Xhafaj nuk merr pjese ne mbledhjen e Venecias Per reformen do te flasin ekspertet

Kryetari i Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Sistemin e Drejtësisë, z. Fatmir Xhafaj, në një bashkëbisedim me median (1)Tiranë, 23 Tetor/ATSH/ Kryetari i Komisionit për reformën në drejtësi, Fatmir Xhafaj nuk do të marrë pjesë në mbledhjen e komisionit të Venecias, që do të mbahet më datë 24 tetor, ku pritet të diskutohet mbi draftin me ndryshimet kushtetuese të propozuara nga grupi i ekspertëve të nivelit të lartë në komisionin e posaçëm për reformën në drejtësi.

Xhafaj e bëri të ditur sot këtë vendim me anë të një letre drejtuar Presidentit të Komisionit të Venecias, Gianni Buqicchio.

Duke e cilësuar si një reformë të konceptuar nga ekspertë dhe profesionistë të fushës së drejtësisë, Xhafaj, argumenton kështu mosprezencën e tij në mbledhje.

"Drafti për ndryshimet kushtetuese që i është përcjellë për opinion Komisionit të Venecias është pikërisht fryt i punës së grupit të ekspertëve të nivelit të lartë pranë komisionit të reformës në drejtësi. Ndaj, fjala në Komisionin e Venecias iu takon atyre", shkruan ai në letrën drejtuar Gianni Buqicchios.

Një tjetër arësye që rendit Xhafa në letër, është edhe dëshira e tij për të shmangur çdo cënim të mundshëm të reformës duke e polititizuar atë.

"Kjo është një reformë e thellë që synon ndryshime thelbësore në organizimin dhe funksionimin e institucioneve aktuale të sistemit dhe është normale që rreth saj të jenë prezente debatet dhe kundërshtitë rreth tyre. Dëshiroj ta shoh mospjesëmarrjen time në atë tryezë të nderuar si një kontribut shtesë për të shmangur në këtë mënyrë çfarëdo lloj insinuate që do të politizonte apo do të përdorej për të cënuar vlerat e larta, paanshmërinë dhe profesionalizmin e kësaj reforme jetike për të ardhmen e vendit tim", thekson Xhafaj.

Ekspertët, të cilët do të prezantojnë draft reformën e ndërhyrjes në sistemin e drejtësisë në Komisionin e Venecias janë: Kristaq Traja, Aurela Anastasi, Genti Ibrahimi, Arta Vorpsi, Rainer Deville (shef i misionit EURALIUS) dhe Jon Smibert (këshilltar ligjor i misionit OPDAT të SHBA në Shqipëri).
Në axhendën e punimeve plenare të këtij Komisioni, është zyrtarizuar tashmë edhe kërkesa që ka mbërritur nga Tirana për t'u shprehur mbi modifikimet e propozuara të Kushtetutës.

/b.k/ /a.g/


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama