Daniel Xhafaj i bën "skanerin" kampi onatit, por edhe këtë herë nga Amerika e largët. Edhe pse i distancuar fizikisht nga Shqipëria, ai nuk e ndien veten të shkëputur nga futbolli. Ish-bomberi vlonjat në një intervistë të dhënë për "Panorama Sport" parashikon se Tirana do ta ketë thuajse të pamundur këtë javë ndaj Skënderbeut. Edhe pse diferenca për kreun është shkurtuar në -2, ai i sheh korçarët pa rivalë për titullin. Ish-sulmuesi evidenton se bardheblutë po çalojnë në menaxhim, derisa me merkaton nuk u ka ecur, si dhe prej vitesh s'po fitojnë trofe. Sakaq, ai komenton akuzat për estradë në LaçiFlamurtari. Atij i duket absurde deklarata e presidentit të Bylisit, pasi kujton që kurrë mes vlonjatëve dhe laçianëve nuk ka pasur ndonjë histori miqësore.
Daniel, sa e keni ndjekur këtë kampionat dhe çfarë ka ndryshe nga vitet e fundit?
E kam ndjekur rregullisht. Mund të them se futbolli është duke u rritur nga ana profesionale çdo vit e më shumë.
Kur janë luajtur 30 javë, çfarë ju ka pëlqyer dhe çfarë jo nga ky sezon?
Do të më kishte pëlqyer që Tërbuni të mos kishte dalë kaq shpejt nga gara, por të luftonte deri në fund për mbijetesën. Nëse do të kishim më shumë ndeshje si ajo ndaj Skënderbeut, atëherë kampionati do të ishte pa dyshim më i fortë dhe më emocionues.
Cila është surpriza më e madhe e këtij sezoni, gjithnjë nëse ka?
Nuk ka pasur dhe s'besoj të ketë ndonjë surprizë deri në finish. Ndalemi pak te Tirana. Edhe pse vazhdimisht është thënë që mungon një bomber, kurrë nuk e gjetën të duhurin.
Mendoni se ishte çështje fati apo gabim në menaxhim?
Tirana ka qenë etalon në kampionatin tonë për mënyrën e organizimit, një skuadër profesioniste në kuptimin e plotë të fjalës. Pas komunizmit ka funksionuar si një klub për të qenë e suksesshme, me donator apo president, quajeni si të doni. Por, përderisa nuk po fiton më trofe në vitet e fundit, do të thotë që po çalon. Dhe, nëse mungon suksesi, faji i mbetet menaxhimit. Rikthimin e Gilbertos unë e quaj një hap prapa, pasi nuk ka qenë kurrë një goleador. Por, ndoshta klubi ka qenë i detyruar që ta kontratojë sërish, pasi nuk kishte alternativa të tjera më bindëse.
Këtë të hënë luhet Tirana-Skënderbeu, si "ish" i të dyjave si e parashikon Xhafaj këtë duel. Mund t'ia dalë Tirana përballë kampionëve?
Do të jetë një ndeshje e bukur. Në fakt, të dyja këto skuadra gjithnjë kanë prodhuar përballje të tilla, ndaj as këtë herë nuk do të mungojë spektakli. Objektivat i kanë të kundërta, por domosdoshmëria për pikë është e njëjtë. Megjithatë, mungesat e shumta që ka Tirana, me sa jam informuar, do të ndikojnë. Prej javësh s'e kanë grupin të plotë dhe kjo të penalizon detyrimisht. Do ta kenë shumë të vështirë që të arrijnë fitoren, ndaj shoh Skënderbeun favorit.
Dhe cilët do të jenë lojtarët që mund të bëjnë diferencën në këtë takim?
Lojtarë si Lilaj, Vangjeli dhe Latifi do të bëjnë diferencën. Ndërsa parashikoj që Plaku do të shënojë të hënën.
Tifozët bardheblu në rrjetet sociale kanë kërkuar që Tirana duhet të humbasë ndaj Skënderbeut, vetëm e vetëm që Partizani të mos marrë titullin...
Nuk më duket me vend. S'mund të ndodhë një gjë e tillë. Tifozët e Tiranës duhet të jenë në krah të ekipit, sidomos në këto çaste. Bardheblutë kanë më shumë nevojë se kurrë për ata. Duhej rikthimi i emrave si Salihi e Sukaj që të vinin edhe golat për ekipet e Superiores.
