjë në rritje lokalesh, kryesisht në zonën e ish-Bllokut. Nëse para pak vitesh mund të mbeteshit të mahnitur, sot është një pamje gjithnjë e më e zakontë të kalosh përpara një kafeneje dhe të shikosh dikë duke punuar qetësisht në laptopin e tij dhe, nëse nuk e dinit më parë, ka shumë mundësi që të keni zbuluar një tjetër vend që ofron shërbim interneti wireless.
Në fakt, sot është fare e thjeshtë të pajisësh një ambient të çfarëdoshëm me internet ajror; një router wireless në fund të linjës suaj kabllore dhe loja mbaroi, dhe, meqë pjesa e tyre më e madhe vijnë fillimisht të pambrojtur nga çdo lloj maske IP-e, nuk duhet asnjë konfigurim shtesë që klientët e pajisur me aparatura wireless të fillojnë menjëherë të përdorin internetin në këto ambiente.
Kështu, shumë ambiente relaksi kanë marrë njëkohësisht dhe funksionin e një internet kafeje në përpjekjen për të tërhequr një klientelë sa më të madhe dhe sigurisht më fitimprurëse. Një person i pajisur me një aparaturë wireless është garanci më e madhe e një porosie më të mirë. Por cilat janë këto pajisje dhe mbi të gjitha, cilët janë përdoruesit e tyre? Nga një vizitë e shpejtë në disa lokale të tilla në zonën e Bllokut, mund të shikosh një arsenal të vërtetë të shpalosur, arma më e preferuar, pa dyshim është laptopi.
Me atë që përfaqëson, pra zëvendësuesin e një kompjuteri të tërë, lundrimi në internet dhe të shijuarit e faqeve web, janë pothuajse po aq të rehatshme mbi tryezën e një kafeneje sa dhe në shtëpi dhe shërbimi është falas. I vetmi ndryshim me një internet kafe të mirëfilltë, është se kompjuterin duhet ta kesh me vete.
Përtej laptopëve, ka dhe “kamikazë” të vërtetë, të cilët lundrojnë në internet nëpërmjet celularëve me wireless të gjeneratës së fundit. “Unë nuk jam duhanpirës dhe kjo është një alternativë për të mbushur kohën midis bisedave. Për pak sekonda mund të dërgosh një e-mail, fton një mikun tënd në messenger të të takojë aty ku je, me një fjalë, kursen pak kohë dhe pak para”, - komenton Arbër Haxhia, një nga të rinjtë e shumtë që frekuentojnë lokalet e Bllokut nën shoqërinë e një laptopi.
Të njëjtën gjë duket se bëjnë kryesisht edhe përdoruesit e iPhon-eve, apo pocket PC-ve, megjithëse pak më rehat. Ndër frekuentuesit më të rregullt të vendeve me internet wireless, një pjesë e madhe janë studentë, të cilët e marrin atë me vete në shkollë apo në punë dhe përfitojnë nga periudhat e pushimit për t’u përhumbur përpara filxhanit të kafesë apo për të komentuar diçka në shoqëri.
Më pas ndjekin adoleshentët, thjeshtë të apasionuar, të cilët në shumicën e rasteve nuk kanë shërbim interneti në shtëpi dhe, megjithëse në raste më të rralla, mund të hasni biznesmenë apo dhe të moshuar. Dikush ka adoptuar këtë strategji për të rritur nivelin e klientelës, sidomos në zonat pranë institucioneve bankare apo organizmave ndërkombëtare u vijnë pa dyshim në ndihmë biznesmenëve apo punonjësve teknologjikë, të cilët ulen të pinë një kafe duke diskutuar problemet e ditës.
Jashtë lokaleve
Baret dhe lokalet e natës në ish-Bllok, nuk janë i vetmi vend ku mund të përfitoni nga shërbimi wireless; shumë hotele prestigjioze me 3 dhe 4 yje të Tiranës, ofrojnë këtë shërbim në hollet e tyre, së bashku me shumë institucione shtetërore apo seli organizmash joqeveritare dhe pa dyshim, shumë shkolla dhe universitete jo publike.
Ajo që të trishton në këtë mes, është se pjesa dërrmuese e universiteteve shtetërore janë totalisht të privuara nga ky shërbim, i cili për tërë vitin do t’i kushtonte shkollës sa pagesa vjetore e një studenti të vetëm. Shpesh, mjafton fare pak për të bërë vërtetë shumë dhe përtej fjalëve të bukura, është e lehtë të bësh shumë deduksione më pak të bukura, kur ky vullnet minimal mungon.
Ç’është wireless?
Një antenë wireless për të krijuar një rrjet të tillë, është zakonisht e vendosur në një router të përzierë (ku ka dhe porta rrjeti me kabëll), apo një router wireless më vete. Pajisjet më të thjeshta të këtij lloji kushtojnë diku midis 6000 dhe 12000 lekë dhe, ndonjëherë, mund të shpërndahen nga provajderi juaj i internetit.
Operimi bëhet shpesh në distancë rreth 100 m, por transmetues më të fuqishëm arrijnë në 300 apo 500 metra, kusht për sinjalin e pastër në këtë distancë është mungesa e pengesave. Sa për pajisjet marrëse, ato ndodhen në të gjithë laptopët e gjeneratës së fundit (2-vjeçarë apo më të rinj), por sidoqoftë, nuk është e tepërt nëse, para se të blini, pyesni distributorin tuaj nëse laptopi që po blini është i pajisur më një antenë të tillë. Shumë telefona dhe smartphone, pajisen gjithashtu me wireless, por për to duhet më shumë kujdes dhe interesim.
Risia
Sytë nga Windows 7, çfarë duhet të presim nga sistemi më i ri
Kanë kaluar rreth dy vite nga kontakti i parë me Windows Vista, por megjithatë, përshtatja me këtë sistem është diçka që pjesa më e madhe e përdoruesve në Shqipëri, ende nuk e ka kapërcyer. Nën zbukurimet dhe zhurmën e marketingut, Vista është më masiv, shpesh më i ngadaltë dhe më i ndërlikuar në përdorim se paraardhësi i tij. Fatmirësisht, Microsoft duket se nuk ka qëndruar duarkryq, sidomos pas rënies drastike të popullaritetit të sistemit më të njohur të botës dhe prej më se dy javësh, qarkullon në internet versioni i parë beta (për testim) i Windows 7.
Hapja e sistemit është, pak a shumë, brenda kohëve standarde, nuk ka koment këtu. Prezantimi i parë me desktop-in është jo pak i këndshëm, task bar-i është më i lartë, me aplikacionet e hapura që tregohen në formë ikonash, duke imituar disa variante të Linux-it, kush do ta kishte menduar. Hapja dhe mbyllja e aplikacioneve është shumë më e shpejtë se në Vista dhe aplikimi i vizualeve të sistemit kryhet menjëherë sapo klikon mbi to.
Vendosja e komandave dhe opsioneve është shumë më intuitive, ndërkohë që me Vista-n është vështirë të ambientohesh edhe pas disa javësh përdorimi. Konsumi i memories mbetet pothuajse i njëjtë me Vista-n, asnjë problem për kompjuterat e sotëm me minimum 1GB RAM. Ekziston, gjithashtu, dhe opsioni i famshëm që do bëjë lojërat të punojnë më shpejt, duke ulur konsumin e resurseve nga sistemi dhe surpriza e surprizave, ka dhe një nënsistem opsional për të ekzekutuar programet e sistemeve rivale Unix.
Studimi
Shefat e këqij të dëmtojnë zemrën
Shefat e këqij, jo vetëm që shkaktojnë stres në punë, por mund të rrisin edhe rrezikun e sëmundjeve të zemrës për punonjësit e tyre. Një grup studiuesish suedezë, kanë zbuluar një lidhje të fortë mes drejtuesve që nuk dinë të drejtojnë dhe sëmundjeve të zemrës, apo atakut, gjatë një vëzhgimi të më shumë se 3 mijë personave. Rreziku bëhet më i madh, nëse punonjësi kalon shumë kohë në të njëjtën kompani.
Ekspertët thonë se, të ndihesh i nënvlerësuar dhe pa mbështetje në punë, shkakton stres, që shpesh nxit zakone të reja, si pirja e duhanit apo largimi nga ushtrimet fizike. Shefat që sillen padrejtësisht shkaktojnë rritje të tensionit te punonjësit dhe, rrjedhimisht, edhe rrezikun e sëmundjeve të zemrës.
Profesorët e Karolinska Institute and Stockholm University, analizuan zemrat e meshkujve nga mosha 19-70 vjeç, që punojnë në Stokholm, për rreth një dekadë. Gjatë kësaj kohe, ata regjistruan 74 raste ataqesh, që rezultuan disa herë edhe fatale. Të gjithë të anketuarve iu kërkua të tregojnë sjelljen e shefave të tyre dhe mënyrën e komunikimit.
Gazeta: Shekulli