Si ka mundësi që nuk ka më produkte të reja për sulmin?
Është gjë e madhe që kampionatit tonë i janë rikthyer lojtarë me vlera si ata, aq më shumë kur dihet që janë njohës të mirë të golit. Madje, emra si Salihi dhe Sukaj duhet të jenë motiv për të rinjtë. Pasi me punë mund të shkosh larg. Produkte të reja ka, por ata nuk qëndrojnë gjatë në Shqipëri, pasi vihen në kërkim të eksperiencave jashtë vendit.
Skënderbeu bëri tjetër hap fals dhe nga +6 tashmë është -2 nga Partizani. A e ka vënë në diskutim titullin?
Skënderbeu ua dha mundësinë që të përfitonin ekipeve që e rivalizojnë për titull këtë vit. Pjesëmarrja në UEFA solli luhatje në kampionat, por askush s'e shfrytëzoi. Mendoj se Skënderbeu mbetet favorit për titull, pasi s'kanë rival.
Partizanin e shihni edhe këtë vit larg titullit domethënë...?
Partizani ka bërë hapa prapa. Mendoja se ky vit do të ishte i duhuri që të shpalleshin kampionë, por jo. Edhe sot e kësaj dite nuk kam arritur ta kuptoj se përse e kanë larguar Sulejman Starovën. Pastaj ndryshimet e shumta në merkaton e janarit s'më duken normale. Që të pretendosh marrjen e titullit, nuk mund të bësh kaq shumë lëvizje.
Ju personalisht për cilën bëni tifo për titullin?
Tifo bëj vetëm për Flamurtarin.
Po luftën për zonën "Euro" si e gjykoni, cilën shihni më të avantazhuar mes Kukësit, Tiranës dhe Teutës?
Edhe zona "Euro" po ofron rivalitet dhe një garë realisht interesante. Kam idenë që gjithçka do të vendoset në ndeshjet direkte, por një hap para shoh Kukësin. Është ekipi më në formë momentalisht dhe për këtë dua të përgëzoj e uroj Klodian Duron. Sa përcaktuese është kjo javë për kampionatin, pasi përballet edhe Kukësi me Partizanin. Nuk besoj se është shumë përcaktues për Partizanin të paktën. Pasi edhe po të fitojnë në Kukës, sërish llogaritë do t'i bëjnë në takimin direkt me Skënderbeun.
Bylisi pak ditë më parë akuzoi se në ndeshjen Laçi-Flamurtari ka pasur estradë. Ju duken me vend këto deklarata?
Më vjen habi të them të drejtën kur dëgjoj një gjë të tillë. Dhe këtë e them për një arsye madhore. Kurrë nuk ka ndodhur që mes Laçit dhe Flamurtarit të ketë pasur ndonjë histori miqësie. Ndaj nuk ka kuptim që kurbinasit t'u bënin një nder të tillë vlonjatëve. Ka garë edhe për mbijetesë dhe në këtë "valle" ndodhet Flamurtari juaj.
Ju vjen keq që, përtej investimeve, përpëliten në fundin e tabelës?
Është fatkeqësi që Flamurtari ndodhet në "vallen" e mbijetesës. Por, shpresoj që të mos rrezikojnë dhe duke filluar nga kjo javë të marrin një fitore dhe të jenë më të qetë. Janë të pakta javët pa polemika karshi "xhaketave të zeza".
Juve si u është dukur gjykimi këtë sezon?
Gabime ka pasur dhe këtë nuk mund ta mohojmë. Por të paktën këto javë që kanë mbetur duhet që të kenë kujdes dhe të mos bëhen faktor. Nuk duhet kurrsesi që të kenë ndikim në rezultat. T'ia lënë garës verdiktet finale.
Kukësi dhe Laçi shkojnë në finale të Kupës. Kush do ta fitojë këtë trofe?
Mendoj se është koha që Kukësi të marrë një trofe. Ka një ekip realisht të mirë, një trajner të ri dhe të suksesshëm si Duro, eksperiencën e Hasan Likës në pankinë dhe kanë një sulm efikas që mund të bëjë diferencën. Mendoj se janë favorit.
Përgatiti: ADELA MERKO